Çështja e Fredi Belerit ka krijuar tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa kjo e fundit pavarësisht presionit nga Bashkimi Europian vijon kërcënimet se do të bllokojë rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimit europian.

 

Kërkesa e Fredi Belerit për tu betuar si kryebashkiak i Himarës u refuzua para pak ditësh nga gjykata, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja,se po pengon lirimin e Belerit.

 

Në një dalje për mediat, Manja tha se çështja e Belerit i takon drejtësisë, dhe nuk varen nga ai.

 

“Kam kohë që nuk e marr seriozisht Berishën sepse ai ka kohë që e ka humbur realitetin. Çështja Beleri është një çështje që i takon drejtësisë edhe për sa i përket betimit njihuni me çështjen e Gjykatës së Lartë e cila ka zgjidhur çështjen e kompetencës mes dy gjykatave, asaj të Durrësit dhe GJKKO lidhur me shqyrtimin e këresës së Belerit për leje të veçantë”, tha Manja.

 

Por për kërcënimet e Greqisë me bllokim të negociatave për Shqipërinë, zv.ministrja e Jashtme Megi Fino për mediat deklaroi se deri më tani është bërë punë e madhe gjatë procesit screening, duke mos komentuar më shumë deklaratat që vijnë nga Athina zyrtare.

 

“Nuk mund ta mohojmë që është bërë një punë e madhe gjatë procesit screening. Ne kemi dashur të shfrytëzojmë momentin e  konferencës së parë ndërqeveritare dhe të kemi këtë moment edhe në hapjen e grupkapitullit të parë  për konferencën e dytë qeveritare”, tha Fino./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re