Përveç zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar dhe 8 anëtarëve të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, brenda vitit 2019 vendi mund të ketë edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Ky institucion i ri, i krijuar për llogari të Reformës në Drejtësi, është autoriteti që shqyrton ankesat dhe heton gjyqtarët e prokurorët e dyshuar për shkelje disiplinore.

Në mbledhjen e datës 11 dhjetor Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri intervistimin e pesë kandidatëve për kreun e ILD, Artur Metani, Eris Hysi, Joana Asimi Sorraj, Lindita Troja dhe Sokol Stojani.

Pas këtij momenti, KED është tërhequr për të bërë vlerësimin përfundimtar dhe caktuar pikët për çdo kandidat. Në mbledhjen e radhës anëtarët e KED,  bëjnë renditjen përfundimtare të tyre, listë që i dërgohet Kuvendit për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ligji i jep 10 ditë afat KED për renditjen e kandidatëve, kohë që në këtë rast skadon në 21-dhjetor.

Por nga ana tjetër, seanca e fundit për këtë sesion parlamentar është caktuar në 18 dhjetor, tri ditë para afatit. Burime të A2 në KED konfirmuan se anëtarët e këshillit janë të angazhuar për të bërë të mundur dërgimin e listës me renditjen përfundimtare para seancës së fundit plenare.

Nga ana tjetër burime pranë mazhorancës bënë me dije se, nëse KED do t’i paraqesë Kuvendit renditjen përfundimtare, zgjedhja e Inspektorit të KED do të futet në rendin e ditës.

Mungesa e ILD ka bërë që të gjitha ankesat ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, totali i të cilave kalon shifrën 600, të mos ketë kush t’i shqyrtojë. Ato janë depozituar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që presin ngritjen e ILD për t’ia përcjellë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re