VALENTINA MADANI/ Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike e sheh me shqetësim, ndikimin politik dhe presionin e ekzekutivit mbi hallkat e drejtësisë. Z.Preçi thotë për gazetën “Panorama” se rezoluta e PS-së për ngritjen e një komisioni të posaçëm në Kuvend për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës synon të ruajë njëlloj paternalizmi apo pronësie politike mbi vetë Reformën në Drejtësi.

Sipas z.Preçi, kjo është një përpjekje për të dekurajuar veprimtarinë në rritje të SPAK-ut, sidomos tani që kjo agjenci është në përfundim të hetimeve të rëndësishme jo vetëm ndaj krimit të organizuar, por edhe për disa afera kryesore të eksponentëve të maxhorancës aktuale. Zef Preçi flet edhe për situatën abuzive me pronat e shqiptarëve, për të cilat ai shprehet se janë në duart e zyrtarëve të lartë të shtetit, eksponentëve të njohur të krimit të organizuar. Eksperti i njohur i ekonomisë shprehet se “strategjikët” me “ferman” të qeverisë po investojnë në “zhvillimin” e bregut të detit, duke injoruar interesat e ligjshme të pronarëve në emër të “interesit publik”.

Z.Preçi, a ka baza perceptimi në Shqipëri se ligji zbatohet vetëm ndaj të dobëtëve…?

Edhe në vendin tonë, ashtu si në botën përreth, zbatimi i ligjit ka evoluar që nga policia faresfisnore, dmth., nga situata kur një fis ose klan kontrollonte fisin e vet, te drejtësia me elementët e saj përbërës. Këta të fundit kanë mbartur strukturën, problemet, kulturën, modelet apo “vulën” e perandorisë, që ka sunduar trojet e paraardhësve tanë. Në periudhën pas vitit 1991 janë bërë përpjekje serioze për të sjellë elementët e botës demokratike në shoqërinë dhe shtetin tonë, elementë që lidhen me ndarjen kushtetuese të pushteteve, me krijimin e trupave përkatëse të prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve etj., si dhe të kuadrit përkatës institucional dhe ligjor mbi të cilën funksionojnë dhe ndërveprojnë këto trupa.

Thelbi i proceseve transformuese në sistemin e ligjzbatimit në vendin tonë gjatë tri dekadave të fundit duhet parë i lidhur me transformimin e një shteti ligjor – të mbështetur në ligje (i tillë ishte padyshim sistemi socialist) në një sistem të shtetit të se drejtës, dmth., në një sistem demokratik. Sfidat e proceseve transformuese, sidomos gjatë dekadës së fundit – reforma në drejtësi – përveç pandëshkueshmërisë së trashëguar, përfshijnë edhe zbatimin e ligjit kryesisht mbi të varfrit, të pambrojturit, individët më pak të arsimuar, më pak familjarë me jetën urbane dhe mënyrën se si funksionojnë komunitetet urbane, me nepotizmin, etj., dhe tolerimin në mjaft raste të shkelësve të ligjit nga bota e politikës, administratës, biznesit, etj.. Kështu që ky perceptim nuk është krejt pa baza, por besohet dhe shpresohet se kjo situatë do të ndryshoje me kalimin e kohës.

Janë të shumtë qytetarët që denoncojnë aferat korruptive dhe vjedhjet që bëhen nga pushtetarët. Pse korrupsioni është kaq prezent…?

Kjo pyetje më kujton një nga studimet e mia të rreth 15 viteve më parë. Fjala ishte për ankesat e qytetarëve në zyrën e Avokatit të Popullit për çështje të pronave. Rezultati ishte se më shumë se 50% e këtyre ankesave ishin në adresën e gabuar, dmth., padija juridike ishte në nivele shumë të larta, gjë që kam frikë se është ende shumë e lartë edhe sot e kësaj dite. Për më tepër që eksperimentet e dekadës së fundit të llojit “ngrij-shkrij” me institucione të rëndësishme si Kadastra, inspektoratet etj. kanë krijuar paqartësi deri te vendimi absurd që ndërpret çdo kontakt apo komunikim të qytetarëve me Kadastrën, duke lënë vetëm komunikimin elektronik, apo aplikimin e kontrollit vetëm dokumentar në procedura të rëndësishme siç është dhënia e lejes së shfrytëzimit për ndërtimet etj., kanë ushqyer padijen juridike te qytetarët dhe bizneset. Kështu që denoncimet e qytetarëve mbi aferat e dyshuara korruptive të administratës shtetërore dhe elitës politike qeverisëse të vendit mbeten kryesisht mediatike dhe mendoj se duhen trajtuar si sinjale të pakënaqësisë në rritje ndaj qeverisë, i padurimit të kuptueshëm për të pasur rezultate nga reforma në drejtësi dhe faktit se pavarësisht numrit në rritje të dosjeve penale në hetim nga SPAK-u dhe numrit të madh të zyrtarëve të dyshuar të përfshirë në afera korruptive, korrupsioni vazhdon të jetë gjerësisht i pranishëm në menaxhimin e fondeve buxhetore dhe të pasurive natyrore, emërimeve në administratën publike etj..

Kush po i vë “gurë nën rrota” reformës në drejtësi…?

Studime serioze tonat dhe të huaja flasin për shtim të numrit të tenderave të klasifikuar si problematikë (me flamur të kuq) në prokurimet publike, për vendimmarrje të qeverisë dhe Kuvendit të dyshuara si korruptive për interesa të ngushta biznesi, interesa të elitës politike deri edhe të segmenteve të krimit të organizuar, si dhe për përpjekje të individëve me pushtet e përfaqësim politik për të vendosur “gurë nën rrota” apo më keq akoma, për të ndikuar sadopak veprimtarinë e SPAK-ut në hetimin e zyrtarëve të lartë. Mungesa e bashkëpunimit me SPAK-un e shprehur nëpërmjet rënies drastike të denoncimeve në rrugë zyrtare e një numri të institucioneve përgjegjëse shtetërore, që zotërojnë informacione të rëndësishme mbi parregullsitë procedurale dhe aferat e dyshuara të zyrtarëve dhe të politikanëve dëshmon forcimin e kontrollit politik të maxhorancës qeverisëse mbi këto institucione, politizimin e skajshëm të tyre si dhe cenimin e dukshëm të ndarjes së pretenduar të pushteteve sipas Kushtetutës së vendit.

Ndërsa nxitimi për të krijuar një “komision të komisioneve” parlamentare në fund të mandatit qeverisës të maxhorancës aktuale, pavarësisht përshëndetjes nga faktorët ndërkombëtarë kontribuues në Reformën në Drejtësi, duhet të lexohet ashtu siç është: një përpjekje për të dekurajuar veprimtarinë në rritje të SPAK-ut, sidomos tani që kjo agjenci është në përfundim të hetimeve të rëndësishme jo vetëm ndaj krimit të organizuar, por edhe për disa aferat kryesore të eksponentëve politikë të mazhorancës aktuale. Krejt natyrshëm, institucionet ndërkombëtare sidomos SHBA dhe BE, kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë në favor të mirëqeverisjes dhe forcimit të sundimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, pavarësisht krahut politik që qeveris vendin.

Për fat të keq, edhe vetëm nxitimi për të ratifikuar së afërmi në Kuvend një rezolutë që kërkon ngritjen e komisionit parlamentar në fjalë pa asnjë reflektim të sugjerimeve institucionale të opozitës, përveçse synon të ruajë njëlloj paternalizmi apo pronësie politike mbi vetë reformën në drejtësi dhe mungesa e konsultimit përkatës edhe faktorë të tjerë, përveç opozitës në Kuvend, si institucionet kushtetuese të përfshira në luftën kundër korrupsionit, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, Presidenti i Republikës etj., etj., të çon në përfundimin se ky akt, thjesht politik dhe propagandistik, është një dëshmi më shumë e arrogancës qeverisëse, por edhe e dëmsjellëse ndaj veprimtarisë së SPAK-ut, që aktualisht është në ballë të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.

Shtimi i numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kërcënohen nga krimi i organizuar apo edhe nga segmente të politikës që bashkëjetojnë me këtë krim, mund të duhej ta shtynte maxhorancën të reflektonte në krahun e kundërt, dmth., në mbështetjen e kërkesave legjitime e modeste të kreut të SPAK-ut, të përsëritura edhe gjatë raportimit në Kuvend javën e shkuar për nevojën e qartësimit të statusit të prokurorëve dhe të gjyqtarëve të kësaj agjencie mbas mbarimit të mandatit aktual, për mbështetje më të madhe me burime financiare dhe njerëzore, për rritje të kërkesës së llogarisë së Kuvendit ndaj degëve të shtetit dhe agjencive shtetërore, që nuk bashkëpunojnë sa duhet me SPAK-n, duke filluar me vetë qeverinë dhe institucionet vartëse të saj si Tatimet-Taksat, Doganat, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, por edhe me ato të krijuara me ligj të veçantë si Banka e Shqipërisë, ILDKPI, Komisioni i Prokurimit Publik, Entet rregullatore etj..

Dëshmi e mungesës së drejtësisë është abuzimi me pronat, pamundësia e zotërimit juridik të pronës së trashëguar. Pse tjetërsohet prona?

Më pyete më lart në lidhje me zbatimin e ligjit. Në të gjithë historinë e njerëzimit, përballja midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, të moralshmes dhe pamoralshmes, midis interesave të komunitetit dhe interesave individuale etj., është e vjetër sa vetë shteti. E në këtë përballje çfarëdo dobësim i pushtetit dhe rritje e ndikimit të lobeve të biznesit në vendimmarrje dhe ligje-bërje; zbehje apo më keq akoma fshirje e ndarjes së pushteteve sipas Kushtetutës; rritje e kontrollit arbitrar të individëve në pushtet mbi fondet dhe pasuritë publike, mungesë e kulturës demokratike dhe pjesëmarrjes qytetare në qeverisje; humbje e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj qeverisë etj., sjell si pasojë pikërisht edhe situatën aktuale që ju përmendni: tjetërsimin e pronave të qytetarëve shqiptare, pamundësinë e zotërimit juridik të pronës së trashëguar.

Madje, situata aktuale prodhon edhe skena tragjikomike si shpërndarja nga qeveria e tapive të legalizimeve një dekadë më parë mbi toka të zaptuara publike dhe private, për të cilën paguhen disa qindarka, ndërsa fondi i kompensimit të pronarëve privatë ka arritur në disa qindra milionë euro e nuk dihet se deri kur do paguajnë brezat që vijnë koston financiare të mungesës së kontrollit mbi territorin dhe interesat elektorale të mbajtjes gjallë të procesit të legalizimeve.

Apo shpërndarja e tapive të shtëpive të banimit në një fshat të Himarës javën që shkoi nga Kryeministri Rama pa sqaruar se përse “strategjikët” me “ferman” të qeverisë së tij kanë shpronësuar pronarët e ligjshëm, trashëgimtarët që iu është rikthyer prona, po zaptuesit e periudhës mbas 1991 dhe po investojnë në “zhvillimin” e bregut të detit, duke injoruar interesat e ligjshme të këtyre të fundit.

Çfarë e ka penguar qeverinë gjatë dekadës së fundit për të përfunduar regjistrimin elektronik të pasurive të patundshme dhe dhënien fund deri edhe ligj të posaçëm të mbivendosjeve të prodhuara nga administrata përkatëse nën ndikimin e interesave politike, të biznesit dhe të krimit të organizuar?

Kur merret borxh publik në institucionet financiare ndërkombëtare për të paguar kontratat koncesionare dhe turllilloj investimesh publike deri edhe për shërbime satelitore (tashme të harruar), përse të mos përfundojë ky proces, që së bashku me censin janë fillesat e një qeverisjeje moderne, procese që bota ka më shumë se një shekull që i ka realizuar? Duke mos besuar në teoritë konspirative, unë nuk kam një përgjigje të prerë për këto pyetje, por mund të them me bindje se nëse cilado qeveri operon në një terren ku popullsia dhe prona janë të regjistruara, duke përfshirë edhe pronën shtetërore, edhe taksat mund të mblidhen më lehtësisht, edhe nevojat e përbashkëta social-kulturore plotësohen më kollaj duke i dhënë dinjitetin që meriton qytetari taksa-pagues dhe ky i fundit nuk ka nevojë të puthë dorën e kreut të qeverisë kur merr tapinë e shtëpisë, ku kanë banuar gjyqësisht dhe stërgjyshërit në shekuj…

Dmth., sistemi kapitalist bazohet gjerësisht në shenjtërinë e pronës private, në barazinë e pronës shtetërore dhe asaj private para ligjit, në punën e lirë dhe të drejtën legjitime të qytetarëve për të krijuar sipërmarrje private apo për të kontribuar në administratën dhe në shërbimet publike pa paragjykime për preferencën politike të tyre etj.. Çfarëdo injorimi apo më keq, braktisjeje e këtyre parimeve sjell një agresion të vërtetë të lobeve të biznesit, klientë të qeverisë dhe të oligarkisë mbi gjithçka publike, një pushtim dhe fryrje të administratës thjesht për të mbajtur sa më gjatë pushtetin, mbushjen e kësaj administrate me nëpunës mediokër e patronazhistë etj..

E sa për këta të fundit, që ironikisht në Shqipëri falënderohen të parët në çdo fushatë elektorale, duhet të kujtojmë që në vendin ku janë përdorur për herë të parë (SHBA) ky sistem është lënë pas gati dy shekuj më parë (1883) me Aktin Pendleton përmes të cilit u reformua shërbimi civil, u përcaktua zgjedhja konkurruese sipas aftësive për punësimin e nëpunësve civilë (meritokracia) duke hedhur bazat moderne të administratës shtetërore e duke i dhënë fund kështu përdorimit politik të saj si trofe elektoral.

Sa shqetësuese janë rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet? Kush po i mban peng pronarët e vërtetë?

Në arsyetimet ekonomike pranohet gjerësisht se çfarëdo largimi nga magjia e rregullimit përmes tregut, shndërrohet në një kosto mbi të gjithë shoqërinë. Kështu ndodh në lehtësirat fiskale, privilegjet në investime etj.. Shoqëria njerëzore, për interesa publike, për interesa të zhvillimit të vendit, me vetëdije bën edhe sakrifica të tilla, por gjithnjë për interesa publike. Nuk ndodhë kështu nëse përjashtimi nga rregulli mundëson pasurimin e një elite biznesi, të disa oligarkëve, apo më kaq akoma, të segmenteve të krimit të organizuar.

Kështu qe për t’ju përgjigjur më drejtpërdrejtë pyetjes suaj, në vlerësimin tim gjendja juridike e pronave në bregdet është një pasqyrë e frikshme e korrupsionit qeveritar, e interesave klienteliste të qeverive të pas vitit 1991, klientelizëm që gjatë dekadës së fundit ka evoluar deri në përdorimin e fuqisë së kartonëve në Kuvendin e Shqipërisë për të ndërmarrë akte ligjore që i kanë shndërruar këto prona në fusha investimi për “strategjikët” e qeverisë. Se cilët janë ata, sesa vende punë kanë hapur deri më sot në ekonominë tonë, apo sa të ardhura kanë sjellë në buxhet, përtej dhimbjes që u kanë shkaktuar pronarëve të ligjshëm, tashmë kjo është e qartë për opinionin publik.

Si mund të kthehet tek i zoti prona e përvetësuar padrejtësisht?

Në vlerësimin tim, gjatë periudhës pas vitit 1991, Shqipëria ka përkthyer, përshtatur dhe ratifikuar një kuadër ligjor bashkëkohor edhe në këtë fushë. Problem mbetet zbatimi i tij, e ndër të cilat edhe çështjet e zbatimit, është edhe kthimi në gjendjen fillestare i pronave të përvetësuara padrejtësisht.

E këtu fjala është jo vetëm për korrigjimet e vendimmarrjeve haptazi në kundërshtim me ligjin të institucioneve përgjegjëse shtetërore, por edhe për përdorimin e kompensimit financiar me vlerën e tregut kur kthimi në gjendjen fillestare i tokave dhe trojeve kërkon prishjen e ndërtimeve/bizneseve të ngritura mbi to. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe ngritja e një fondi të posaçëm financiar, që do të administronte burimet financiare të krijuara nga sekuestrimi i pasurive të përvetësuara në këtë mënyrë, etj..

Gjithnjë e më shpesh shohim që gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm përmes zvarritjeve apo vendimeve të tyre kanë dëmtuar pronarët e vërtetë, prona e të cilëve u është dhënë njerëzve të krimit ose zyrtarëve të shtetit…

Edhe pse raste të shkëputura, këto duhet të tërheqin fort vëmendjen e pjesës së shëndoshë e të pakorruptuar të institucioneve shtetërore ligjzbatuese, të SPAK-ut etj.. Të jemi të qartë: përpjekjet e segmenteve të caktuara të biznesit dhe elitës politike për pasurim të paligjshëm, si dhe të segmenteve të krimit të organizuar për të zotëruar pasuri të patundshme do të ekzistojnë gjithmonë.

Intensiteti i këtij fenomeni varet dukshëm nga rritja e ndëshkimeve të rasteve të evidencuara, rikthimi në gjendjen fillestare apo përdorimi për nevoja publike i aseteve të ndërtuara në to, pengimi me çdo kusht i rikthimit përsëri të pasurive të konfiskuara në duart e eksponentëve të krimit të organizuar etj.. Sa u takon zyrtarëve të shtetit që kanë përfituar toka, troje, resorte turistike, etj., në kushtet e konfliktit të interesit dhe në shkelje të ligjit, mendoj se nuk duhet të ketë diskutime.

Anulimi i privilegjeve të tilla të dhëna me akte zyrtare shtetërore, ashtu si dhe moskthimi në arkën e shtetit të pagesave të kryera përmes Thesarit të Shtetit janë dhe prova më e dukshme e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së elitës politike në procesin e afrimit të vendit me BE. Përndryshe rrezikohet të kompromentohet vetë reforma në drejtësi.

Si ndikon mungesa e klimës së favorshme tek investitorët e huaj?

Siç dihet, për thithjen e investimeve të huaja është e nevojshme një klimë e favorshme e biznesit, dmth., një mjedis ekonomik dhe profesional mbështetës. Këtu nuk është fjala vetëm për nivelin e inflacionit, legjislacionin tatimor, marrëdhëniet ndërmjet institucioneve financiare dhe bizneseve, por edhe për zbatimin e kuadrit ligjor mbi pronat, nivelin e korrupsionit në vend deri te qëndrimet politike ndaj bizneseve.

Mungesa e regjistrimit të pronave, paqartësitë në çështjet e pronësisë, çfarëdo përfshirje e klasës politike në favorizime apo në krijimin pengesave në lidhje me to, dhe aq më keq e segmenteve të krimit të organizuar e përkeqëson këtë klimë dhe bën që investitorët nga vendet demokratike, apo nga kompani me emra të njohur botërisht të qëndrojnë larg vendit tonë. Kështu që duke treguar mirëkuptimin maksimal ndaj ligjit për investitorët strategjikë, fakti i njohur publik që vetëm dy a tri prej tyre janë emra të huaj (jo kompani të llojit “brand name”) e kur nuk mungojnë edhe emra të botës së nëndheshme të krimit të organizuar, e komprometon tërë nismën në fjalë.

Cilat janë efektet e amendimeve në ligjin për investimet strategjike dhe zgjatjen e afatit të tij?

Efektet e amendimeve në ligjin për investimet strategjike dhe zgjatjen e afatit të realizuar së fundmi pritet të kenë ato efekte që kanë pasur prej vitit 2018 kur u miratua ligji bazë dhe mbas 13 ndërhyrjeve të mëvonshme mbi këtë ligj. Dmth., shtetëzime nga qeveria të pronave private gjoja në emër të “interesit publik” dhe dhënia e tyre disa privatëve të tjerë të ashtuquajturve “investitorë strategjike” që janë në fakt klientë të qeverisë, për fat të keq disa prej tyre zyrtarë të lartë të shtetit, eksponentë të njohur të krimit të organizuar të vendit dhe ndërkombëtar etj..

Pra, keqpërdorim të autoritetit të shtetit nga qeveria në emër të thithjes së investimeve të huaja duke shmangur gjykatat, klientelizëm dhe favorizim politik, përkeqësim të efektivitetit të përdorimit të burimeve natyrore publike dhe private në dispozicion dhe padyshim korrupsionin të mbështetur dhe të garantuar me akte ligjore. Ndërsa zgjatja e afatit mundëson futjen në treg, nën një mbulesë ligjore të klientëve të tjerë që do të vazhdojnë të njëjtën “punë”, duke përfshirë edhe angazhimin e fondeve buxhetore në sigurimin e energjisë, ujit, rrugëve të komunikacionit, etj..

Pse ka mosbesim të thellë ndaj drejtësisë? Çfarë e ka ushqyer mosbesimin ndaj saj?

Siç e thamë edhe më lart, kultura e pandëshkueshmërisë, e rrënjosur thellë gjatë gjithë periudhës pas vitit 1991 në mentalitetin e zyrtarëve dhe të politikanëve vendimmarrës të vendit, e kombinuar me mungesën e dijes mbi hapat procedurale të kërkimit të së drejtës nga individi e biznesi kanë ushqyer mosbesimin ndaj drejtësisë. Nuk e teproj të them se deri para 10-15 viteve në një përballje gjyqësore midis një privati dhe shtetit, midis një të varfëri dhe një të pasuri, midis biznesit dhe qeverisë, fitonte gjithnjë i dyti, dmth., shteti, i pasuri dhe qeveria.

Me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi, kjo situatë ka filluar të ndryshojë, duke mundësuar hap pas hapi ridimensionimin pozitivisht të rolit të sektorit privat, të barazisë ndërmjet qytetarëve, por mendoj se shqetësues vazhdon të jetë ndikimi politik dhe presioni i ekzekutivit mbi hallkat e drejtësisë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për SPAK-un, veprimtaria e të cilit ka shënuar rritje të qëndrueshme sidomos gjatë vitit të fundit, por edhe gjykatat në tërësi dhe Gjykatën e Posaçme në veçanti, numrin në rritje të dosjeve stok deri edhe në Gjykatën e Lartë, disa vendime të kontestueshme e të perceptuara publikisht si të ndikuara politikisht të Gjykatës Kushtetuese, etj..

Si i shihni hetimet për nxjerrjen para përgjegjësisë penale ndaj çdo shkelësi të ligjit, ndërkohë që SPAK ka në dorë dosjet e fshehjes së pasurisë, të korrupsionit të pushtetarëve dhe abuzimet me tenderët?

Si rregull, kur flet drejtësia, të tjerët heshtin. Kështu duhet të jetë edhe te ne. Ndërkaq, konstatimi është i vërtetë, por duhet të mbajmë parasysh e jo gjithçka mund të duhet të vijë nga SPAK-u, se me taksat tona mbahen me paga, me zyra e makina, e me privilegje të pafund mijëra zyrtarë të tjerë që kanë detyra specifike në administrimin e fondeve publike e të pasurive t shtetit, në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, dhënies së licencave etj..

Çfarë i pengon ata që të përmbushin detyrat sipas ligjit?

Mendoj se përveç mediokritetit e politizimit të njohur të disa drejtuesve të këtyre institucioneve, duhet rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kërkuar më shumë llogari për taksat, për mundin dhe djersën e tyre, për të marrë pjesë më aktive në qeverisjen e vendit duke kontribuar kështu për të jetuar në një republikë demokratike dhe jo në një “republikë prokurorësh”, të cilën askush nuk e dëshiron. Sa për dosjet e fshehjes së pasurisë, të korrupsionit të pushtetarëve dhe abuzimet me tenderët që janë në duart e SPAK-ut mendoj se përveçse pak më shumë durim për të pritur rezultatet e kësaj agjencie, duhet fuqizuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve me këtë agjenci në denoncimin jo vetëm mediatikisht e parimisht të pasurimit në rrugë të paligjshme të zyrtarëve dhe të politikanëve të lartë, por edhe konkretisht sipas procedurave ligjore përkatëse.

Dmth., cilido nëpunës shtetëror apo i biznesit që zotëron të dhëna, informacione apo evidenca të tilla mbi fshehje të pasurisë, aferave të korrupsionit të pushtetarëve si dhe mbi abuzimet me tenderët publike duhet t’i adresohet drejtpërdrejt SPAK-ut përmes rrugëve ligjore. Në këtë mënyrë do të korrigjohet edhe ajo shkëputje e trashëguar midis kontributeve në Tatime-Taksa dhe përfitimeve prej tyre, do të kontribuohet në hetimet në proces nga kjo agjenci, por edhe do të ndërtohet besimi i publikut ndaj saj. Kështu, edhe mosbesimi i derisotëm i qytetarëve ndaj shtetit do të vijë gradualisht duke u zvogëluar. Problemi i pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publikë nuk është një problem i ri dhe i panjohur në mjedisin shqiptar.

Ka qenë pikërisht z. Olsian Çela, kreu aktual i Prokurorisë së Përgjithshme, që qysh në vitin 2019 pati propozuar amendimin e Kodit Penal, duke shtuar një nen “për pasurimin e paligjshëm”, si vepër penale, gjë që do të përputhte legjislacionin e vendit me Konventën e OKB Kundër Korrupsionit (ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2006). Duke qenë se një amendim i tillë ligjor do të kontribuonte në rritjen e efektivitetit të punës së SPAK-ut dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese në vendin tonë, mbetet për të parë nëse komisioni i posaçëm i Kuvendit, që do të ngrihet pas miratimit të rezolutës javën që vjen, do ta përfshijë shqyrtimin e këtij amendimi, drafti i të cilit fle në sirtarët e Kuvendit prej pesë vitesh.

Pse është fuqizuar në Shqipëri krimi dhe korrupsioni?

Mendoj se kjo pyetje është shumëdinesionsionale, dmth., lidhet me situatën social-ekonomike dhe institucionale të vendit, me mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqëria jonë aktualisht etj.. Kështu, shtimi i varfërisë dhe thellimi i polarizimit social nxit rritjen e krimit të rastit, ndërsa përkeqësimi i performancës së qeverisjes krijon burime që ushqejnë korrupsionin dhe krimin e organizuar njëkohësisht. Unë nuk dua të besoj se jemi në këto kushte, por ajo që unë nuk kuptoj është se si ka mundësi që në administratën shqiptare ka ende shumë militantë pa tru e nëpunës eunukë, që të paguar nga taksat e qytetarëve, firmosin në shkelje të ligjit për pasurimin e shefave të tyre politikë, edhe se e dinë që në raste të tilla janë një hap larg ndëshkimit penal. Ndoshta në krijimin e situatave të tilla kanë ndikuar edhe disa dënime penale të ndonjë zyrtari a politikani, që është pasuruar në mënyrë të paligjshme, por që është ndëshkuar ose/edhe po ndëshkohet me disa muaj apo vite burgu…

Mendoj se dënime te tilla janë kundërproduktive, dmth., në vend që të edukojnë e ndërgjegjësojnë nëpunësit, i nxitin ata që të shkelin ligjin. Kjo sepse në mentalitetin e shumicës së qytetarëve, krijojnë një justifikim gjithsesi amoral të llojit “kosto-përfitime”, dmth., vuaj disa muaj ose vite burg në këmbim të miliona eurove biznese a pasuri që gëzon individi vetë dhe familja e tij, diçka që sipas meje, duhet te korrigjohet pa humbur kohë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re