Në qytetin Melbourne të Australisë “Tregu i natës” i cili hapet një herë në javë gjatë muajve të verës, vizitohet nga qytetarë të shumtë vendas si dhe nga shumë turistë të huaj.

Me ardhjen e ditëve të verës në vend, “Tregu i natës”, i cili hapet çdo të mërkure gjatë muajve nëntor-prill, gjatë 20 viteve të fundit është bërë një nga vendet më të vizituara nga turistët.

Vizitorët e tregut, i cili hapet nga ora 17.00 deri më 22.00 në vendin historik dhe turistik të Melbourn-it Queen Victoria Market, përveç kuzhinave botërore në treg mund të gjejnë gjëra të ndryshme si interpretuesit e muzikës live, akrobatët që gëlltisin zjarrin, dhurata, libra të dorës së dytë, veshje dhe stoli tradicionale, lloje të ndryshme të pemëve e të ëmbëlsirave.

– Interesimi më i madh për pjesën e ushqimit

Interesimin më të madh në treg, i cili është i hapur 5 orë, e tërheq pjesa e ushqimit, ku vizitorët mund të njihen me shijet e kuzhinave të ndryshme të botës.

Vizitorët hyjnë në radhë përpara shtandeve ku shitet mishi në zgarë dhe produktet e ndryshme të pulës, për të provuar shije të ndryshme, shkruan aa.

Turisti nga Koreja e Jugut, Kwan Do Hyueng në një deklaratë për AA thotë se është impresionuar nga amosfera e krijuar nga ushqimet e ndryshme të kuzhinave të Spanjës, Italisë, Brazilit, Nepalit, Qipros, Greqisë, Vietnamit e të Kinës. ”Ky vend është i mrekulluesëm dhe fantastik, ka një atmosferë shumë të bukur”.

Australianja me prejardhje nga Afrika, Charlene Rangarira thotë se tregu është shumë i këndshëm. “U rekomandoj njerëzve që të vijnë këtu, ka lloje të shumta të ushqimeve. Njerëzit janë tepër të mirë dhe po bëhet një përvojë jashtëzakonisht e mirë”, thotë ajo.

– “Sipas meje këtu gjithkush mund të gjejë diçka”

Sandra Barnes e cila shet produkte të mbledhjes së koleksionit në katër vitet e fundit në këtë treg thotë se gjithkush është i kënaqur me interesimin e treguar për tregun.

“Çdo kush kërkon gjëra të ndryshme. Disa njerëz këtu vijnë për të provuar ushqime të ndryshme. Këtu ka lloje të ndryshme nga kuzhinat e shteteve të ndryshme të botës. Disa kërkojnë produkte me prodhim austrailian, disa produkte me punë dore me çka arrijnë t’i gjejnë ato këtu. Ka edhe disa të tjerë që kërkojnë produkte të modës. Ndërsa disa prej tyre kërkojnë produkte për të bërë koleksion, ashtu siç janë tek unë. Pra, sipas meje këtu gjithkush mund të gjejë diçka”, tha Barnes.

– Kuzhinën turke e përfaqëson ‘gozleme’

Ekrem Arslan në këtë treg shet gözleme (një lloj ushqimi tradiconal turk), i cili në Australi tërheq interesim aq sa dyneri. Ai thotë se puna ende shkon mirë përkundër asaj që ka rënë pak për shkak të hapjes së shkollave.

Turisti kinez Roy Run tha se për herë të parë ka ngrënë një ‘gözleme’ dhe se ky lloj ushqimi ka një shije shumë të mirë.

Milad Gasum me prejardhje nga Libani thotë se “Gözleme është i ngjashëm me shijet e kuzhinës së Libanit. Më pëlqeu shumë dhe ka shije shumë të mirë”.

– “Kam ardhur për herë të parë, do të vij përsëri”

Gary Sully thotë se jeton në Melbourne, por që kjo është dita e parë që ai bashkë me bashkëshorten vizitojnë këtë treg të hapur para 20 vitesh. “Është i mrekullueshëm, ka vende ku mund të blejmë dhurata. Ka ushqime të mira. Unë jetoj këtu por kam ardhur për herë të parë, do të vij përsëri. Me të vërtetë është një vend shumë i bukur”, tha ai.

“Tregu i natës” që nga viti 1998 e deri më tani hapet çdo vit në Queen Victoria Market, i cili është ndërtuar në qendrën e qytetit Melbourne në vitin 1868. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re