Shkon në 17 numri i personave të prekur nga virusi COVID-19 në Korçë. Burime të sigurta bëjnë me dije se në 24 orët e fundit është shtuar edhe një person i ri i prekur nga koronavirus. Një gjë e tillë konfirmohet nga burime pranë Njësisë vendore të Kujdesit Shëndetsor në Korçë të cilët thanë se nga katër tamponat e dërguar ditën e hënë në Tiranë një ka rezultuar pozitiv.
Ndërkaq nga ana tjetër burime të siguruara flasin se i infektuari është një punonjës policie i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, me pozicionin e oficerit të policisë kontakt i afërt me ofierin e policisë që është infektuar para dy javësh. Nga ana e kujdesit shëndetsor janë nisur menjëherë grupet e epidemiologëve për të parë zinxhirin e transmetimit dhe për të testuar edhe kontaktet e afërta të infektuarit.
Gjithnjë duke iu referuar burimeve, bëhet fjalë për një nga fshatrat e bashkisë së Korçës duke lënë të kuptohet se transmetimi i koronavirusit ka dalë tashmë jashtë qytetit juglindor. Një lajm i mirë vjen në anën tjetër nga ana e drejtorisë së Spitalit Rajonal Të korcës, ku vetë drejtori i këtij spitali njofton për pacientin e pestë i cili është shëruar nga COVID-19.
Bëhet fjalë për një 77-vjeçar i cili ka lënë shërbimin infektiv në Tiranë dhe është kthyer në banesë i shëruar për t’iu nënshtruar karantinimit të sigurisë. Ndërsa burime bëjnë me dije se edhe efektivi i policisë i infektuar dy javë më parë ka lënë shërbimin infektiv plotësisht i shëruar. Me këto dy raste të reja, numri i personave të shëruar shkon në 6 pacientë që tashmë do t’i nënshtrohen vetekarantinimit të sigurisë për 14 ditë.
