Informaliteti në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve arrin në nivele alarmante. Mbi 100 mijë abonentë dyshohet se përdorin ujin e pijshëm, por nuk kanë kontratë dhe për rrjedhje nuk paguajnë asnjë lek.
 
Për pasojë, reforma në këtë sektor konsiderohet jetike për të rikthyer formalizimin.
 
Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri ka urdhëruar  të gjithë drejtoritë e ujësjellësve që të marrin masa me qëllim zbatimin e etapave të kësaj reforme.
 
Faza e parë e cila zgjat deri më datën 1 shkurt 2018 do të jetë koha e sensibilizimit  të qytetarëve: do të pritet që abonentët të aplikojnë për të lidhur kontratën.
 
Ndërsa më pas stafet e drejtorive do të dalin në terren për të verifikuar situatën.
 
Ministri i kërkon drejtorive që të bëjnë analizën e kostove dhe të rishikojnë tarifat për lidhjet e reja, me qëllim nxitjen e abonentëve për të paguar.
 
Vartësit këshillohen të mobilizojnë gjithë burimet e tyre në ujësjellës, si dhe të analizojnë situatën në rast se do të nevojiten ndihmë nga qeveria qendrore.
 
Edhe kryeministri Rama ka kërkuar që të verifikohen të gjithë punonjësit e administratës  publike lidhur me pagesat e ujit të pijshëm. Sipas  të dhënave, aktualisht vetëm një në tre litra ujë faturohet dhe paguhet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re