“Bajame” quhet në gjuhën popullore indi limfatik në formë të rrumbullakët ose ovale që gjendet në pjesën fundore të kavitetit të gojës. Bajamet kanë funksion mbrojtës dhe sherbejnë si një barrierë pritëse për bakteret dhe viruset që depërtojnë nëpërmjet gojës. Për këtë arsye, duke qenë se janë kontakti i parë me bakteret dhe viruset, shpeshherë bajamet infektohen dhe japin atë gjendje qe ne e njohim me termin mjekësor tonsilit. Tonsiliti mund të jetë akut, kronik, rekurent.

Shenjat dhe simptomat kryesore të infeksioneve të bajameve përfshijnë: bajame të zmadhuara, të skuqura dhe të mbuluara me njolla të bardha ose të verdha, dhimbje fyti, vështirësi dhe dhimbje në gëlltitje, ethe, të dridhura, temperaturë, dhimbje veshi, ndryshim të zërit, aromë e pakëndshme nga goja, dhimbje kycesh dhe nyje limfatike të zmadhuara në anët e qafës.

Tonsiliti në përgjithësi është një sëmundje kalimtare e cila prek të paktën një herë në jetë si fëmijët ashtu dhe të rriturit, por infeksionet e përsëritura ose tonsilitet kronike mund të çojnë në komplikime serioze duke përfshirë: vështirësi në frymëmarrje, frymëmarrje e ndërprerë gjatë gjumit (apne gjumi) apo përhapje të infeksionit në organe në distancë si veshka, zemër, artikulacione etj.

Tonsiliti quhet “kronik” kur simptomat e mësipërme zgjasin më tepër se 14 ditë dhe konsiderohet “kronik rekurent” kur përseritet më shpesh se pesë herë gjatë një viti, por me episode që zgjasin më pak se 14 ditë.

Për të vendosur diagnozën e saktë të tonsilitit, duhet gjithmonë një konsultë me mjekun ORL. Gjatë konsultës mjeku kryen një ekzaminim që quhet “orofaringoskopia” dhe në raste të caktuara kur është e nevojshme, mund të marret material nga bajamet për të kryer kulturën e fytit. Për të plotësuar diagnozën, mjeku mund të rekomandojë gjithashtu disa analiza të gjakut. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve tregojnë nëse infeksioni është viral, bakterial apo ka ndonjë shkak tjeter, si edhe terapinë e duhur qe duhet të merrni për cdo rast.

Infeksioni i bajameve apo tonsiliti shpeshherë është një sëmundje vetëshëruese.

Ja kur duhet të drejtoheni patjetër tek mjeku ORL:

– nëse simptomat zgjasin më tepër se 4 ditë dhe vijnë duke u rënduar

– nëse keni njolla të bardha në bajamet tuaja

– nëse keni temperaturë 38.0°C ose më të lartë

– vështirësi në hapjen e gojës (trizmus)

– dhimbje që nuk ju lejon konsumin e ushqimeve apo të lëngjeve

Pasojat e një tonsiliti të patrajtuar mund të jenë: dehidratimi, abcesi peritonsilar, ethja reumatizmale ose glomerulonefriti akut (infeksion i veshkave).

Trajtimi

Trajtimi i infeksionit të bajameve mund të jetë me medikamente ose kirurgji.

Në rastet e një tonsiliti akut bakterial mjekimi duhet të jetë antibiotiko-terapia, pra marrja e antibiotikut nga goja ose në raste më të rënda në rrugë intramuskulare apo intravenoze.

Kur rekomandohet heqja kirurgjikale e bajameve:

– kur infeksioni i bajameve bëhet kronik, pra infeksione të shpeshta që ju detyrojnë të përdorni antibiotik shumë herë

– kur infeksioni nuk i përgjigjet më terapisë me antibiotikë për shkak të rezistencës së krijuar,

– në rastet e formimit të një abcesi peritonsilar

– kur tonsiliti bëhet shkak për komplikacione të tjera serioze ne distancë

Heqja kirurgjikale e bajameve quhet “tonsilektomia” dhe është një nga ndërhyrjet më të zakonshme në rutinën e një kirurgu ORL. Ndërhyrja zgjat mesatarisht 30 minuta dhe kryhet me anestezi gjenerale, pra pacienti nuk ndjen dhe nuk shikon asgjë. Periudha e rikuperimit tek fëmijët është më e shkurtër dhe më e lehtë se tek adultët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re