Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Rritja e fortë e çmimeve që po përjetojmë po rrit pabarazinë sociale, pasiguritë dhe po redukton nivelin e rritjes ekonomike shqiptare.

 

Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nënvizoi se inflacioni është më i lartë në produktet bazë të jetesës.

 

GENT SEJKO

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Në Shqipëri inflacioni arriti në nivelin 8.1%, më i larti që nga 1998. Edhe pse në nivel rajonal dhe evropian e kemi inflacionin të ulët, baza e inflacionit ka ardhur në rritje dhe zgjerim. Produktet bazë të shportës kanë një normë të lartë inflacioni, mbi objektivin 3%.

 

Çfarë do të bëjë banka qendrore në këto kushte?  Sejko e ka një përgjigje:Ndërhyrje të reja në politikën monetare. Kjo do të thotë rritje e mëtejshme e normës bazë të interesit për lekun, duke e forcuar atë.

 

Po normalizojmë gradualisht politikën monetare, kemi rritur katër herë brenda vitit normën bazë të interesit. Ky normalizim është masë e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave, të krijojë kushte më të mira monetare dhe të kthejë inflacionin në objektiv brenda 2 viteve. Ekonomia shqiptare do të rrezikonte të përjetonte një periudhë të gjatë me inflacion të lartë nëse nuk do të normalizohej politika monetare.”

 

Edhe qeveria ka strategjinë e saj për të zbutur efektet e inflacionit: Ajo bazohet tek mbështetja e shtresave në nevojë si dhe mbajtja e pandryshuar e çmimit te energjisë për familjet.

 

DELINA IBRAHIMAJ

MINISTRE E FINANCAVE DHE EKONOMISE

 

“Mosndryshimi i çmimit të energjisë elektrke ka luajtur rol të madh për të mbajtur të kontrolluar rritjen e kostove të prodhimit në vend dhe për të mbajtur në nivele më të ulëta inflacionin. Leku është forcuar ndaj euros dhe kjo ka ndikuar për të mbajtur në frenim deri diku edhe inflacionin. Përmes masave dhe reformave ne synojmë të rrisim rezistencën e ekonomisë shqiptare. Do të mbrojmë shtresat në nevojë që të sigurohemi që kriza të ndikojë sa më pak.”

 

Gjatë konferencës me temë “Inflacioni u kthye, si t’i bëjmë ballë”, guvernatori Sejko dhe ministrja Ibrahimaj thanë se po kalojmë në një faqe të re të zhvillimit ekonomik, me norma interesi më të larta.

 

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë