Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala foli publikisht në lidhje me të ardhmen e stadiumit “San Siro”, ku theksoi se dy klubet private, Inter dhe Milan kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan për të ardhmen e tyre dhe nëse vendosin të ndërtojnë një stadium privat është e drejta e tyre, por ai ka propozuar një ofertë tunduese: Shitjen e pronësisë së stadiumit për 70 mln euro dhe klubet mund ta restaurojnë atë.
“Tani për tani, ekzistojnë dy mundësi në tryezë: një stadiumi i ri mbi San Siro ose një stadium i ri në rrugën Sesto San Giovanni.
Do të shtoj një të tretë: Ne jemi të gatshëm ta shesim San Siron. Ndërtimi i stadiumit të ri nuk është i mirëpritur nga ne, por ne po flasim për dy klube në pronësi private që, për interesat e tyre të drejta, mund ta bëjnë diçka të tillë.
Këshilli nuk dëshiron të fitojë para nga San Siro. Ne jemi jashtëzakonisht të gatshëm të lejojmë një palë të tretë të bëjë një vlerësim, duke na treguar sa ia vlen.
Ne nuk kemi absolutisht asnjë nevojë apo interes për të spekuluar rreth San Siro. Vlerësoj se San Siro ka vlerë rreth 70 milion €”, tha Sala.
Me këto fjalë klubet e Milanos kanë një mundësi tjetër tashmë: Të blejnë San Siron për 70 mln euro dhe ta rikonstruktojnë duke e kthyer në një impiant modern, ose të vendosin në zbatim planin për të ndërtuar një stadium të ri , që parashikohet se do kapë vlerën e 1.2 miliardë eurove.