Forma e mirë në kampionat është pasqyruar dhe në Champions nga Interi, i cili fitoi ndaj Atletiko Madrid me rezultatin 1-0. Të besuarit e Simone Inzaghit hasën shumë vështirësi ndaj spanjollëve, megjithse patën disa raste shënimi, të shpërdoruara nga Lautaro apo Arnautoviç. Pjesa e parë tregoi një Atletiko që qarkullonte më tepër, por rastet i krijoi Interi, ndërsa skuadrat shkuan në pushim në shifrat 0-0.

Në të dytën, sulmet e vendësve u shtuan, duke bërë që të rrezikonin disa herë portën e Oblak, me këtë të fundit që ishte i jashtëzakonshëm. Në minutën e 79 një gabim në prapavijën e spanjollëve, bëri të përfitojnë zikaltrit të cilët gjetën avantazhin me Marko Arnautoviç, shifra të cilat mbetën të pandryshuara, me Interin që fiton 1-0 dhe hedh një hap më tej sa i përket garës me eliminim direkt.

Paralelisht u luajt dhe ndeshja mes PSV dhe Dortmund, e cila nuk pati fitues, duke bërë që gjithcka të përcaktohet në Gjermani. Ndryshe ngta përballja e San Siros, këtu skuadrat ishin thuajse të barabarta, me Dortmundin që luajti më mirë në fraksionin e parë, por më pas në të dytin holandezët barazpeshuan në shifra e lojë. Në minutën e 24’ Malen do të kalonte në avantazh verdhezinjtë, të cilët në vijim u treguan të pasaktë. Në pjesën e dytë mundësia e artë për holandezët erdhi me një penallti e cila u kthye në gol nga veterani De Jong. Llogaritë janë të hapura për çështjen kualifikim, ndërsa ndeshja e kthimit do të përcaktojë gjithçka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re