Përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhina, në mbledhjen e Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, ka deklaruar se duan që procesi i numërimit të votave të diasporës, konkretisht të atyre të Greqisë që janë administruar, të numërohen.
Ajo tha se nuk kundërshtojnë pretendimet e PD-së, por aktin e komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Sa i takon vullnetit të PS-së për numërimin e votave, ka qenë pikërisht vullneti unë ai që lejoi vijimin e procesit sepse sa i takon pretendimeve të PD-së se zarfet e Greqisë janë të helmuara, ne si PS por edhe PD kanë ngritur pretendime. Ne, që të mos e bllokojmë procesin, le të vijomë. Të ndalojmë në këtë fazë, komisioneri zgjidhë, të bëjmë ankimin ligjor dhe të vijohet me procesin.
Në asnjë moment nuk u kemi thënë numëruesve tanë të ndalojnë. Ne inkurajomë numëruesit të vijojnë të numërojnë. Nuk ka një ngecje. Ne jemi duke kundërshtuar një akt të komisionerit, jo pretendimet e PD-së”, tha Xhina.
Kujtojmë se KSHZ, duke marrë shkas nga rezervat e shprehura nga koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore lidhur me fletët e votimit nga jashtë të mbërritura nga Greqia, që sollën dhe ndërprerjen e numërimit të votave të ardhura nga diaspora, vendosi që kur grupi numërimit dhe Komisioni i Administrimit e Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë për votuesit nga jashtë nuk vlerëson zarfin/et “B”, atëherë këto fletë votimi apo zarfe do të vlerësohen nga KQZ rast pas rasti.