Pas marrjes së kompetencave të reja, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur forcimin e radhëve për të kaluar në filtër vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për vitet e fundit kur janë pezulluar si pasojë e periudhës tranzitore deri në ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Pas kërkesës së kreut të ILD-së për staf mbështetës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi dje dy vendime të rëndësishme duke iu përgjigjur thirrjes. KLP-ja miratoi vendimin për komandimin e Mirela Kapos në stafin e ILD-së.
Gjithashtu është miratuar edhe vendimi për fillimin e procedurës për verifikimin e figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u komanduar si inspektor në ILD.

“Para Këshillit janë prezantuar opinionet për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Midis 2 kandidaturave, Këshilli miratoi me 10 vota pro, opinionet për kandidimin e znj. Mirela Kapo.

Me 10 vota pro, janë miratuar edhe prezantimet e opinioneve për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar në pozicionin Këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për një periudhë kohore 3-vjeçare, si vijon: Ornela Rrumbullaku, Artur Cara, Mihallaq Bleta, Arian Muçaj, Erion Pano dhe Vitjona Mata.

Me 10 vota pro janë miratuar projekt-vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë dhe projekt vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u komanduar si inspektor në ILD, si vijon: Elena Pelushi, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj, Sonila Muhametaj Domi, Lindita Zguri dhe Julian Zonja”, thuhet në njoftimin e KLP-së.

Ligji i miratuar në 12 Shkurt në Kuvend ka synim hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilësuar ‘KÇK’ nga ILD-ja dhe pezullim brenda 6 ditëve.

Artur Metani u shpreh pak ditë më parë se numri i ankesave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve ka shkuar mbi 900 në tre vitet e fundit dhe për këtë shkak kërkoi staf, që ka nisur të plotësohet nga KLP-ja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re