Dy punonjëse të Zyrës së Gjendjes Civile të Rajonit nr.3 në Berat kanë rezultuar të infektuara me Covid-19.

Punonjëset janë kolege në të njëjtën zyrë dhe rezultojnë të jenë asimtomatike dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Ato e kishin kryer tamponin në 5 tetor dhe që prej asaj dite ishin karantinuar,në pritje të përgjigjes së tamponëve që mbërritën pasditen e djeshme “pozitiv” për të dyja punonjëset.

Të prekura nga koronavirusi janë konfirmuar edhe një edukatore dhe një sanitare në çerdhen e lagjes “Donika Kastrioti” në Berat. Edukatorja dhe sanitarja që ka rezultuar “pozitivw” janë karantinuar, ndërkohë që pas dezinfektimit është mbyllur për disa ditë çerdhja e kësaj lagjeje.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se është kryer edhe dezinfektimi i zyrave të gjendjes civile të rajonit nr.3 që ndodhen brenda ish-godinës së bashkisë Berat, të cilat janë mbyllur për disa ditë deri në zëvendësimin me punonjëse të përkohshme të kësaj zyre ku nuk duhet të mungojë shërbimi për qytetarët.

Të njëjtat burime konfirmojnë se DSHP është në pritje të përgjigjeve të tamponëvë të marrë në dy klasa të gjimnazit ‘Bab Dudë Karbunata”, të edukatoreve e sanitareve të kopshtit “10 Korriku” dhe të stafit të mjekëve e infermierëve në Qendrat Shëndetësore të fshatrave Velabisht e Cukalat.

Numri i rasteve aktive në qarkun e Beratit ka arritur në 128, ndërkohë që përgjigjet e mbërritura pasditen e djeshme janë tamponët e kryer nga DSHP deri në dt.6 tetor.

/Balkan Web

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re