VALENTINA MADANI/ Gazment Bardhi fton qytetarët që më 11 maj të votojnë PD-në, pasi sipas tij, çdo votë për të vlen. Kandidati për deputet tregon për gazetën “Panorama” se çfarë u zgjidh shqiptarëve vota me nr.1.

Bardhi shprehet se “Vota për numrin 1, për PD-në, do të thotë votë për një qeverisje që përmirëson standardin e jetesës, rrit pagat, investimet, pensionet, ul taksat, ndihmon të rinjtë për hapjen e bizneseve të reja, rikthen cilësinë në arsim dhe shëndetësi”.

Gazment Bardhi apelon se qeveria duhet ndryshuar me votën e çdo shqiptari, që ka të parën familjen dhe jo partinë. Bardhi flet për problematikat e hasura gjatë fushatës, se si do të mbrohet vota e shqiptarëve dhe ambicien e opozitës për të qeverisur vendin pas 11 majit.

Z.Bardhi, çfarë rëndësie merr 1 votë në zgjedhjet e së dielës?

Që kur kam krijuar ndërgjegjen time politike, kam besuar në fuqinë e votës. Është i vetmi rast kur një individ mund të ndikojë në të ardhmen e vendit. Një votë përfaqëson një mundësi të re. Një votë është vendimi ynë sesi do të jetë jeta jonë për 4 vitet e ardhshme. Një votë përcakton nëse do të kesh një qeveri të mirë apo të keqe, do të kesh më pak taksa apo jo, do të paguhesh më shumë për punën tënde, a do të kenë fëmijët e tu një shkollim më të mirë apo jo.

Një votë ka fuqinë e ndryshimit. E kam thënë shpesh gjatë kësaj fushate se çdo votë për PD-në vlen. Ndryshe nga kundërshtarët, unë nuk i inkurajoj njerëzit të qëndrojnë në shtëpi kur janë të pakënaqur. Kjo është diabolike dhe keqdashëse për demokracinë. Njerëzit duhet të dalin të votojnë! Të hedhin votën e tyre të protestës, por të votojnë. Të bëjnë që zëri i kujtdo të dëgjohet. Heshtja nuk është zgjidhje. Ajo nuk zgjidh problemin, e përkeqëson atë. Me bindjen se njeriu e përcakton vetë fatin e tij, u bëj thirrje të rinjve të dalin të votojnë të dielën. Ndryshimi ka nevojë për votën e rinisë.

Çfarë u zgjidh shqiptarëve vota me nr. 1?

Gjithçka! Zgjedhjet përcaktojnë që nga cilësia e ajrit që shqiptarët thithin, deri tek uji që pinë. Ne sot kemi një qeveri që nuk jep llogari për asgjë. Ka 12 vjet në qeveri dhe kurrë nuk kemi dëgjuar nga kryeministri të shpjegojë pse nuk i ka mbajtur premtimet me të cilat erdhi në pushtet, ose premtimet e reja që bëri rrugës. Po marr si shembull Fierin. 4 vjet më parë, në takimin përmbyllës elektoral premtoi me pompozitet të madh ngritjen e një universiteti të ri ndërkombëtar mjekësie. S’e keni dëgjuar kurrë më ta thotë, sepse ai i përdor premtimet për të mashtruar njerëzit.

PD-ja është e kundërta. Sa herë kemi qenë në pushtet, ne kemi punuar për t’i mbajtur premtimet dhe shpesh ia kemi dalë. Ka pasur edhe plot gabime, por PD-në si në qeveri, edhe në opozitë, e karakterizon llogaridhënia para njerëzve. Vota për numrin 1, për PD-në, do të thotë votë për një qeverisje që përmirëson standardin e jetesës së shqiptarëve, rrit pagat, rrit investimet, rrit pensionet, ul taksat, ndihmon të rinjtë për hapjen e bizneseve të reja, rikthen cilësinë në arsim dhe shëndetësi. Vota për numrin 1 dhe PD-në përfaqëson shpresën për një qeverisje më të mirë, më transparente dhe më të përgjegjshme, ku interesi i qytetarëve vlen më shumë se interesat personale të pushtetarëve.

A ka mundur PD-ja që t’i vetëdijësojë qytetarët për nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit dhe lidhjet me pushtetin?

Nëse opozita ka bërë diçka të pamohueshme nga askush është ekspozimi i aleancës mes pushtetit të Edi Ramës dhe krimit të organizuar. Ne kemi paraqitur prova dhe fakte për këtë aleancë, që ka shkatërruar të paktën 4 zgjedhjet e fundit. Prej 12 vitesh, ne kemi një kryeministër peng të krimit të organizuar. Është i vetmi kryeministër europian që ka caktuar një koordinator mes zyrës së kryeministrit dhe familjeve mafioze. Janë ata që i përcaktojnë Edi Ramës kush do të jetë ministër i Brendshëm, kush shef policie do të vendoset ku. Edi Rama përfaqëson një fasadë të krimit të organizuar dhe shumë njerëz e dinë këtë. Çështja qëndron që shoqëria të mos mësohet me të keqen, të mos e pranojë si diçka të zakonshme. Këtë betejë të vështirë dhe të pabarabartë PD-ja e ka bërë çdo ditë të ekzistencës së saj.

Cila është problematika që keni hasur deri tani…?

Qarku i Fierit ka zona që kanë votuar historikisht për PS-në. Janë bastione të PS-së për shkak të ideologjisë të së kaluarës, por kam gjetur shumë zhgënjim kudo, sepse nuk ka pothuajse asnjë investim me vlerë. Duke i konsideruar si të vetët, PS-ja nuk ka bërë asgjë. U kanë marrë votën dhe i kanë lënë në mes të katër rrugëve, pa mbështetje, pa zgjidhje, pa ndihmë. Njerëzit atje kanë nisur të bëjnë një llogari. Ka 12 vjet që kanë edhe bashkinë, edhe qeverinë të vetëm, pa ndërhyrje. Si ka mundësi që nuk përmirësohet, por përkeqësohet jeta e komuniteteve që kanë votuar pushtetin? Dhe përgjigja është njësoj si për socialistët, edhe për demokratët. Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për njerëzit, sepse përdor mekanizma antiligjorë për të qëndruar në pushtet.

Frikëson, shantazhon, korrupton. Në këto zgjedhje, këto mekanizma janë shumëfishuar me drejtimin e qarkut nga Belinda Balluku. Socialistët flasin për një arrogancë të jashtëzakonshme, për trajtimin e tyre pa asnjë dinjitet, për zëvendësimin e strukturave me drejtorët e Tiranës, që janë të gatshëm për zbatimin e çdo skenari antiligjor në këmbim të votës. Ka një fenomen të korrupsionit elektoral në këto zgjedhje në qarkun e Fierit në nivele shumë të larta, ku shteti është vendosur totalisht në shërbim të partisë në pushtet. Është edhe një problem tjetër në Fier, që jam përpjekur t’i jap zë. Është një nga qarqet me shpopullimin më të madh. Nga largimi i njerëzve 10 vitet e fundit, janë mbyllur mbi 30 shkolla në qark! S’ka fatkeqësi më të madhe për një zonë sesa ikja e forcës së punës. Sikur vetëm për këtë arsye, kjo qeveri duhet të trajtohet si fatkeqësi kombëtare dhe duhet të largohet me çdo kusht.

Si e shihni garën në Fier? Çfarë rezultati synon opozita në këtë qark?

Më bëri shumë përshtypje apeli i ambasadës së SHBAve për qytetarët shqiptarë: “Votoni pa frikë”. S’do mend që votoni pa frikë nuk do të thotë votoni pa frikën e Gazment Bardhit në opozitë. Mesazhi është votoni pa frikën e Ballukut, pa frikën e Edi Ramës në pushtet. Qarku i Fierit është më i vështiri për PD-në, sepse është bastion i socialistëve, gara është krejt e pabarabartë, shteti është vënë në shërbim të fushatës së Belinda Ballukut, krimi i organizuar gjithashtu. Megjithatë, unë besoj te fushata derë më derë. Kam takuar personalisht mijëra banorë në fshat dhe në qytet, njësoj kanë bërë të gjithë kandidatët dhe strukturat e PD-së.

Shpresoj që pozitiviteti i fushatës, pastërtia e kandidatëve tanë, profesionalizmi dhe integriteti i ekipit tonë, sjellja e njerëzishme dhe sinqeriteti ynë të përkthehet në besim, në votë, në mbështetje. Projeksionet janë pozitive dhe Fieri do të shkruajë historinë e ndryshimit në këto zgjedhje, duke votuar masivisht si asnjëherë më parë PD-në. Fieri nuk e pranon arrogancën e pushtetit, arrogancën e Ballukut. Thirrja ime është “votoni pa frikë”, sepse askush nuk jua kontrollon dot votën! Pa frikën e Ramës, pa frikën e Ballukut! Çdo votë e juaja për PD-në vlen!

Sa alarmante është përfshirja e elementit kriminal në zgjedhje?

Problemi është që në Fier, në Elbasan, në Shkodër, në Durrës krimi i organizuar është bërë njësh me shtetin. Nuk e kupton ku fillon policia dhe ku mbaron krimi. Në pjesën më të madhe të tyre, drejtorët e policisë janë marioneta të krimit, u shërbejnë grupeve kriminale, sepse ky është fenomen që buron nga kreu i qeverisë. Problemi tjetër është se edhe policia në Fier vepron si një strukturë kriminale kundër opozitës. Në vend që të shërbejnë me paanësi, bëjnë plane për të ngritur kurthe ndaj kandidatëve të opozitës! Janë kaq qesharakë dhe të paaftë! Një polici që u shërben qytetarëve dhe jo krimit apo qeverisë si partnere e krimit është një nga objektivat kryesore të qeverisë së PD-së.

PD ka denoncuar tentativat për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve, por si do ta mbrojë votën e 11 majit?

Ne kemi eksperimentuar në të kaluarën disa variante, nuk kanë funksionuar ose kanë qenë me kosto shumë të lartë dhe të padëshiruar. Askush më mirë se individi nuk e mbron dot votën. Por, le të bëjmë një pyetje tjetër, që të shkojmë te thelbi i çështjes. Si ka mundësi që në 2025-ën flitet akoma për mbrojtje vote në një vend që ka hapur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me BE-në? Kjo është pyetja që ne duhet t’i bëjmë vetes. Përgjigjen e dimë të gjithë. Kemi një qeveri të korruptuar, që duhet ndryshuar me votën e çdo shqiptari që ka të parën familjen dhe jo partinë.

Pse Kryeministri Edi Rama gjatë gjithë kësaj fushate elektorale po luan fort me kartën e integrimit në BE?

Sepse i duhet diçka e madhe për të mbuluar dështimin e madh. Tund një pasaportë që s’ekziston, për ta larguar vëmendjen nga llogaridhënia dhe problemet madhore: korrupsioni, papunësia, rritja e çmimeve dhe shpopullimi. Është ky Edi Rama, që personalisht vendosi të bllokojë për tre vjet marrjen e statusit të vendit kandidat, kur ishte në opozitë. Është i njëjti Edi Rama që me sulme qesharake akuzonte BE-në deri pak vite më parë se i kishte mbyllur derën Shqipërisë dhe se po e detyronte Ramën të shihte për zgjidhje të tjera, dmth., Rusinë, Kinën. Kjo e pasaportës europiane është njësoj mashtrim si legalizimet falas, shëndetësia falas, 300 mijë vendet e punës apo si Universiteti Ndërkombëtar i Mjekësisë në Fier, si stadiumi i Fierit, si furnizimi me ujë 24 orë në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë. Mashtrimet nuk votohen! Ndëshkohen me votë!

Si e shikoni rezultatin zgjedhor të 11 majit? Cilat janë pritshmëritë e opozitës?

Ne presim të marrim besimin e shumicës së shqiptarëve për të krijuar një qeveri që punon për njerëzit. Ne kemi gabuar shumë herë gjatë rrugës, por këto zgjedhje janë ndryshe nga të tjerat. Kur të fitojmë, PD-ja nuk ka alternativë tjetër përveç suksesit. Është misioni i jetës së zotit Berisha. Suksesi i qeverisë, suksesi i shqiptarëve është mundësia e vetme për PD-në të qëndrojë një parti e madhe. Të dielën, kur të votojnë, shqiptarët duhet ta mbajnë ketë si një garanci të patjetërsueshme për votën e tyre!

A do ta njohë PD-ja rezultatin e zgjedhjeve, cilido qoftë ai?

PD-ja do t’i fitojë zgjedhjet. Për ne ka shumë rëndësi që zgjedhjet të jenë të lira, prandaj çështja nuk është a njeh PD-ja rezultatin apo jo, sepse kjo është e parëndësishme për vendin. Çështja është a do të kemi ne zgjedhje të standardeve demokratike? Kjo pyetje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Një qeveri që nuk del nga zgjedhje demokratike, nuk punon për zhvillimin e vendit. Ne e kemi të provuar këtë me Edi Ramën. Për sa na takon, ne do të bëjmë gjithçka mundemi që rezultati i zgjedhjeve të jetë reflektim i vullnetit të lirë të qytetarëve. Sa më shumë njerëz të marrin pjesë në votime, aq më e pamundur bëhet për qeverinë ndërhyrja e paligjshme, aq më shumë jemi pranë ndryshimit! Votoni pa frikën e pushtetit!/Gazeta Panorama 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko