Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në takimin e liderëve të Europës në Pragë, deklaroi se gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, u ka prezantuar vijat e kuqe të Kosovës në raport me Serbinë.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTJA E KOSOVËS

 

Ju e dini që Franca dhe Gjermania në niveletë më të larta janë duke bërë përpjekje për intesifikimin e dialogit dhe ne natyrisht nuk kemi asgjë kundër që të intesifikohen përpjekjet për një zgjidhje, por si përfaqësuese e Republikës së Kosovës , para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetin e vendit, kushtetueshmërinë dhe po ashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, të mos lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojmë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon.

 

Më tej presidentja theksoi se Kushtetuta nuk e lejon themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTJA E KOSOVËS

 

Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që përcakton se mekanizma të tillë nuk mund të jenë as njëetnik, as të kenë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të krijojmë një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes e cila do të binte ndesh me kushtetutën, këto janë parimet tona. Ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve tanë se sa me rëndësi është që mos të shkojmë përtej kësaj sepse nuk është në interes të askujt e më së paku të Kosovës, por as të rajonit e as të BE-së që të kemi një Republikë serbe apo modele të ngjashme që nuk kanë funksionuar e nuk do të funksionojnë sepse më shumë krijon probleme sesa qetësi, paqe e stabilitet.

 

Në fund Osmani pohoi se është optimiste për liberalizimin e vizave, sepse sipas saj edhe vendet që kanë qenë skeptike dhe ato që nuk e kanë njohur ende Kosovën kanë tashmë qëndrime konstruktive sa i përket lëvizjes së lirë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë