Rastet me Covid-19 kanë njohur rritje në qytetin e Kuçovës. Pas konfirmimit të 6 rasteve pozitive disa ditë më parë, që rezultuan të ishin pensionistë, tashmë rastet janë shtrirë edhe në institucionet publike. Një edukatore në një kopsht në Kuçovë dhe fëmija e saj 5-vjeçe që është e regjistruar në po të njëjtin kopsht, kanë rezultuar të prekura me SarsCov2.

Edukatorja ka qenë në punë deri në momentin e shfaqjes së shenjave të para dalluese të infektimit dhe pas kryerjes së tamponit, ajo dhe vajza e saj e kanë rezultuar pozitivë. Edukatorja është karantinuar së bashku me familjen e saj, ndërkohë që janë karantinuar edhe 12 fëmijët e grupit ku ajo punonte, të cilët do t’i nënshtrohen testimit.

Edhe një punonjëse fasonerie në qytetin e Kuçovës ka rezultuar e prekur me koronavirus. Ajo e ka ndërprerë marrëdhënien me punën vetëm ditën që ka bërë tamponin,duke vënë në alarm koleget e saj më të afërta dhe gjithë punonjëset e repartit ku ajo punonte.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Higjenës bëjnë me dije se është kryer dezinfektimi i kopshtit dhe fasonerisë në Kuçovë si dhe janë mbyllur dy reparte të fasonerisë dhe grupi i fëmijëve ku punonte edukatorja e infektuar./ abc

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re