Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se aksioni ndaj informalitetit nuk do të zbutet, ndryshe nga sa mendojnë skeptikët, por ai në ditët në vijim, do të bëhet më kërkues dhe ndëshkues. Sipas kreut të qeverisë nuk ka më sensibilizim, por “qasja e re do të jetë përditë e më kërkuese, reaguese dhe ndëshkuese, pa asnjë dallim tjetër përveç kufirit të ligjit”.

Këtë paralajmërim e ka bërë nga rrjetet sociale, kur kryeministri ka postuar foton e një tjetër karburanti të bllokuar nga tatimorët për shkak të abuzimeve.

Sipas kryeministrit është absurde që më shpejt sensibilizohen qytetarët sesa bizneset. “Nëse për shembull, sot, të gjithë konsumatorët paguajnë energjinë, nuk ka më fare-fare asnjë lloj justifikimi, që bizneset të mos paguajnë detyrimet ndaj shtetit dhe konsumatorëve”, shprehet Rama, duke paralajmëruar masa edhe më të forta gjatë ditëve në vijim.

Më herët, zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë mbyllur gjatë 10 ditëve të aksionit kundër informalitetit 22 kompani të mëdha për mos lëshim të kuponit dhe për shkelje të tjera ligjore. Sipas Braçes, ata janë bllokuar, ndonëse disa prej administratorëve kanë tentuar t’i shmangen bllokimit, duke përdorur njohjet me miqtë në politikë dhe drejtësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re