Nën kujdesin e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, u organizua takimi me temë “Inovacioni në sistemin financiar”, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama.

Qëllimi i këtij takimi, i cili mblodhi së bashku ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të kompanive në fushën e fintech, ishte diskutimi mbi sfidat dhe zhvillimet inovative të dixhitalizimit në sistemin financiar.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes gjithë aktorëve për tejkalimin e problematikave dhe sfidave për zhvillimin e sistemit financiar në vendin tonë, në funksion shfrytëzimit të mundësive që ofron dixhitalizimi, nxitjes së inovacionit e kështu zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministrja pohoi faktin se politikat e qeverisë kanë synuar ndër vite rritjen e përfshirjes financiare, me qëllim reduktimin e kostove të transaksioneve financiare për qytetarët dhe bizneset e kategorive të ndryshme. Megjithatë, sipas Ministres Ibrahimaj, ka ende disa barriera rregullatore që nuk e mundësojnë zhvillimin e duhur të kompanive fintech, sidomos në sistemin e pagesave, reduktimit të cash dhe reduktimit të informalitetit.

Në këtë drejtim, Ministrja theksoi rëndësinë e nxitjes së proceseve të nisura dhe respektimin e afateve të përcaktuara ligjore.“Për të diskutuar për të gjitha këto dhe për të shtyrë përpara proceset që ne kemi iniciuar tashmë, si dhe për të marrë disa garanci që ato afate dhe deadline të përcaktuara në ligje apo rregullore të respektohen, ne organizojmë tryezën e sotme, duke e parë njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë dhe më të ndërlidhur, në mënyrë të tejkalojmë sfidat dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që dixhitalizimi na jep, me qëllim të nxitjes së inovacionit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re