Universiteti “Luarasi” organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare kushtuar inovacionit dhe praktikave bashkëkohore në shkencat mjekësore, në fokus të së cilës ishin kërkimi shkencor, bashkëpunimi ndëruniversitar dhe sfidat e mjekësisë moderne.

Rektori i Universitetit Luarasi, Prof. Dr. Maks Haxhia, theksoi se universiteti do të mbështesë çdo nismë që nxit diskutimin shkencor.

“Universiteti Luarasi ka qenë dhe do të jetë i hapur në përkrahje të të gjitha nismave të tilla për diskutime shkencore, për probleme qoftë të përgjithshme, por edhe të veçanta”-tha Rektori i Universitetit Luarasi, Prof. Dr. Maks Haxhia.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Petrit Bara, u shpreh se Fakulteti i Shkencave Mjekësore i Universitetit “Luarasi” synon të formojë profesionistë në këtë fushë.

“Fakulteti i Shkencave Mjekësore të Universitetit Luarasi synon të formojë profesionistë që bashkojnë kompetencën shkencore me ndjeshmërinë njerëzore, që besojnë në arsimin modern dhe mjekët duhet të mbështeten në kërkimin shkencor, mendimin kritik dhe përditësimin e vazhdueshëm profesional, në mënyrë që të përgatisin specialistë të aftë për sfidat e shekullit 21”- deklaroi Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Petrit Bara.

I ftuar në Konferencën Shkencore të Universitetit Luarasi, zv.rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Nexhbedin Beadini, vlerësoi kontributin historik të emrit “Luarasi” në arsimin dhe shkencën shqiptare.

“Luarasi, emër shumë i njohur që ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin, për shkencën. Ka qenë edhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kur është bërë alfabeti i gjuhës shqipe. Pra, emri i tij është shumë i nderuar që ta mbajë ky universitet kaq i rëndësishëm dhe kaq me potencë”- deklaroi , zv.rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Nexhbedin Beadini.

Kjo konferencë e organizuar nga Universiteti Luarasi bëri bashkë ekspertë dhe studiues të shkencave shëndetësore, të cilët ndanë përvojat dhe eksperiencat e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re