Këtë prill në disa pjesë të Indisë janë regjistruar temperaturat mesatare më të larta në histori dhe pritet që moti jashtëzakonisht i ngrohtë të vazhdojë edhe në maj, njoftuan autoritetet indiane.

India dhe Pakistani fqinj janë goditur nga valë të nxehta të paprecedentë këtë vit, të cilat kanë shkaktuar shkrirjen e asfaltit në disa qytete, mbyllje shkollash dhe paralajmërime të shumta shëndetësore dhe zjarri, raporton Reuters.

Në pjesët veriperëndimore dhe qendrore të Indisë, temperaturat mesatare maksimale prej 35,9 deri në 37,78 Celsius u regjistruan në prill, tha gjatë një konference për shtyp Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Meteorologjik Indian, duke vënë në dukje se këto janë temperaturat më të larta në 122 vitet e fundit.

Shkencëtarët pajtohen se më shumë se një miliard njerëz janë në rrezik nga efektet e nxehtësisë në Indi, duke paralajmëruar se fillimi i hershëm i verës së nxehtë është i ndërlidhur me ndryshimet klimatike.

Ministrja Federale e Pakistanit për Ndryshimet Klimatike Sherry Rehman konfirmoi të shtunën se për herë të parë në dekada, Pakistani ka kaluar nga dimri në verë pa një sezon pranvere.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re