VALENTINA MADANI/ Me vetëdijen se gara e 11 majit këtë herë është më e ashpër, ku konkurrenca brenda PS-së është më e fortë, kandidati për deputet në listë të hapur për qarkun e Tiranës, z.Fatmir Xhafaj, kërkon një mandate të ri në Kuvendin e ardhshëm.
Në intervistën ekskluzive për gazetën “Panorama”, zoti Xhafaj flet mbi situatën parazgjedhore, sfidat e garës në listë të hapur, objektivat elektoralë, rolin e SPAK-ut, opozitën dhe misionin për një mandat tjetër qeverisës. Me një karrierë të gjatë si ligjvënës, ish-ministër dhe drejtues i Reformës në Drejtësi, z.Xhafaj thekson se kjo garë është mbi të gjitha një kontratë e drejtpërdrejtë besimi me qytetarët, ku krahas programit elektoral të PS-së për integrimin evropian si projekt kombëtar, ai parashtron përpara zgjedhësve 5 angazhimet e tij personale për mandatin e ri.
Z.Xhafaj, si e shikoni situatën parazgjedhore, ndërkohë që 11 maji po afron…?
Fushata ka hyrë në një fazë intensive. Ka një ritëm të lartë takimesh, është impenjative dhe kërkuese, por gjithsesi po zhvillohet në një klimë të qetë. Ndjehet një energji pozitive dhe një përfshirje e gjallë e qytetarëve. Kjo përbën një tregues të shëndetshëm për demokracinë dhe maturimin politik të shoqërisë sonë. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në këtë fushatë është rritja e ndjeshme e vetëdijes politike të qytetarëve. Ata janë më të qartë në kërkesat dhe pyetjet e tyre, më të interesuar për përmbajtjen e ofertave dhe jo vetëm për retorikën politike. Flasin për çështje konkrete, për politika sociale, për standarde, për integritet, për atë çfarë kërkojnë nga një deputet — dhe kjo është shumë inkurajuese.
Në këtë kuptim, unë kam zgjedhur të jem në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke ndarë jo vetëm programin politik të PS-së, por edhe angazhimet e mia personale publike për mandatin e ri parlamentar që kërkoj. Ndërsa hyjmë në javën e fundit të fushatës, ky është momenti për të kapitalizuar gjithë këtë energji, për të thelluar kontaktin me njerëzit dhe për t’i ftuar që të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes me votën e tyre më 11 maj. Vota është mjeti më i fuqishëm i çdo shtetasi për të ndikuar në drejtimin që merr vendi dhe është një e drejtë kushtetuese që duhet përdorur me shumë përgjegjësi.
Çfarë do të thotë për Fatmir Xhafajn që të garojë në listën e hapur në qarkun e Tiranës?
Të garosh në listë të hapur, sidomos në një qark të madh si Tirana, është një sfidë më vete, por edhe një mundësi e vlefshme për të komunikuar më drejtpërdrejt me qytetarin. Personalisht nuk është hera e parë që përballem me një sistem që kërkon legjitimitet individual — kam garuar më parë edhe në sistemin mazhoritar, ku kandidati përballet ballë për ballë me kandidatin tjetër, ndaj e njoh mirë logjikën e një gare që mbështetet mbi besimin personal dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me zgjedhësin. Sistemi i listave të hapura në thelb rrit peshën e votës së qytetarit për të zgjedhur jo vetëm forcën politike, por edhe përfaqësuesin konkret që ai ndjen më afër vetes. Ky sistem më vendos përpara një përgjegjësie dhe sfide të dyfishtë: nga njëra anë duhet të mbroj dhe të maksimizoj rezultatin elektoral në zonën ku jam i deleguar dhe nga ana tjetër, duke qenë se vetëm votat e njësisë nuk mjaftojnë për të dalë deputet, të jem prezent e i angazhuar në të gjithë territorin e qarkut të Tiranës, që është jo vetëm më i madhi në vend, por edhe më kompleksi për nga larmia e problematikave dhe dinamika sociale.
Ky është një angazhim i madh, që kërkon energji, përkushtim dhe mbi të gjitha, një qasje aktive në komunikimin me qytetarët si dhe një dialog të hapur me zgjedhësit mbi idetë, vizionin dhe angazhimet konkrete si të PS-së, ashtu edhe ato personale, për një mandat të ri që nuk synon thjesht një ulëse në Kuvend, por një rol efektiv në përfaqësim dhe përmbushjen e një misioni të karrierës sime politike për çuarjen deri në fund të reformave dhe betejave të nisura, që na çojnë pranë familjes europiane. Në këtë kuptim, lista e hapur më sfidon pozitivisht: më detyron të jem më pranë qytetarëve, më i drejtpërdrejtë në ofertën politike dhe më i përgjegjshëm për atë që do të marr angazhim për të bërë nesër.
Sa e ashpër është këtë herë lufta brenda llojit? A ka nxitur lista e hapur përplasje mes kandidatëve në PS?
Konkurrenca është pjesë e natyrshme e jetës dhe karrierës politike. Ajo e bën procesin më kuptimplotë, dinamik dhe është një ushtrim i vazhdueshëm përmirësimi dhe ripërtëritjeje. Ndaj, këtë lloj gare e shoh pozitivisht, sepse na motivon të punojmë më shumë dhe të jemi edhe më të përgjegjshëm ndaj nevojave dhe sfidave reale që ka sot vendi dhe qytetarët. Në fund të ditës, të gjithë punojmë për të njëjtin objektiv: fitoren e Partisë Socialiste dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Të jem i sinqertë, më qëllon që të shoh e të dëgjoj për disa veprime të ndonjë kandidati ndër ne, që është duke bërë të pamundurën e me çdo mjet për të bërë sa më shumë vota, qoftë edhe duke shkelur disa parime etike dhe më vjen keq për ta.
Sipas meje, thjesht kanë gjetur rrugën e gabuar për vete dhe për ekipin. Avazin e kësaj muzike të keqe do ta ndjejnë shumë shpejt besoj. I keqardhur të them se nuk kanë kuptuar gjë dhe as kanë nxjerrë ndonjë mësim nga çfarë ka ndodhur e është duke ndodhur në këtë vend. Personalisht jam kujdesur që në veprimtarinë time me kolegët të mos ketë dukuri të tilla dhe as që mund ta mendoj këtë. E kam orientuar aktivitetin tim elektoral në një garë idesh, përvojash dhe angazhimesh personale në komunikimin tim me qytetarët. Ky është i vetmi fokus imi në këto momente.
Kush janë mbështetësit tuaj në këtë garë elektorale?
Pika ime më e fortë edhe në këtë garë është ajo çfarë unë përfaqësoj dhe çfarë realisht kam bërë në karrierën e deritanishme politike dhe institucionale. Besoj se kauzat që kam zhvilluar e mbrojtur, rezultatet dhe përkushtimi për t’i arritur ato janë pasaporta ime më e mirë elektorale. Ndaj edhe mbështetja ime më e madhe është nga zgjedhësit e mi me të cilët kam ndërtuar marrëdhënie të besimit gjatë këtyre viteve dhe për të cilët kam marrë angazhimet e mia gjatë shërbimit tim parlamentar dhe në detyra të posaçme. Jam përpjekur të jem pranë tyre, t’i dëgjoj, t’i përfaqësoj me ndershmëri dhe seriozitet. Po ashtu, kam mbështetjen e shumë profesionistëve, aktivistëve dhe strukturave të PS-së që ndajnë të njëjtat vlera me mua.
Pjesë e votuesve të mi janë gra dhe burra, të rinj e të reja, intelektualë e sipërmarrës të ndershëm, pa harruar dhe veteranët e së majtës. Sigurisht që kjo nuk ka ndalur që përgjatë rrugëtimit tim politik dhe komunikimit të drejtpërdrejt me qytetarët kam krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim konkret edhe me grupe të tjera të interesi, pjesë të shtresës së mesme, grupeve të margjinalizuara dhe votuesve të zonës gri me të cilët ndaj angazhime dhe zotime përmes argumenteve realiste mbi përfaqësimin e tyre në Parlament dhe në jetën politike shqiptare, duke mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, sikundër të çdo shtrese dhe qytetari shqiptar.
Cilat janë synimet e tuaja, konkretisht edhe të PS në Tiranë?
Krahas arritjes së objektivave elektoralë për maksimizimin e votës në Njësinë 10 ku jam dhe i deleguar dhe votës së PS në tërësi në të gjithë qarkun, qëllimi tjetër dihet. Të jem fitues edhe në këtë garë dhe të vazhdoj të çojë përpara misionin tim parlamentar dhe atë të jetë sime politike përmes përmbushjes së disa prioriteteve e angazhimeve, që tashmë i kam bërë publike në komunikimin tim me zgjedhësit. Nëse do të flasim për mandate, ne e kemi qartë objektivin tonë, i cili përkthehet në 19+ mandate në Tiranë dhe ky është një synim realist, mbështetur nga të dhënat tona të terrenit.
Ju keni dalë në faqet tuaja zyrtare me 5 angazhime personale për këtë mandat të ri? Cilat janë ato dhe pse këto prioritete?
Në këtë mandat të ri kam dalë me pesë angazhime personale, të cilat i konsideroj thelbësore për të kontribuar aktivisht dhe çuar përpara disa prej sfidave më të rëndësishme të shoqërisë sonë. Këto prioritete janë zgjedhur jo vetëm mbi bazën e përvojës dhe misionit tim politik, por edhe si përgjigje ndaj nevojave reale të qytetarëve dhe pritshmërive të tyre për një Shqipëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar.
Së pari, prioriteti im kryesor lidhet me domosdoshmërinë jetike për konsolidimin e Reformës në Drejtësi. Kjo është një betejë që duhet çuar deri në fund, sepse drejtësia është themeli i çdo shoqërie demokratike. Reforma kërkon vazhdimësi, vendosmëri dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe atyre shtetërore, duke ruajtur fondamentet kushtetuese të projektit të Reformës në Drejtësi dhe reflektuar më mirë në rekomandimet e BE-së për të arritur standarde europiane në drejtësi. Qëllimi është të garantojmë një sistem të pavarur, efikas dhe të besueshëm, ku integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve të jetë i padiskutueshëm dhe ku qytetarët të kenë akses të barabartë dhe të shpejtë në drejtësi.
Së dyti, është angazhimi për vazhdimësinë e projektit parlamentar per nje qeverisje me te mire permes perpjekjeve te panderprera per parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit te ligjit edhe në funksion të ambicies sonë të madhe – Shqipëria 2030 në BE! Një administratë publike e përgjegjshme dhe transparente është thelbësore për besimin e qytetarëve. Kjo nënkupton kontrolle të thelluara, monitorim të vazhdueshëm, rritje të llogaridhënies dhe masa të rrepta ndëshkuese ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Për mua, ndjenja e përgjegjësisë dhe profesionalizmi i çdo punonjësi publik janë të panegociueshme.
Së treti, një tjetër angazhim i imi për këtë mandat është reformimi dhe mbështetja për profesionet e lira me fokus avokatin, ndërmjetësimin, noterin, përmbarimin e të tjerë, si mekanizma të rëndësishme në cilësinë e perfaqesimit dhe mbrojtjes se interesave, lirive dhe te drejtave te qytetarëve! Këto kategori kanë nevojë për një vëmendje të shtuar, ndaj synoj të angazhohem në përmirësimin e kuadrit rregullator, të lehtësojmë procedurat dhe të konsolidojmë bazën fiskale, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e tyre profesional dhe ekonomik. Kjo do të thotë më shumë mbrojtje ligjore, më shumë mundësi dhe më shumë dinjitet për këto profesione dhe profesionistët e rinj të këtyre fushave.
Së katërti, mbështetja për të rinjtë dhe familjet e reja është një tjetër shtyllë e angazhimeve të mia publike. Besoj se e ardhmja ndërtohet mbi investimin te brezi i ri përmes promovimit të gjeneratave të reja në politikë dhe karrierën profesionale, me fokus mbështetjen ligjore dhe financiare për familjet e reja! Ndaj do të punojmë për krijimin e programeve konkrete si nisma për “Garancinë Rinore” që garantojnë punësim, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo përfshin edhe mbështetje financiare për familjet e reja përmes mbështetjes për krijimin e “Fondit Social për Familjet e Reja”, që synon të ofrojë më shumë siguri dhe perspektivë në vendin e tyre.
Së pesti, kujdesi për “moshën e artë” është një angazhim që e ndjej thellësisht dhe si pjesë të detyrimit shoqëror e veçanërisht të politikës ndaj kësaj grup-moshe. Të moshuarit tanë meritojnë më shumë se premtime; ata meritojnë mbështetje të prekshme, permes advokimit per nisma për fonde solidare dhe nje kuadri ligjor te posac’em per mosherim me dinjitet! Gjithashtu, ne duhet t’u ofrojmë atyre mundësi për të kontribuar aktivisht në komunitet, duke vlerësuar përvojën dhe aftësitë e tyre. Kjo është mënyra më e mirë për të treguar respekt dhe mirënjohje për sakrificat e tyre. Për mua, angazhimi politik ka kuptim vetëm kur shoqërohet me rezultate konkrete dhe me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve.
Para 4 vitesh, edhe pse në listë në hapur i renditur i 23-i, me votat personale të mbledhura, thyet herësin dhe fituat mandatin e deputetit, por 2025-a nuk ka hers, nuk ka një tavan, por ka më shumë konkurrencë të brendshme. Çfarë e ndikon fitoren tuaj…?
Siç u shpreha edhe më lartë, ndryshe nga 2021, në këto zgjedhje konkurrenca është më e madhe, pasi çdo votë vlen përtej kalimit të një pragu, siç ishte thyerja e herësit në zgjedhjet e kaluara. Në 2021, suksesi im ishte rezultat i një pune të gjatë me komunitetin, i një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe i një angazhimi të sinqertë përmes prezantimit të disa prioriteteve si ligjvënës për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. Për 2025 kam thelluar këtë qasje me prioritete të reja dhe vazhdimësinë për të konsoliduar misionin tim parlamentar për të përfaqësuar qytetarët: jam përpjekur të jem edhe më pranë njerëzve, të dëgjoj më shumë, të jem më i qartë në premtime dhe angazhimet publike. Besoj se fitorja varet nga lidhjet që krijohen me qytetarët, nga serioziteti i angazhimeve personale dhe besimi që ndërtohet për të përfaqësuar interesat e tyre. Çdo votë është e rëndësishme, çdo votë bën ndryshim dhe personalisht jam i vendosur të vijoj të jem një zë i fortë dhe i besueshëm për qytetarët në Kuvend, duke çuar përpara çështjet që ata i konsiderojnë me prioritet dhe duke u angazhuar për politika konkrete, që ndikojnë realisht në jetën e tyre të përditshme.
Çfarë gjurmësh kanë lënë goditjet e SPAK në PS…?
SPAK nuk godet brenda PS-së dhe as ndonjë partie tjetër. Kjo është një qasje shumë e gabuar, që fatkeqësisht e dëgjoj shpesh në diskursin mediatik dhe jo vetëm. SPAK është një strukturë e posaçme (Prokuroria e Posaçme + BKH), të cilën Kushtetuta e ka ndërtuar për një funksion të posaçëm ligjor: luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta zyrtarësh. Kushtetuta e detyron atë të qëndrojë jashtë partive politike dhe të mos përfshihet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye në problemet e tyre të brendshme. Kjo do të ishte një gjë e gabuar dhe e ndëshkueshme. E është fakt që SPAK ka sjellë një dimension të ri përgjegjshmërie në shoqëri para së gjithash, por edhe në politikë, nëse dëshironi ta quajmë kështu. Me këtë funksion dhe me disa rezultate të prekshme, këto institucione të reja e të posaçme të drejtësisë penale (GJKKO dhe SPAK) i kanë dhënë një goditje të fortë fenomenit të pandëshkueshmërisë. Gjithashtu, në vlerësimin tim ka rritur ndjeshmërinë për integritetin, transparencën dhe vetëpërmirësimin institucional. Është një sinjal që Reforma në Drejtësi po jep rezultat. Ne të gjithë duhet të kujdesemi që ky sinjal të forcohet e konsolidohet në kulturën tonë politike, institucionale e shoqërore, pasi kjo do ta bëjë shtetin dhe vetë shoqërinë tonë më të drejtë dhe më me integritet.
A ka të drejtë opozita kur akuzon mazhorancën se ka tentativa për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve më 11 maj?
Në konstatimin tim, por edhe nga sa kemi parë në daljet publike të institucioneve ligjzbatuese përgjegjëse për këtë fushë, nuk rezulton të ketë pasur raste flagrante të përmasave shqetësuese të tjetërsimit të votës, përveç se ndonjë rasti sporadik. Këto janë thjesht akuza politike, pa prova dhe me qëllim për të delegjitimuar një proces, ku opozita vetë ka munguar sistematikisht. Ne jemi të angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucionet e pavarura që garantojnë integritetin e procesit dhe me shprehjen e qartë për një proces me standarde të larta demokratike. Le t’i lëmë institucionet të bëjnë punën, pa i cenuar në ushtrimin e detyrës së tyre. Shpresoj që tentativat e ulëta nga çdo forcë politike për të baltosur procesin të mos të jenë mesazhi paralajmërues për justifikimin e humbjes së radhës.
Kush e ka peshën kryesore në parandalimin e krimit zgjedhor?
Të gjitha institucionet, duke nisur nga institucionet e drejtësisë, ku prokuroritë e rretheve mbajnë një peshë të madhe. Sigurisht, institucionet e reja të drejtësisë e institucionet ligjzbatuese janë një vlerë e shtuar për procesin, por edhe vetë ne, partitë politike. Ne kemi përgjegjësinë të mos tolerojmë abuzime dhe të bashkëpunojmë me organet përkatëse për çdo rast të dyshuar. Por në fokus të qëllimit kryesor të gjithkujt besoj se duhet të jetë parandalimi i fenomenit që ai të mos ndodhë dhe që vota e lirë të mos tjetërsohet dhe të respektohet si e shenjtë.
Sa alarmante është përfshirja e elementit kriminal në zgjedhje?
Çdo rast i tillë është i papranueshëm dhe duhet ndëshkuar. Reforma në Drejtësi ka rritur pritshmëritë për një pastrim të hapësirës publike, përfshirë politikën dhe zgjedhjet nga ndërhyrjet e individëve dhe strukturave që e kriminalizojnë procesin zgjedhor. Pikërisht kjo është edhe arsyeja kryesore përse është përfshirë SPAK në këtë proces me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor.
Pse Kryeministri Edi Rama gjatë gjithë kësaj fushate elektorale po luan fort me kartën e integrimit në BE?
Integrimi evropian është ëndrra dhe shpresa kryesore e çdo shqiptari kudo që ai ndodhet. Një gjë e merituar për ta. Ndaj ky do të duhej të ishte edhe kauza e objektivi madhor i çdo force politike, në qeverisje apo në opozitë qoftë. E papranueshme, jashtë çdo logjike politike e interesi kombëtar që një forcë politike si PS të synojë ta shtyjë përpara këtë proces dhe nga ana tjetër lidershipi i një pjese të opozitës, ai i PD të tentojë ta pengojë atë me çdo mjet! Janë krejt të papranueshme disa deklarata të tyre antikombëtare në këtë aspekt. Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar, që prek jetën e çdo shqiptari. Është një garanci për reforma të thella dhe për një të ardhme më të sigurt dhe të drejtë për vendin. PS ka qenë lokomotiva e këtij procesi në gjithë këto vite dhe është legjitime që ta vendosë në qendër të fushatës dhe ta konsiderojë atë objektivin kyç për një mandat të ri qeverisës.
Si e shikoni rezultatin zgjedhor të 11 majit? Cilat janë pritshmëritë e PS-së?
Jemi shumë optimistë, por njëkohësisht dhe realistë. Pritshmëria është për një fitore bindëse, që do të konfirmojë mbështetjen e qytetarëve për reformat dhe vazhdimësinë e tyre, për drejtësinë sociale dhe zhvillimin e vendit, si dhe për përmbushjen e projektit europian – Shqipëria 2030 në BE. /Gazeta Panorama