20 të rinj e të reja mes atyre që aplikuan në platformën “Deputeti që Duam” ia dolën të zinin një vend në listat përfundimtare të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.

Kjara Adhami është një prej tyre, që kandidon në qarkun Gjirokastër, i cili në këto zgjedhje çon në Kuvend 4 mandate deputetësh.

27-vjeçarja nuk vjen nga jeta publike siç kemi parë shpesh njerëz që angazhohen në politikën aktive dhe as nga radhët e strukturave të Partisë Socialiste por ka një përvojë profesionale në Kryeministri ku nisi punë 5 vite më parë si studente ekselente e Fakultetit Ekonomik.

Përse një vajzë në këtë moshë fare të re zgjedh të merret me politikë?

Kjo është pyetja më e zakontë që më kanë bërë që prej ditës së parë që shpreha interesin në platformën “Deputeti që Duam” dhe e kuptoj deri diku përse habiten. Së pari sepse këtu vijon për fat të keq një lloj inercie sikur politika është kryesisht vetëm për më të rriturit. Së dyti sepse është rritur apatia e rinjve karshi politikës. Fatmirësisht unë nuk bëj pjesë te ata të rinj që besojnë se është më mirë t’i qëndrojmë larg politikës dhe as nuk mendoj se detyrimisht politikbërja iu duhet lenë në dorë vetëm atyre që janë në një nivel të caktuar moshe. Politika është vokacion. Partitë dhe Parlamenti duhet të jenë reflektim i shoqërisë. Sa më shumë të rinj në Parlament aq më mirë do të jenë të përfaqësuar interesat e tyre. Platforma që publikoi PS-ja ishte një mundësi shumë e mirë për ata që donin të sprovonin veten përballë një sfide jo të lehtë. Edhe pse fillimisht isha skeptike, vendosa të aplikoj dhe ja ku jam sot në listë mes shumë emrave të tjerë që do të kërkojnë votëbesim nga shqiptarët.

Cili është formimi juaj arsimor dhe profesional?

Unë kam kryer studimet për Informatikë Ekonomike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Më pas po në atë fakultet përfundova një Master për Siguri Informacioni. Nisa punë në Kryeministri te Departamenti i Jetësimit të Prioriteteve, ku jam marrë kryesisht me reformën në energji, formalizimin e pronësisë mbi tokën bujqësore, reformën e ujit të pijshëm, si dhe ndjekjen dhe çuarjen përpara të çështjeve prioritare në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Po kështu kam punuar për hartimin e planit të masave për qeverinë shqiptare lidhur me Shengenin Ballkanik. Një moment sfidues nga ana profesionale ishte përfshirja në grupin e punës për hartimin e raportit të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Albania Post-Disaster Needs Assessment (PDNA), i cili u prezantua në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, ku Shqipëria ia doli të siguronte një mbështetje të jashtëzakonshme. Konkretisht në atë grup pune unë kam qenë drejtuesja e ekipit të vlerësimit të dëmeve, humbjeve dhe nevojave të sektorit të turizmit, si dhe kam asistuar ekipin e vlerësimint të sektorit të edukimit dhe impaktit njerëzor të asaj katastrofe natyrore.

Përse zgjodhët të kandidonit në qarkun Gjirokastër ku mundësitë që të fitoni janë të vogla sepse ky qark çon në Kuvend vetëm 4 deputetë dhe për më tepër që ju nuk jeni në pozicion të favorshëm në listë?

Do të ishte më e lehtë nëse kandidoja në Tiranë ku edhe jam lindur dhe banoj, por kam zgjedhur të rikthehem në qytetin tim të origjinës, Përmetin, aty ku të parët e mi kanë dhënë një kontribut të madh që prej viteve 1920 në fushën e mjekësisë dhe drejtësisë. Madje edhe stërgjyshi im ka qenë i përfshirë në politikën e kohës. Unë kam një lidhje të fortë shpirtërore me Përmetin prandaj zgjodha pa asnjë hezitim të kandidoja në këtë zonë. Ishte plotësisht zgjedhja ime dhe jam e bindur që kam marrë vendimin e duhur. Ka një avantazh në këto zgjedhje, që vota shkon edhe për kandidatin. Unë synoj të marr më të mirën nga kjo garë dhe sigurisht të jap të gjithë kontributin tim kundrejt Partisë Socialiste që besoi te unë.

Pse duhet t’ju votojnë juve në Përmet dhe jo një kandidat tjetër qoftë dhe nga radhët e Partisë Socialiste?

Fakti që jam me origjinë nga Përmeti dhe kam një lidhje të veçantë shpirtërore me këtë qytet, besoj se është një premisë e mirë dhe një garanci më tepër për të qenë përfaqësuesja që iu duhet në Kuvend, për të adresuar shqetësimet e tyre dhe për të punuar për ta. Përmeti është një zonë e bekuar nga natyra, me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit, me njerëz punëtorë e të paqtë që kanë ditur gjithmonë të jenë modele suksesi. Unë dua të punoj me këta njerëz për Përmetin e dekadës së re. Dua të punoj me të rinjtë, që ata ta shohin Përmetin të ardhmen e tyre. Sot kam vetëm fjalën përmes së cilës kërkoj besim, besim për të hapur së bashku një kapitull të ri për Përmetin, qytetin që siç thonë i ka të gjitha përveç detit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re