Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, se i refuzoi të drejtën e fjalës, gjatë seancës së posaçme për Kosovën, për ta kaluar tek deputetët e tjerë opozitarë, por jo të Partisë Demokratike.

Pas Çollakut, në Kuvend fjalën e morën deputetët të cilët janë renditur krah Grupit të Rithemelimit.

Deputeti shpreh shqetësimin për një aleancë të mbajtur në heshtje dhe të paralajmëruar që prej ditës së djeshme prej tij.

“Mjerisht, në sallë po ndodh një aleancë e çuditshme, kryetarja e Kuvendit refuzon të plotësojë këtë detyrim që ka karshi meje si deputet kërkues i interpelancës dhe të më jap fjalën. Fjala shkon në mënyrë të çuditshme tek deputet që përfaqësojnë një grup opozitar, por jo grup të Partisë Demokratike. Dhe pavarësisht kësaj, duket se ka një aleancë për të mbajtur në heshtje atë që paralajmërova dje, kjo është një aleancë e heshtur në parlamentin e Shqipërisë mbi Kosovën dhe situatën e saj.”, tha Çollaku për gazetarët.

Ndërsa në seancën e sotme plenare Çollaku kishte kërkuar kryeministrin Rama në një interpelancë, ndërsa Kuvendi pritet të miratojë rezolutën për Kosovën, që dënon sulmin në Banjskë të kryer nga terroristët serbë më 24 shtator.

Sa i takon rezolutës së paraqitur, Çollaku thotë se është e varfër dhe e papranueshme që “në tekstin e rezolutës të Parlamentit të Shqipërisë, të pohohet ajo çfarë deklaron Vuçiç.”

“Është paraqitur një draft rezolutë për t’u votuar. Një rezolutë shumë e varfër, shumë minimaliste, ku dhe tek ky tekst, e thash dhe në sallë, ku dhe tek ky tekst dhe ju jeni gazetarë, ju lutem mund ta hulumtoni apo të pyesni kolegët e dy palëve të aleancës, qoftë Rithemelimin qoftë Partinë Socialiste. I referohet sulmit në datën 24 si një njësi terroristësh serb. Është pikërisht ajo çfarë thotë Aleksandër Vuçiç.

Aleksandër Vuçiç nuk e ka mohuar se kanë qenë serb që kanë sulmuar, por serb të Kosovës. Aleksandër Vuçiç mohon implikimin e Beogradit lidhur me këtë sulm. Dhe është e papranueshme që në tekstin e rezolutës të Parlamentit të Shqipërisë, të pohohet ajo çfarë Vuçiç deklaron, që janë terrorist serb, po, por Beogradi nuk ka lidhje se janë serb të Kosovës.

Këtë kërkon Vuçiç dhe këtë në mënyrë ose të painformuar, ose dashakeqe po inflirtohet edhe në tekstin e rezolutës të parlamentit të Shqipërisë. Dhe kjo është e papranueshme dhe ky tekst është i papranueshëm. Unë kam kërkuar futjen e tre amendamenteve të cilat do të përpiqen të rekuperojnë sado munden këtë tekst amorf, të pakuptimtë.

Nuk e di se si do të reagojë kryetarja e Kuvendit, shumica, sepse duket sikur ka një akordim të plotë midis shumicës socialiste dhe pjesës opozitare të Rithemelimit, për ta mbyllur këtë debat, për ta heshtur këtë debat dhe për të shkuar tek kjo rezolutë e pakuptimtë, e pangjyrë, e cila nuk gjen guximin as të opozitës serbe në Kosovë për të folur dhe për të akuzuar Vuçiçin.

Rezoluta e parlamentit tonë sot, ky tekst, ku I referohet njësive terroriste serbe pa thënë qartësisht, me zërin e Republikës së Shqipërisë, jo duke u fshehur pas Kosovës se dërguesi dhe drejtuesi politik I asaj çfarë ndodhi në veri të Kosovës është Aleksandër Vuçiç me një plan të qartë, aneksimin e veriut të Kosovës, ne s’kemi thënë asgjë, në rast se ky parlament sot nuk ka guximin të thotë dhe këtë.”, përfundoi Çollaku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re