VALENTINA MADANI/ Tritan Shehu e konsideron regjim tipik lindor mënyrën se si Edi Rama po qeveris shqiptarët, të cilët i apelon për votë masive më 14 maj me qëllim rikthimin e demokracisë në vend.

Collage Maker-20-Apr-2023-07-52-AM-433

Përmes gazetës “Panorama”, z. Shehu shpreh shqetësimin se qytetarët do të paguajnë nga taksat e tyre për çdo arbitraritet të qeverisë. Deputeti i PD-së apelon se po cenohet media, prona, liritë, rruga evropiane, ndaj sipas tij po zbrazet Shqipëria. Tritan Shehu denoncon se regjimi i Edi Ramës e ka fytyrën nga Lindja në kundërshtim me aspiratat evropiane të shqiptarëve. Ndaj, deputeti i PD-së apelon qytetarët në mbarë vendin që me 14 maj ta ndëshkojnë me votë që mos të vazhdojnë që të paguajnë për çdo arbitraritet të kësaj qeverie.

Z. Shehu, çfarë po ndodh me Shqipërinë tonë? Pse njëshi, me pushtet absolut vazhdon të jetë i paprekshëm…?

“Njëshi” ose autokrati duket i paprekshëm. Kështu duken në pamje të parë të gjithë autokratët në botë, që në fakt i përkasin Lindjes. Ambienti i autokratëve është Lindja. Demokracia perëndimore, që është e vetmja demokraci, është e papajtueshme për ata. Autokrati i ynë nuk bën përjashtim. Ai ka instaluar një regjim autokratik, të lidhur me krimin apo më mirë me institucione të kriminalizuara e nën një korrupsion të madh. Një regjim me shkelje e deformime të thella të demokracisë, shkelje të të drejtave themelore të njeriut, të lirive, të votës, të pronës, të fjalës së lirë etj. Kjo është njëra anë që u jep “forcë”. Por në fakt, këta autokratë, edhe ky i yni, nuk janë të “pa prekshëm” si duken. Këta janë krejt vulnerabil e të pa fuqishëm përpara lëvizjeve popullore.

Aq më shumë kjo për Shqipërinë, që është vendosur në një ambient demokratik si anëtare e NATO-s, në procesin e anëtarësimit në BE etj. Prandaj dhe mobilizimi popullor kundër autokracive është thelbësor. Në mënyrë të veçanta tashmë kur jemi shumë afër ditës kur qytetarët shprehen me votën e tyre, me 14 Maj. Një arsye më shumë kjo për të konsideruar këto zgjedhje administrative jo si thjeshtë të tilla, por me reperkusione të gjera politike në Shqipëri. Si një përgjigje e goditje ndaj këtij regjimi, që duhet rrëzuar për të rivendosur demokracinë. Kjo votë me 14 maj është jo vetëm për të rivendosur parimet e të drejtat demokratike në vend, për të shpëtuar nga varfëria, denigrimi, por është shumë e rëndësishme edhe për procesin tonë evropian Shqipëria nuk ka të ardhme tjetër përveçse asaj evropiane. Ne jemi evropianë, jemi në rrënjët e Evropës.

Çdo opsion tjetër do të na degdiste nga Lindja, siç ka ndodhur me dy tragjeditë e mëdha historike për ne, atë gjatë pushtimit otoman e atë gjatë pushtimit komunist. Pikërisht këtu qëndron edhe një tjetër pasojë katastrofale e këtij regjimi. Ky regjim e autokrati i tij nuk e duan integrimin, se ambienti demokratik evropian nuk e pranon autokracinë. Prandaj po tentohet që “fytyra” e Shqipërisë të kthehet nga Lindja, ku autokratët mund të mbijetojnë. Mos të kemi iluzione, ky është një rrezik real përpara vendit tonë në këto çaste. Ai manifestohet me lidhjet e autokratit, modelet që ai ka e i referohet, deformimeve të thella të demokracisë, që kanë ndodhur të ne, sulmeve ndaj Brukselit, partnerëve etj. E deri te iniciativat, që ai përqafon siç është “Ballkani i Hapur” i Vuçiç, largimi nga Procesi i Berlinit etj. Pra kështu vendi po vendoset përsëri në një udhëkryq historik për të ardhmen. Vota e 14 majit është edhe për të rikonfirmuar rrugën tonë evropianë.

Pavarësisht skandaleve të shumta, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, mazhoranca socialiste vazhdon të qeverisë e patrazuar, as nga drejtësia e “pavarur”…?

Tipar ky i regjimeve, të cilët ndërtojnë edhe një sistem drejtësie në shërbim të regjimit. Siç ka ndodhur e po ndodh tek ne. Sepse regjimi korrupton, blen, kërcënon, bën presion, poshtëron, shtyp, njerëzit, drejtësinë, mediat etj. Mjafton të përmend këtu çështjen McGonigal për të kuptuar deri ku mund të arrihet korrupsioni. Veçanërisht këto metoda gjejnë terren në një vend të varfër si Shqipëria.

Në një vend ku akoma shpirti i lirë demokratik nuk ka “zënë rrënjë”. Ku akoma vazhdojnë mentalitetet otomane: sa më shumë populli të lihet në varfëri, të përbuzet, shtypet, aq më lehtë është t’i puthë dorën pashait apo sulltanit, që i bën këto të këqija. Në fakt, ata që aspirojnë ndryshe tashmë gjejnë një rrugë tjetër shpëtimi, braktisin vendin i cili po shpopullohet. Ky është një tjetër qëllim i këtij regjimi, të sundojë qoftë edhe mbi një milionë a më pak “skllevër”, ta shpopullojë atë. Dhe këtu ka vetëm një mjet për t’i dhënë fund këtyre fatkeqësive, pra regjimit, përgjigja popullore. Rasti është jo larg, 14 Maj!

A do të paguajnë shqiptarët edhe për tritolin në “Prestige Resort” apo ndaj “Becchetti”-t?

Pa dyshim shqiptarët do të paguajnë. Gjithmonë ata që paguajnë në këto raste janë qytetarët. Paguajnë pikërisht për arrogancën e regjimit, për atë që ai kërkon të shtypë fjalën e lirë, zërin e lirë, median e lirë. Paguajnë edhe për kohën që lejojnë regjimin të qeverisë. Dhe çmimi është shumë i lartë jo vetëm në nivel të drejtash por dhe në nivel financiar.

Këto që po ndodhin plotësojnë tablonë e një regjimi tipik lindor. Ngjarje të tilla si ajo me “Prestige Resort” për të kontrtolluar nje media te pavarur apo si ndodhi me Becchettin nuk ndodhin në Perëndim. E para se nuk të lejojnë ligjet, institucionet të ndodhin dhe e dyta sepse të kundërvihet edhe opinioni publik. Prandaj dhe ky regjim e ka fytyrën nga Lindja, në kundërshtim të plotë me interesat e aspiratat më të rëndësishme të shqiptarëve. Dhe prandaj ky regjim duhet ndëshkuar me votën e reagimin e njerëzve pas disa javësh.

Si e lexoni paralajmërimin e Kryeministrit Rama se Shqipëria do të dalë nga Gjykata e Arbitrazhit?

Rama në fakt dëshiron të na largojë sa më shumë nga Evropa, institucionet perëndimore e ndërkombëtare. Ato janë të pa pajtueshme për mentalitetin, aspiratat, interesat e tij. Kjo është e vërteta dhe kjo dihet. Çështja është, a do ta lejojnë shqiptarët akoma në atë rrugë ku ai kërkon të na degdisë? Kjo është dilema, që duhet të marrë fund në favor të interesave tona madhore kombëtare. Ndryshe gjërat do shkojnë shumë më keq. Deklarata për daljen nga Arbitrazhi është pjesë e këtij skenari dhe tentative.

Dalja nga ai institucion ndërkombëtar jo vetëm të largon nga drejtimi ku duhet të shkojmë, por veçanërisht për Shqipërinë ku nuk ka një sistem drejtësie solid e garant, do të ishte shkatërruese. Kjo do të thoshte të goditeshin edhe investimet e huaja, por dhe ato shqiptarë serioze, që kërkojnë një ambient të sigurt për tu zhvilluar. Do të ishte një goditje me pasoja katastrofale në imazh, politike e në ekonomi. Dhe përsëri këto gjoba e të tjera që lidhen me kontrata të bëra do të paguhen pa asnjë diskutim. Dëmi ekonomik është gjigand në këto raste, qindra milionë euro. Fatkeqësisht këto tashmë janë borxhe të mëdha, që bien mbi kurrizin e qytetarëve. Pra qytetarët do të paguajnë në çdo opsion arbitraritetin e qeverisë e Ramës. E vetmja gjë e mundshme pozitive, që duhet të ndodhe, është të detyrohet regjimi të paguajë pasojat, duke u goditur me votë dhe më tej duke u gjykuar nga drejtësia.

Pse gjithë ky mllef për të falimentuar produktin vendas? Në vend që të ndihmojë biznesin që të rritet, kryeministri e gjobit atë. Pse kjo filozofi e qeverisjes me dhunën e taksave?

Në fakt këtu kërkohet të goditet çdo gjë që nuk është e lidhur me interesat direkte të regjimit nga njëra anë e veçanërisht çdo gjë që perceptohet nga regjimi si kundërshtarë, apo që nuk pranon diktatin e tij antidemoikratik. Kjo edhe esenca. Përveçse mungesës së plotë të një vizioni ekonomik zhvillues, të përputhshëm për një vend demokratik me ekonomi tregu. Qëllimi final i regjimit nuk është mirëqenia e njerëzve e zhvillimi ekonomik normal, janë fitimet e regjimit e mbajtja e njerëzve të shtypur. Me arbitraritet, dhunë, presion e nën varfëri, kjo tipike për psikologjinë otomaniste. Për njerëzit as do t’ia dijë ky regjim. Ju besoj e keni konstatuar se nuk ka më asnjë investim të jashtëm serioz prej vitit 2014. Sepse të gjitha këto simit për të investuar.

Nga ana tjetër kemi një administratë jo vetëm të pa aftë, por dhe të korruptuar. Kompanitë serioze nuk mund të pajtohen me rregullat korruptive te asaj. Po t’i shtojmë kësaj tabloje dhe gjendjen e mjeruar të sistemit tonë të drejtësisë është e kuptueshme pse nuk investohet në Shqipëri. Dhe Rama kërcënon se do të dalë edhe nga arbitrazhi ndërkombëtare, me pasoja të pa parashikueshme kjo për vendin. Këtu hyn edhe cështja tjetër, ajo e mbushjes se buxhetit sado pak, në një kohë kur nuk ka zhvillim ekonomik të vërtetë, nuk ka investime prodhuese etj. Kërkohet të bëhet kjo prej rritjes së taksave e shtimit galopant, jo proporcional të borxhit të vendit, nëpërmjet kredive jo rentabël për profitet e tyre.

Mos harrojmë se dhe një pjesë e madhe e këtyre vlerave financiare bien pre e korrupsionit. Mjafton të shikoni këtu çmimet e investimeve, rrugëve etj që janë disa herë mbi ato realet e evropianet, mënyrën si “fitohen tenderit” etj., pikërisht për të përvetësuar vlera të mëdha financiare. Shikoni edhe PPP në shëndetësi apo gjetkë, korrupsion i vërtetë dhe bllokuese të sektorëve përkatës. Sepse mungon edhe një vizion afat gjatë zhvillimi e mendohet vetëm për çastin e përfitimet personale të një grupi njerëzish. Kështu pa dyshim vendi nuk zhvillohet, nuk mund të ketë një ekonomi reale, përkundrazi ajo degradon më tej e njerëzit gjejnë shpresë vetëm duke e braktisur Shqipërinë.

A janë të rrezikuara media, prona, liritë, rruga evropiane?

Pa dyshim, se këto elemente janë të lidhur me njëra tjetrën. Demokracia është shumë komplekse, me shumë kolona, në sinkron midis tyre. Njëra të çalojë, çalon i gjithë sistemi, preken të gjitha e lind së paku autokracia, siç po ndodh në vendin tonë. Prandaj dhe “operacioni” për ndryshim është shumë i gjerë, në radhë të parë politik.

Besoni se Reforma në Drejtësi do të rregullojë politikën…?

Broçkulla. Edhe reforma në drejtësi është pjellë e politikës. Një sistem politik jo demokratik, i korruptuar, nuk mund të prodhojë një sistem drejtësie ndryshe. Prandaj së pari këtu ndryshimet duhet të jenë politike, që më tej të çojnë në ndryshime pozitive të sektorëve. Dhe për të qenë më të qartë e konkret, ky regjim politik aktual ka falimentuar, është tjetërsuar nga qëllimi që duhej të kishte. Pra së pari duhet ndryshimi politik. Dhe këtë mund ta realizojnë vetëm qytetarët duke ju kundërvënë regjimit, luftuar për votën e lirë e më tej me votën e tyre të ndryshojë vendi. Po dyshim në këtë proces, në ballë duhet të jetë opozita jonë.

Por në këto kushte ku ndodhet opozita a është e gatshme që të përballet me Edi Ramën me 14 maj?

Unë mendoj se po. Tashmë PD-ja, se ajo është themeli i opozitës sonë, i ka këto mundësi. Ajo doli nga një “kënetë” ku notonte prej disa vitesh dhe ka reflektuar drejtë, edhe ndaj gabimit fatal të saj të dorëzimit të mandateve në Kuvend e tej për pasojë humbjen edhe të të gjithë pushtetit lokal. Është riorganizuar. Ka kaluar proceset e saj të brendshme nga seksioni më i largët e deri te zgjedhja e kryetarit Berisha. Ka realizuar “primaret” ku ka përcaktuar kandidatët për të gjitha Bashkitë. Nga ana tjetër, tashmë ne kemi përcaktuar edhe koalicionin elektoral për këto zgjedhje. Jemi një koalicion me PL, BDNJ, PDK e më gjerë në nivel kandidaturash për kryetar bashkish. PD prej vitit 2000 ka hyrë gjithmonë në zgjedhjet lokale në koalicione. Pra kjo është një praktikë e konsoliduar tashmë. Gjithmonë kur realizohen koalicionet ka arsye të forta që të shtyjnë atje. Sidoqoftë në këtë rast ka dhe arsye të veçanta. Ju e dini se jemi përballë një komploti për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve. Kjo u konstatua tek vendimi i Gjykatës së Apelit, të KQZ. Pra duhet tejkaluar ky moment i vështirë gjë që e bëri koalicionin edhe më shumë të detyrueshëm. Megjithatë edhe politikisht ky koalicion është krejt i justifikuar.

Në të bëjnë pjesë forca politike opozitare, solide. Bashkimi i të gjithë atyre që synojnë në përmbysjen e regjimit tashmë është një obligim për të gjithë ne. Kjo bën të lihen disa interesa të vogla e laterale e të përqendrohemi te qëllimi madhor, interesat e të gjithë shqiptarëve, fitorja mbi regjimin. Kjo prevalon në vendimin për këtë koalicion shumë të dobishëm e efektiv. Normalisht në këtë koalicion forca kryesore politike është PD e lideri i tij është Berisha. PD vetë si parti është e bashkuar, nga baza në qendër. Ajo kaloi një proces të plotë ristrukturimi të saj. Në grupin tonë parlamentar ka disa probleme që u reflektuan më tej. Në mënyrë cinike përçarëse, si mision aty është “paterica” e Ramës, që ai i ka varur një vulë në qafë e tenton të dezintegrojë PD-në. Fatmirësisht, ky përçarës i PD-së me uzurpim të simboleve po braktiset cdo ditë edhe nga ata individë, që e ndoqën në fillim, se për masën e PD as që bëhet fjalë.

Ajo është e vendosur qartësisht në pozicionin e saj natyral e opozitar. Ju e keni parë se ai nuk arriti të vendosë kandidatë “paterica bijëza” të Ramës as në 1/4 e bashkive. Dhe tashti edhe disa nga ata po i largohen e po i lënë “pendët”, se e kuptuan se po tentohej të keqpërdoreshin kundër interesave të demokratëve e të demokracisë. Pra kemi të bëjmë me vazhdimin e atij komploti për të cilin fola me sipër, kundër PD, por tashme i dështuar dhe i pa besueshëm edhe për njerëzit në tërësi. PD e koalicioni në tërësi hynë në këto zgjedhje administrative për të fituar. Për të dhënë një mesazh të qartë politik e realizuar kështu përmbysjen e këtij regjimi më tej. Janë të gjitha mundësitë, për këtë të bazuara në organizimin tonë, koalicionin real e të gjerë, vendosmëritë, kandidatët e alternativat më të mira të tyre, në lidershipin tonë me Berishën kryetar. Pa dyshim, kjo bazuar edhe në zullumet e mëdha të këtij regjimi si në qeverisjen qendrore ashtu e atë lokale. Këto bëjnë që edhe vështirësitë e krijuar nga “paterica” me disa bijëza të tij të tejkalohen me një mobilizim e impenjim total.

Ajo pjesë e PD që ju e quani “patericë” ka marrë së fundmi rreth 2 milionë euro nga buxheti, ndërsa ju asgjë?

Dy milionë euro janë ato të deklaruarat. Në fakt flitet edhe për shumë “tenderë” etj. Sidoqoftë lë të qëndrojmë të ai 2-milionshi. Blerja e ka një çmim! Ajo që po ndodh me ato fonde është pa dyshim një korrupsion i përmasave të mëdha. Politika duhet të ketë dhe ka moral. I jepen dikujt, që nuk ka struktura, as anëtarë, që edhe kandidatë nuk paraqet dot. I jepen së bashku me “vulën” e varur në qafë nga Rama edhe 2 milionë euro, dhe ai do të paraqesë disa “fatura” për ato. Turp i vërtetë ky. Një vepër jashtë çdo morali e të drejtë kjo. Një akt i vërtetë blerje në “merkaton” e politikës, shpërfytyrim i saj. Eshtë një vepër jashtë çdo standardi e imagjinate, që duhet të bëhet menjëherë objekt hetimi nga institucionet përkatëse si prokuroria, SPAK etj. Kemi të bëjmë këtu me një vjedhje të hapur, që lexohet qartësisht nga të gjithë, por të maskuar mbas një letër gjyqi. Në realitet mjafton ky fakt për të treguar sa i shtrembër e i motivuar nga padrejtësia ishte dhe ai vendim. Pra nuk mund të qëndrohet pasiv para këtij veprimi, që tregon deri ku ka rënë poshtë një shtet i tërë.

Atëherë, si do të përballoni këto akte kundër jush, me çfarë rezultati?

Me mobilizim, punë e vullnet. Me kandidaturat më të mira që kemi e idetë më të qarta e produktive që po paraqesim. Me mbështetje popullore. Unë gjykoj se tashmë ky regjim është në “shuarjen” e tij. Zullumi i krijuar, në kurriz të shqiptarëve, varfëria, papunësia, depersonalizimi i tyre, detyrimi për të braktisur vendin kanë arritur në pikën ekstreme. Pa dyshim përballë këtyre të këqijave qëndrojnë kandidatët tanë me vlera, që po paraqesin alternativat e tyre fituese kudo pranë qytetarëve për të ngritur një pushtet lokal për qytetarët. Prandaj të jeni të bindur që suksesi do të jete i yni, por jo vetëm. Kështu do të jetë i të gjithë shqiptarëve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re