COVID-19 ka regjistruar edhe një rast të ri pozitivë në një fasoneri në qarkun e Beratit.

Një punonjëse ka rezultuar e infektuar me Coronavirus dhe kjo ka bërë që Drejtoria e Higjenës në Berat të dezinfektojë dhe të mbyllë përkohësisht repartin ku ajo punonte.

Rasti i konfirmuar me Covid-19 në fasoneri është një grua 44-vjeçe. 44-vjeçarja është nga qyteti i Beratit dhe ishte me leje në momentin që ka marrë përgjigjen e tamponit të bërë, pas shenjave të infektimit që kishte shfaqur prej disa ditësh.

Gruaja është karantinuar në banesën e saj, ndërkohë që tamponin e kanë kryer edhe disa punonjëse të afërta me të në repartin ku ajo punonte, nga frika e infektimit.

Edhe katër pensionistë, tre në Berat dhe një në Kuçovë kanë rezultuar të prekur me Covid-19 por ende nuk dihet se ku dhe nga kush janë infektuar, pasi nuk janë kontakte të rasteve të mëparshme.

Mjekët epidemiologë në Berat bëjnë me dije se, po kryejnë hetimin epidemiologjik të personave të kontaktit të katër rasteve të reja të pensionistëve të konfirmuar “pozitivë” në Berat e Kuçovë, që rezultojnë të jenë raste të reja.

Aktualisht në qarkun e Beratit janë 71 raste aktivë me Covid-19,të cilët janë të karantinuar në banesat e tyre dhe janë në vëzhgim të vazhdueshëm të forcave të policisë./Balkan Web

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re