Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, përsëriti disa herë gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Integrimin.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dorëzimit të progres-raportit të Komisionit Europian, diplomati i BE-së deklaroi se raporti vlerëson rezultatet e arritura nga Shqipëria me reformën në drejtësi, vetingun, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Raporti vjetor bazohet te metodologjia e re dhe për mendimin tim është një vlerësim i drejtë i situatës në Shqipëri, në lidhje me rrugëtimin drejt BE-së. Janë dhënë meritat dhe janë theksuar fushat ku përparimi ka qenë i pamjaftueshëm. Në raport, thuhet se pavarësisht sfidave të shënjuara nga pandemia, Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat që kanë të bëjnë me BE-në.

Raporti konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet. Konferenca e parë duhet të mblidhet përpara fundit të vitit. Po punohet për të tejkaluar çështjet dypalëshe. Shtyrjet ose vonesat në lancimin zyrtar të negociatave për anëtarësim do të kenë një ndikim negativ për besueshmërinë e BE-së. Në fushën e sundimit të ligjit, raporti tregon se rezultate janë arritur me reformën në drejtësi dhe vetingun. Shqipëria ka bërë gjithashtu përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar trupat e reja për zbatimin e ligjit.

Puna për reformat në sundimin e ligjit duhet të vijojë. Edhe njëherë, Shqipëria është në përputhje me politikën e BE-së për politikat e jashtme dhe sigurinë. Shqetësim është liria e të shprehur. Sulmet verbale ndaj gazetarëve nuk duhet të vijojnë. Ligji për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Një fushë tjetër është ajo që ka të bëjë me pakicat. Duhet të miratohen ligjet që kanë të bëjnë me këtë fushë, si dhe procesi i regjistrimit të pronave dhe shpronësimi. Komisioni është i mendimit që ka ardhur koha për të pasur konferencën e parë qeveritare dhe përpara fundit të vitit”, tha ambasadori Soreca.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re