Është proceduar penalisht dhe ndëshkuar me gjobë një 22 vjeçar i cili kryente manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia bën me dije se shtetasi me iniciale K.P. 22 vjeç ka publikuar një video në rrjetet sociale ku duket se drejtonte makinën me shpejtësi tej normave të lejuara dhe me manovra që mund të bëhej burim aksidenti.

Sipas policisë ka nisur procedimi penal për këtë shtetas dhe gjithashtu ai është ndëshkuar me masën administrativë 20.000 lekë, në bazë të nenit 139 “Shpejtësia”, të Kodit Rrugor.

“Kryente manovra të rrezikshme në rrugë, procedohet administrativisht nga Policia.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqej një drejtues mjeti që drejtonte mjetin mbi normat e lejuara të shpejtësisë, kryente manovra të rrezikshme duke u kthyer në burim aksidenti dhe rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës, në qendër të banuar, në qytetin e Ersekës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë bënë të mundur identifikimin e tij, shoqërimin në Komisariat dhe bllokimin e automjetit.

Në përfundim të veprimeve, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore pranë DVP Korçë e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit, shtetasin K. P., 22 vjeç, me masën administrativë 20.000 lekë, në bazë të nenit 139 “Shpejtësia”, të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë dhe të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re