Interesat ruse kërkojnë që të ndërhyjnë në destabilizimin e situatës në Ballkan, si një kundërpërgjigjie ndaj NATO-s për qëndrimin e saj në lidhje me situatën në Ukrainë.

Janë situata të lidhura me njëra tjetrën, me dashje apo pa dashje, pasi bllokimi i hapësirës ajrore të Shqipërisë dhe për pasojë aeroportit të Rinasit ndodh pikërisht disa ditë pas paralajmërimit të Aleancës se Ukraina mund të anëtarësohet në NATO.

Ndërkohë që bllokimi i aeroportit “Nënë Tereza” nga greva e kontrollorëve të hapësirës ajrore të vetme në Shqipëri, ndodh pikërisht disa ditë përpara se një pjesë e logjistikës së forcave të NATO-s në Europë të mbërrijë në Shqipëri, në përgatitje për startimin e stërvitjes më të madhe në Ballkan dhe një nga më të mëdhatë në Europë të Aleancës, të kryesuar nga SHBA.

Pikërisht krijimi i një vatre tensioni në një nga vendet më me rëndësi të NATO-s në Ballkan, siç është Shqipëria, dhe akoma më konkretisht sabotimi i i kësaj stërvitjeje shumëdimensionale, ku do të demonostrohet dhe në hapësirën ajrore nga”kolazhi” i Forcave Ajrore të vendeve pjesëmarrëse, duket se është një nga qëllimet kryesore të rusëve.

Dhe ku ka politikanë më të besuar për këtë mision sabotimi se sa presidenti i Republikës Ilir Meta që “kap për veshi të gjithë amerikanët” dhe Sali Berisha, një “sovranist” i kahershëm dhe anti-amerikan në themel, që me sa duket është shpallur dhe person i padëshirueshëm në SHBA familjarisht.

Shqetësimin për mbarëvajtjen e stërvitjes së madhe ushtarake të NATO-s në Shjqipëri, të kryesuar nga SHBA e ka shfaqur dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në mëngjesin e sotëm.

Peleshi bën publik komunikimin e vazhdueshëm me aleatët dhe shqetësimin për dështimin e mundshëm të stërvitjes së madhe ushtarake “Defender 21”, për të cilën ai tha se do të bëhet ç’është e mundur që misioni të mos cenohet. Dhe ka dhënë garanci për këtë!

“Aeroporti i Rinasit është e vetmja portë nga ku do të dislokohen trupat në kuadër të stërvitjes “Defender 21”. Do të jetë një stërvitje më e madhja e këtij lloji dhe duhet të dalë me sukses. Synojmë të jetë një stërvitje peridoke që na jep ne një rol strategjik.

Kjo stërvitje po pritet me shumë gëzim. Roli ynë në Ballkan është i padiskutueshëm si një vend që ndikon përmes prezencës së shqiptarëve në shumë shtete, por edhe pozicionin tonë. Perëndimi është fjala që duhet të na orientojë dhe kjo stërvitje ka rol në këtë drejtim.

Cenimi i stërvitjes është i papranueshëm. Patëm kontakte me vendet anëtare të NATO, i kemi garantuar se do të bëjmë gjithçka për të rifilluar punën në aeroport dhe të mos cenojmë këtë mision”, deklaroi Peleshi në media ditën e sotme.

Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes, por dhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, teksa kanë evidentuar si autorë të “grushtit të shtetit” Berishën dhe Metën, nuk kanë munguar të shprehen se greva e kontrollorëve të hapësirës ajrore është përtej pretendimit për rikthimin e pagave të majme apo “paaftësisë” solidare të 65 kontrollorëve që mbështesin 2 prej tyre të “stresuar” nga përgjysmim i i pagës nga 4500 dollarë në 250 dollarë në muaj! Pa llogaritur beneficet e tjera që gëzojnë falas që nga pushimet e deri tek kujdesi shëndetësor.

Përtej deklaratave dhe përballjeve politike, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat me sa duket opozita është e bindur se do t’i humbë, ka dyshime të verifikuara se kjo është një lojë nga vendet jomike të Shqipërisë, të cilët shfrytëzojnë “Kuajt e Trojës” brenda vendit për të realizuar qëllimet e tyre gjeopolitike dhe destabilizuese.

Shqipëria në qershor do të presë stërvitjen e NATO-s “Defender Europe 21”. Ajo do zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen 3.100 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1.000 automjete joluftarake.

Në stërvitje do të marrin pjesë forca nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Dyshimet janë se bllokimi dje i aeroportit është një sabotim i pastwr nga jashtë për të penguar stërvitjen. Sipas burimeve, dyshimet e amerikanëve janë për lojë ruse në këtë mes.

Prezenca NATO nuk mirëpritet nga Moska dhe dyshohet se Rusia përmes njerëzve të saj në politikë po tenton sabotimin stërvitjes. Kryeministri akuzon presidentin dhe ish kryeministrin si autorë të këtij bllokimi, ndërkohë që Meta e Berisha shquhen për qasjen pro-ruse.

Moska dhe mediat ruse e kanë mbështetur gjithmonë Metën dhe Berishën, nuk mund të harrohen pasqyrimet live nga TV-të ruse të protestave të dhunshme të opozitës më 2019, dhe mendohet se përmes njerëzve të LSI e PD në AlbControll u organizua ky skenar për të bllokuar ushtrinë e NATO të vije qetësisht dhe me siguri të plotë në Shqipëri për të realizuar stërvitjen e madhe.

Situata pritet të zbardhet hap pas hapi, ndërkohë që shqetësimi i aleatëve tanë ka të bëjë me faktin se si ka mundësi që Rusia të gjejë aleatë potencialw liderë kryesorë politikë dhe shtetërorw në vendin më pro SHBA dhe NATO-s.

Jo se nuk realizohet stërvitja, ku zbarkimi i trupave të Aleancës në Shqipëri si për koncidencë fillon më 26 prill, një ditë pas zgjedhjeve. Ajo bëhet pa asnjë problem, pavarësisht “shpërndarjes në terren” të njerëzve të kreut të shtetit që “monitoron gjithçka”!

Të presim, pasi sot skadon afati që kontrollorët të paraqiten në punë, ose të marrin librezat dhe të largohen, duke iu nënshtruar dhe hetimit penal për cënim të sigurisë kombëtare.

Ndërkohë që s’përjashtohet mundësia që në kuadër të NATO-s, të vijnë kontrollorë të hapësirës ajrore nga vendet aleate, deri në një moment të dytë.

Deviza e Aleancës është se “kur cënohet siguria kombëtare e një vendi aleat, është cënuar siguria e tërë Aleancës”. Kjo vlen dhe për këtë rast, të bllokimit politik të aeroportit të Rinasit.(M.Nikaj-TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re