Shtohet numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë. Së fundimi raportohet për një të infektuar në Elbasan, duke e çuar në 12 numrin i rasteve me Covid-19 në këtë qytet.

Rasti më i fundit është i një 40 vjeçareje e cila rezulton të jetë bashkëshortja e 46 vjeçarit , pronar i restorantit të njohur që ndodhet pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, i cili prej fillim javës pasi rezultoi i infektuar me Covid 19, ndodhet i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi “.

Nga 12 tamponët e marrë nga familja e tij dhe kontaktet e ngushta, vetëm bashkëshortja 40 vjeç ka rezultuar pozitive. Restoranti i çiftit përkatësisht 46 vjeç dhe 40 vjeçe dyshohet se mund të ketë qenë vatra nga ku është përhapur Koronavirusi në Elbasan .

Ndërkohë, ditën e djeshme Shqipëria ka regjistruar një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19. Vetëm 6 persona kanë rezultuar pozitiv duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 383 persona.

Sipas të dhënave, në gjithë vendin janë kryer 2753 teste gjithsej për rastet e dyshuara si të prekur me Covid-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re