Ka 7 ditë që ka nisur grevën e urisë, ndërkohë që prej ditës së djeshme ka nisur dhe grevën e etjes. Bëhet fjalë për infermierin nga Kosova, Enlirat Duraku i cili që prej një jave ka nisur këtë grevë i vetëm, ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim, ku ka një grup njerëzish që hyjnë me disa kërkesa të përbashkëta.

Enlirati ka vendosur të hyjë në grevë për shkak të kushteve të vështira në të cilat punon, ai dhe kolegët e tij, aq më tepër gjatë vitit të fundit, ku pandemia i ka përkeqësuar edhe më tepër kushtet duke ju vënë jetën në rrezik.

Kërkesa e infermierit nga Kosova, që ka më shumë se dy dekada që punon në sistemin shëndetësor lidhet me pagesat e ulëta, të cilët ata përfitojnë për orët e natës, orët shtesë gjatë fundjavës, por edhe me pagesat që ata duhet të përfitonin për rrezikun në punë.

Ai ishte sot në një lidhje “Skype” për “Wake Up”, ku theksoi se kanë përdorur të gjitha mjetet e komunikimit për të shprehur problemin e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Kërkesat janë po ato të vitit 2019, që janë rritja e pagesës për qëndrimin e natës për infermierët.

Pagesa e punës gjatë fundjavës dhe të orëve shtesë siç u paguhet mjekëve dhe pagesa e rrezikshmërisë në punë. Pasi së fundmi janë shtuar rastet e dhunës ndaj mjekëve. Këto më kanë detyruar që të marr një vendim më radikal.

Thirrja i shkon Presidentes, Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryetares së Komisionit për Shëndetësinë. I kemi shfrytëzuar të gjitha rrugët e komunikimit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha ai.

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re