Skip to content

Inspektorati i Arsimit dorëzon kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit dhe dy zyrtarëve të tjerë të Kosovës

Inspektorati i Ministrisë së Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në këtë komunë.

Kallëzimi penal është dorëzuar më 22 tetor të këtij viti në Prokurorinë Speciale nën dyshimin për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas burimeve të Kallxo.com, kallëzimi penal është dorëzuar për zgjedhjen e 8 drejtorëve të shkollave të Mesme të Larta, 4 zëvendës drejtor për Shkolla të Mesme të Larta, 13 drejtor për Shkolla Fillore të Mesme të Ulëta, 5 zv/drejtor për shkolla Fillore të Mesme të Ulëta dhe 8 drejtor të institucioneve parashkollore.

Fillimisht ishte bërë një kërkesë për inicim të procedurës për kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për mos respektim të vendimit që Inspektorati i Komunës së Prishtinës e kishte lëshuar për anulimin e konkursit për përzgjedhjen e drejtorëve.

Por, pasi kjo nuk ishte zbatuar, Inspektorati më 5 tetor ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, ndaj kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, drejtores së DKA-së, Shpresa Shala dhe udhëheqësit të sektorit të burimeve njerëzore, Avni Zuka.

Drejtorët që u emëruan në këto shkolla më datën 6 tetor 2021 sipas të dhënave nga sektori i burimeve njerëzor janë: ShML “Sami Frashëri”, Fahrije Retkoceri, ShML “Xhevdet Doda” Azem Jaha, ShML “Abdyl Frashëri” Bekë Mulaj, ShML “28 Nëntori” Islam Nitaj, ShML “Gjin Gazulli” Bujar Gjocaj, ShML “Ali Sokoli” Flamur Bujupi, ShML “Prenk Jakova” Jeta Dida-Bujari.

Ndërsa në Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta janë emëruar: ‘Meto Bajraktari’ – Zana Zeqiri, “Mehmet Gjevori” – Arsim Gashi, “Gjergj Fishta” Supije Zhitia, “Hasan Prishtina” – Sofije Bunjaku, “Ali Kelmendi” – Bedrije Pireva Shala, “Pjetër Bogdani” – Dafina Alaj-Miftari, “Avni Rrustemi”- Musli Gashi, në shkollën “Azemi e Salihu” në Dabishevc është emëruar Osman Hyseni.

Si zv/drejtor në shkollën “Andon Z. Çajupi – Besart Ismajli, në shkollën “Zenel Hajdini” është emëruar Shkurta Krasniqi.

Në pozita të drejtorëve në institucionet parashkollore janë emëruar: IP “Yllkat” – Rifadije Sopi, IP “Lulevera” – Mihrije Spahiu, IP “Ardhmëria” – Lumnije Çitaku, IP “Fatosat” – Vlora Maliqi.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO.com të burimeve njerëzore, këtë listë e ka aprovuar kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti.

“Kryetari i Komunës së Prishtinës ka aprovuar dhe përzgjedhur kandidatin me më së shumti pikë”, thuhet në vendim.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur sot se kallëzimi penal është ngritur pasi Komuna e Prishtinës, sipas tyre, gjithë ecurinë e procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Prishtinës e ka zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, që rregullon këtë segment.

/faxweb