3 persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Fierit pasi akuzohen për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Mes të arrestuarve është Roland Bylyshi, inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, i cili shpërdoronte detyrën duke fshehur të ardhurat nga aktiviteti në subjektin e tij.

Kjo pasi lokalin që e kishte në pronësi e kishte kthyer në një pikë ku luheshin këto lotari të palejuara.

Në pranga përfunduan edhe Denis Brahimaj 40 vjeç dhe Jani Brahimi 43 vjeç, banues në Levan, Fier, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Njoftimi:

Goditet një tjetër rast i ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lotarive të palejuara, vihet në pranga pronari i lokalit (Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier), i cili shpërdoronte detyrën duke fshehur të ardhurat nga aktiviteti në subjektin e tij.

Arrestohen në flagrancë dhe 2 shtetas të tjerë që ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në ambientet e lokalit.

Sekuestrohen 3 aparate celulare, 2DVR, një sasi parash dhe një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të paligjshëm të lojrave të fatit, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, u godit një tjetër rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

Roland Bylyshi 41 vjeç, banues në Levan (i punësuar pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier), për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;

Denis Brahimaj 40 vjeç dhe Jani Brahimi 43 vjeç, banues në Levan, Fier, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Levan, në lokalin e shtetasit R. B., i cili ushtronte aktivitetin në subjektin (lokalin) e paregjistruar në organet përkatëse, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke organizuar dhe ushtruar në bashkëpunim, aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 aparate celulare, 2DVR, një shumë parash dhe një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re