Britaniku 60-vjeçar i injoroi paralajmërimet për rrezikun dhe ju nevojit një transport ajror për ta shpëtuar.
Një alpinist britanik 60-vjeçar është urdhëruar të paguajë mbi 14,000 euro për shërbimet italiane të shpëtimit pasi injoroi paralajmërimet për rrezik në Dolomite dhe kërkoi një transport ajror për ta shpëtuar.
Sipas Guardian, alpinisti u nis të enjten nga Qafa Tre Croci, pranë Cortina d’Ampezzo, dhe u drejtua për në Ferrata Berti sfiduese, në 2,500 metra mbi nivelin e detit në zonën e San Vito di Cadore. Vendi, ku dhjetëra rrugë ishin mbyllur për shkak të rrezikut të rrëshqitjes së dheut, ishte vendosur me paralajmërime të qarta në italisht dhe anglisht, të cilat britaniku i injoroi, madje duke u ngjitur përtej barrierave.
Thirrja për ndihmë erdhi në orën 3:30 të pasdites atë ditë, kur burri u panikua për shkak të shkëmbinjve që binin. Sipas kreut të ekipit të shpëtimit malor, Nicolas Cherubin, “ai pretendoi se nuk e dinte që shtegu ishte i mbyllur dhe nuk i kishte parë paralajmërimet”.
Operacioni i shpëtimit u ndërlikua nga kushtet e këqija të motit dhe kërkoi vendosjen e dy helikopterëve dhe disa anëtarëve të stafit. Kostoja totale ishte 14,225 euro, nga të cilat 11,160 euro mbuluan kostot e shpëtimit me helikopter që zgjati 93 minuta.
Cherubin theksoi se alpinisti ishte me fat që shpëtoi i gjallë. Disa ditë më parë, dy alpinistë belgë ishin shpëtuar në rrethana të ngjashme, por ata paguan vetëm një pjesë të vogël të faturës, pasi Belgjika është anëtare e Bashkimit Evropian.
Giuseppe Dal Ben, komisioneri i autoritetit lokal shëndetësor, u bëri thirrje vizitorëve t’i afrohen malit me respekt dhe kujdes.
