Gjermania dhe Norvegjia planifikojnë të rrisin bashkëpunimin për ta bërë udhëtimin hapësinor evropian më të pavarur, konfirmuan udhëheqësit e të dy vendeve gjatë një vizite nga kancelari gjerman Friedrich Merz të premten, më 13 mars.
“Ne jemi mbështetur në sisteme të tjera lëshimi dhe vende të tjera në botë për një kohë shumë të gjatë,” tha Merz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin norvegjez Jonas Gar Støre.
Merc dhe Støre vizituan portin hapësinor norvegjez në ishullin Andoja, 300 kilometra në veri të Rrethit Arktik.
“Tani është momenti për Evropën”, tha kancelari gjerman.
Dy udhëheqësit njoftuan formimin e një grupi pune strategjik të përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe industrisë për të eksploruar mundësitë për bashkëpunim më të thellë.
“Grupi do të punojë mbi propozime për projekte konkrete, me afate kohore dhe lidhje të mundshme me BE-në dhe NATO-n”, tha Støre.
Kryeministri norvegjez theksoi se eksplorimi i hapësirës është një fushë gjithnjë e më e rëndësishme në të cilën të dy vendet plotësojnë njëra-tjetrën.
“Gjermania ka një bazë të gjerë industriale, dhe këtu në Norvegji kemi teknologji, fusha kërkimore të vendosura dhe një vendndodhje unike gjeografike strategjike”, tha Støre.
Që nga viti 1962, nga Andøya janë lëshuar më shumë se 700 raketa dhe balona kërkimore.
Në ditët në vijim, raketa Spectrum, e projektuar nga kompania gjermane Isar Aerospace për të lëshuar satelitë të vegjël në orbitën e ulët të Tokës, do të testohet në Andøya. /tesheshi.com/



