Kreu i PD Sali Berisha në një deklaratë për mediat, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tallet me qytetarët shqiptarë.

 

Berisha, duke iu referuar instalacionit që është projektuar për tu ndërtuar në oborrin e Kryeministrisë, tha se kjo është tallje, ndërsa sipas tij Rama po mundohet të mbulojë vjedhjet që ka kryer.

 

“Çështja e dytë është tallja e Edi Ramës me shqiptarët. Rama pasi i vjedh çdo ditë në mënyrë të pangopur qytetarët e këtij vendi, ka filluar t’i tallë ata me përçmim dhe një akt i tillë është qëndrimi i tij ndaj shpenzimeve, vjedhjeve të fundit që ka bërë me dy projekte. Me projektin e instalimit në oborrin e kryeministrisë prej 4 mln eurosh arkave të drurit me vazo, një akt që kurrë një zyrtar nuk mund t’ia lejonte vetes. Një mashtrues ordiner, pasi deklaroi se nuk jap llogari unë se si i përdor paratë, unë i them se ai është i detyruar me ligj e kushtetutë për paratë e taksapaguesve shqiptarë të japë llogari për çdo qindarkë. Për paratë e tij sigurisht nuk i kërkon llogari askush. Atë instalacion ta marrë ta çojë në Surrel dhe ju garantoj se do i kërkohet llogari për çdo euro të shpenzuar për të. Akt cinik”, tha Berisha.

 

Ai komentoi dhe deklaratat e Ramës për satelitët, duke e cilësuar një akt të papërgjegjshëm e cinik.

 

“Ju e dëgjuat vetë kontratën për satelitët. Në një akt talljeje, cinike u tha shqiptarëve se satelitët duhen sepse nuk kanë kushërinj, halla apo teze që të fshehin kullat. Sipas tij, nga qielli, 14 kate të njërës prej tyre duken më mirë se sa nga rruga. Ky është një akt i papërgjegjshëm. Me të cilin Edi Rama do të mbulojë vjedhjet që bën”, tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re