VALENTINA MADANI/ Debatin e brendshëm në PD, Genc Pollo deri diku e shihte si interes publik por tashmë pas dy vitesh ish-ministri dhe ishdeputeti demokrat e konsideron ekzagjerim deri në instrumentalizim nga kundërshtari politik.

Në një situatë të tillë sipas tij publiku merr mesazhin se partia nuk e ka mendjen te populli por te vetja dhe në këtë mënyrë i heq besimin. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së thotë për gazetën “Panorama” se media e lirë, shoqëria civile dhe ndërkombëtarët luajnë një farë roli për të frenuar ekseset e abuzimet e pushtetit. Por, sipas Genc Pollos, është iluzion të mendosh se kjo mund të bëhet pa opozitën politike.

Z.Pollo! A është debati në PD-në zyrtare, lidhur me rikthimin ose jo të Lulzim Bashës në krye të partisë si i duhuri për shndërrimin e saj në opozitën që i duhet vendit?

GP: Shihni ju lutem Partinë Socialiste Austriake: aty prej 16 javësh zien sherri se kush do të bëhet kryetar dhe megjithë votimin në anëtarësi e kongres dhe zgjedhjen e kryetarit prapë sherri vazhdon akoma. Rezultati? Partia gjatë kësaj kohe ka rënë në sondazhe nga 33% në 18%. Kudo kështu ndodh. Publiku merr mesazhin se partia nuk e ka mendjen te populli, por te vetja. Dhe i heq besimin.

A i përgjigjet ky debat pritshmërive të demokratëve?

GP: Në Partinë Demokratike ky debat vazhdon prej dy vjetësh. Fillimisht e deri diku ishte interes publik. Pastaj ishte ekzagjerim. Pastaj ishte instrumentalizim (nga kundërshtari). Sot janë të paktë ata në media që duan të debatojnë situatën në Partinë Demokratike me ndershmëri intelektuale. Nëse nuk janë në shërbim të pushtetit po i bëjnë hyzmet klikimeve vuajeriste. Unë që herët i kam këshilluar kolegët e Partisë Demokratike (Foltores e më gjerë) të evitonim sa të mundnin këtë debat. Vetë i kam refuzuar ftesat për këtë çështje nga mediat. Jo se është çështje pa rëndësi; po debati konstruktiv e produktiv, pra, i vlefshëm, ndodh brenda demokratëve dhe opozitarëve dhe jo detyrimisht para kamerave.

Kujt i intereson më tepër copëzimi i Partisë Demokratike?

GP: Sa më lart lipset të shihet me regjimin kleptokratik në sfond. Media e lirë, shoqëria civile dhe ndërkombëtarët mundet deri diku të frenojnë ekseset e abuzimet e pushtetit. Por është iluzion të mendosh se kjo mund të bëhet pa opozitën politike. Pra, në kushtet tona aktuale është aritmetikë: dobësimi i opozitës shton kleptokracinë.

Sa ndikon në këtë rast rikthimi i Lulzim Bashës?

GP: Që Lulzim Basha të kthehet për të marrë një post politik udhëheqës është simptoma më e qartë a anormalitetit politiko-moral në Shqipërinë aktuale. Basha personalisht ka bërë veprimin më të pafalshëm politikisht e më të dëmshëm për demokracinë në tre dekadat e fundit: djegien e mandateve dhe bojkotin e lokaleve në 2019. Rezultati i opozitës në parlamentaret 2021 dhe në lokalet e 14 majit 2023 ishte jo pak pasojë e kuturisjes së Lulzim Bashës në vitin 2019.

Gjatë pluralizmit ka pasur edhe vendime politike të shumëkritikuara; le të kujtojmë vitet 1991, 1997 apo 14 shtatorin e 21 janarin. Por situatat në këto raste kanë qenë dramatike madje të dhunshme çfarë ka kushtëzuar edhe vendimet politike. Mund të kritikohen këto vendime por të shikuara jashtë kontekstit është si “i mençuri mbas kuvendit”. Kurse Basha me mandatet e bojkotin veproi si rrufeja në qiell të kaltër, i pashtrënguar nga rrethanat. Doli befas në konferencë shtypi një të diel pasdite dhe shpalli se kishte ndarë mendjen për mandatet.

Si i konsideroni insinuatat e Lulzim Bashës se pati presion nga Sali Berisha dhe Ilir Meta për mandatet?

GP: Sali Berisha e Ilir Meta kanë folur e kanë sqaruar rolin e tyre. Nuk ka dobi t’i rikthehemi. Por të supozojmë se insinuatat e Bashës janë reale. Përsëri kjo konfirmon çka thamë në fillim: se një njeri që bën një megazullum si ky, qoftë me mendjen e vet a qoftë me shtysën e të tjerëve, nuk është më i kualifikuar për post politik udhëheqës. Nuk jam nihilist total prandaj nuk them se ai në politikë nuk ka arritje pozitive; prandaj nuk them se Basha duhet syrgjynosur; mund të jetë një figurë publike e të gjejë mënyra të kontribuojë për shoqërinë por jo kurrsesi të mëtojë të bëhet drejtues politik.

A ka vend për reflektim, që PD-ja të jetësojë qarkullimin e elitave me qëllim që të rritet me zgjedhës të rinj që sot nuk i merr as Rama, as Berisha, as Meta?

GP: Mundësi për reflektim e reformim ka gjithmonë. Por kjo duhet të ndodhë fillimisht brenda opozitës. Qetësisht e qartësisht por brenda opozitës fillimisht. Ka dhe mënyra institucionale për t’ju qasur me efektivitet grupimeve social-ekonomike. Në Komisionin e Rithemelimit kam propozuar disa të masa të tilla që mendoj se janë të përshtatshme për kushtet tona dhe që në parti europiane simotra kanë qenë të dobishme. Por Komisioni i Rithemelimit nuk e pati këtë ambicie.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re