Deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti në një intervistë për “ABC News” ka folur për ndryshimet në Kodin Penal për shkak të situatës nga koronavirusi.
Përmeti, tha për gazetarin Endri Xhafo se është dakord për masat e vendosura për parandalimin e COVID-19, por theksoi se masa e dënimit me burg është e tepërt.
“Kundërshtia ime është te dënimi me burg, nuk jam për mosrespektim të rregullave. Zgjidhja do të ishte që çdo person jo i infektuar që shkel karantinën të dënohet me masë administrative, gjobë dhe dënimi me burg të lihet për personat zyrtarisht të infektuar.
Personat zyrtarisht të infektuar nëse shkelin karantinën të dënohen me burg”, u shpreh Përmeti.
Më tej ai theksoi se kjo ndërhyrje në Kodin Penal nuk duhet të realizohej.
“Qeveria ka një ligj shumë të mirë, masat po zbatohen, por kjo ndërhyrje në Kodin Penal nuk duhet të bëhej. Kuvendi ka juristë shumë të mirë qoftë edhe nga mazhoranca, por përse duhet një ligj që dënon njësoj si një vrasje me dashje të vijë nga një mjeke. Të mos e çojmë pensionistin apo hallexhiun deri në burg. Ky është një ligj diktatorial”, u shpreh Përmeti.
Gjithashtu ai shpreh se ligji nëse kalo me procedurë të përshpejtuar do të kthehet nga Presidenti dhe do të vendoset kur pandemia të ketë mbaruar. Ky ligj nuk duhet fare. Kundërshtitë e mia për dënimin me burg, është i papranueshëm për këtë rast.