Pasi u ul për gjashtë muaj radhazi, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, përjetoi në maj një rritje të lehtë.

 

Sipas INSTAT, në muajin e shkuar inflacioni u regjistrua në 4.7%, nga 4.6% që ishte në prill, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve në bare e restorante, për mobilje shtëpiake, për veshje e këpucë apo edhe i pijeve alkoolike.

 

Ndërsa grupi i ushqimeve, referuar raportit, ka pësuar rënie të çmimeve me 1.2%, ndryshe nga muajt e tjerë.

 

Megjithatë, kjo ulje e çmimeve për produktet bazë të shportës është shumë e lehtë nëse e krahasojmë me çmimet në tregjet ndërkombëtare. Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit, në tregjet e huaja vaji ka rënë me 48%, ndërsa bulmeti e drithërat me nga 25%.

 

Ndërsa në vendin tonë produktet e bulmetit kanë regjistruar vetëm rritje, kurse çmimi i bukës, pasi u shtrenjtua me afërsisht 20%, qëndron gati i palëvizur. Por pse nuk reflektohet edhe në tregun vendas rënia e çmimeve në tregjet e huaja?

 

ADI HAXHIYMERI

“Të gjithë jemi dëshmitarë që kemi rritje të madhe të pagave, pagat janë rritur kudo, nuk ka biznes që nuk ka rritur pagat. Dhe kostot e tjera shoqëruese gjatë këtij viti. Nëse sot bursa reagon sot dhe zbret poshtë, nuk do të thotë që çmimi do të ndryshojë sot. Çmimi që është sot ka të bëjë me grurin që është marrë para 3 muajsh.”

 

Situata është ende e paqartë dhe sipas grupeve të interesit, edhe për shkak të kushteve klimatike.

 

 

ADI HAXHIYMERI

“Të gjithë këta faktorë po shoqërohen edhe me faktorë klimatikë, ka thatësira të jashtëzakonshme, në disa zona ka thatësira ekstreme, në të tjera ka përmbytje. Fenomeni i përmbytjeve ka prekur edhe disa tregje të rëndësishme. Nëse përmbytet nga shirat dhe breshëri, humbet edhe cilësia e grurit, nëse nuk ka cilësi, rritet shumë çmimi i atij që ka cilësi të lartë.”

 

Sipas ekspertëve, në tregun vendas nuk mund të presim rënie të çmimeve të produkteve në rafte, por vetëm stabilizim të tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re