Teksa INSTAT publikoi inflacionin për muajin Maj i cili arriti në 6.7%, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se nuk kemi arritur ende në pikun e tij.

 

Adrian Civici si dhe Elvin Meka ekspertë ekonomie thanë në emisionin E-ZONE se rritja e çmimeve do të vijojë më tej minimalisht edhe të paktën dy apo tre muaj në vijim.

 

“Të gjitha parashikimet, si të Bankës Qendrore, por edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare sinjalizojnë se presionet do të vijojnë. Banka thotë se kulmi parashikohet të arrijë në një nivel inflacioni prej 7%, por pasiguritë mbeten ende të larta ndaj mbetet për t’u parë se si do të jetë ecuria në vijim”, thotë Civici.

 

“Fatkeqësisht ne nuk e kemi arritur pikun, mendoj se inflacioni do të rritet më tej madje mbi 7%, pasi po t’u referohemi kostove të prodhimit që nxjerr INSTAT, ato janë rritur në disa raste me dhe shifra dyshifrore, ndaj nëse këto kosto ende nuk janë reflektuar, ato do të reflektohen në periudhën në vijim”, thotë Elvin Meka.

 

Nisur nga ky realitet, ku inflacioni po rritet përtej parashikimeve, për ekspertët qeveria duhet të vijojë mbështetjen për shtresat në nevojë, por dhe të rishohë sistemin e taksave.

 

“Recetat anti-inflacion mbeten të vështira, por ne duhet të bëjmë atë që kanë bërë vendet e tjera, fokusi më i madh tek familjet që preken më shumë, se ky inflacion po gërryen fuqinë blerëse”, thotë Civici.

 

“Të gjitha paratë që qeveria po mbledh nga rritja e çmimeve duhet t’u kthehen qytetarëve, të cilët janë të vetmit që po paguajnë koston e këtij inflacioni, pa lënë jashtë vëmendjes edhe bizneset në sektorë të caktuar”, thotë Meka.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re