Sezoni i Interit ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë dhe me një objektiv të qartë, të fitojë gjithçka që është ende në lojë. “Scudetto” është shumë pranë, potencialisht për t’u siguruar kundër Torinos ose, në rastin më të keq ndaj Parmës.

 

Paralelisht, zikaltërit synojnë edhe Kupën e Italisë edhe pse finalja mbetet ende për t’u siguruar përmes ndeshjes së kthimit gjysmëfinale ndaj Comos.

 

Vendosmëria e klubit është reflektuar edhe në zgjedhjet e trajnerit Cristian Chivu, i cili në ndeshjen kundër Cagliarit vendosi të pushojë disa nga titullarët kryesorë si Yann Sommer, Alessandro Bastoni dhe Francesco Acerbi, duke treguar qartë fokusin te objektivat final.

 

Një dopietë titujsh do të kishte jo vetëm vlerë sportive, si reagim ndaj zhgënjimit të finales së kaluar, por edhe ndikim të madh ekonomik.

 

Sezoni i kaluar, i kurorëzuar me një rrugëtim deri në finalen e Champions League, i solli klubit mbi 130 milionë euro nga UEFA. Ndryshe nga ai sukses, këtë vit eliminimi i hershëm nga Bodø/Glimt uli ndjeshëm të ardhurat, duke krijuar një boshllëk prej rreth 60 milionë eurosh.

 

Në këtë kontekst, fitimi i Serie A dhe Kupës së Italisë mund të sjellë rreth 30 milionë euro shtesë, një shumë e rëndësishme për të balancuar financat. Objektivi i Interit mbetet që sezoni financiar 2025/26 të mbyllet të paktën në ekuilibër, nëse jo me fitim.

 

Dy trofetë nuk janë vetëm çështje prestigji për zikaltërit por edhe “oksigjen” i domosdoshëm për stabilitetin ekonomik të klubit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re