VALENTINA MADANI/ Edi Paloka, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Ramës i përcjell mesazhin se më 14 maj do të ketë surpriza në qarqet e vendit që Kryeministri as nuk i mendon që mund t’i fitojë PD-ja.

Paloka vlerëson kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërkohë që shpreh bindjen e plotë se përballë përfaqësuesve të maxhorancës, ata do të jenë drejtuesit e rinj të qeverisjes vendore. Edi Paloka thotë për gazetën “Panorama” se ndërkohë që shqiptarët janë rikthyer te tollonat, si vendi më i varfër i Evropës pas 10 viteve që qeverisen nga Rama, ai vetë dhe familjarët e tij, vazhdojnë të pasurohen duke vjedhur pikërisht popullin. Edi Paloka akuzon kreun e qeverisë dhe ministrat e tij, të cilët i ka në shërbim të pasurimit të tij dhe familjes. Paloka shprehet se të gjithë në darkë i çojnë racionin ne Surrel sulltanit. E prapë sulltani nuk ngopet. Sipas tij, pushtetin dhe paratë tona, Edi Rama po i përdor për të plotësuar qejfet dhe tekat e tij luksoze.

Z.Paloka, si po ecën fushata elektorale, si duket situata në zonat që mbuloni ju?

Unë në këtë fushatë jam ngarkuar si drejtues politik për zonën e Kamzës, Kavajës dhe Vorës. Tri bashki që mund të quhen bastione të demokratëve, por që u falën rilindësve të Ramës zgjedhjet e fundit. Sidoqoftë, më 14 maj, këto bashki do t’u rikthehen demokratëve. Megjithë përpjekjet e hajdutëve të emëruar të Ramës, që nuk ndalen as ditët e fundit së vjedhuri. Banorët e Kamzës, Paskuqanit e Bathores, mund të mos jenë të pasur, po nuk e shesin dinjitetin te gomerët hajdutë të Ramës. Kavaja po e tregon po ashtu çdo ditë se mbetet djep i demokracisë dhe i njerëzve të lirë e dinjitoz. Rama kërkon të tallet e u çon për kandidat në Kamzë një hajdut, që e prezanton vetë si gomar. Në Kavajë u vë prapë atë që falimentoi bashkinë. Në Vorë kriminelin e radhës. Po do ta marrë përgjigjen më 14 maj.

Cilat janë avantazhet e kandidatëve të PD-së, pritshmëritë e demokratëve?

Po t’i marrësh të gjithë me radhë, janë shumë larg kandidatët tanë për mirë, me kandidatët e tyre. Rama vazhdon me historinë e të inkriminuarve. Këta dalin i mbrojnë publikisht. Kandidatët tanë janë si nata me ditën. Dëshira dhe besimi te fitorja mendoj që sot është në pikën kulminante. Nëse në 6 mars morën një përqindje të caktuar në kohën kur njerëzit ishin në dyshime, sot të gjitha dilemat janë qartësuar. Demokratët e dinë tashmë se kush e përfaqëson opozitën dhe se kush mund të fitojë. Angazhimi i njerëzve në këtë nivel tregon se ka besim të plotë që kandidatët tanë do të fitojnë. Meqë Tirana ka rëndësinë e vet politike, kemi parë që pakënaqësia e qytetarëve të Tiranës ndaj Veliajt ka arritur në urrejtje dhe jo thjesht pakënaqësi. Kanë dhjetëfishuar numrin e punonjësve dhe i paguajnë me taksat tona vetëm që t’i marrin votat. Kemi inceneratorin që nuk ekziston, por që vazhdon dhe paguhet. Fitorja e PD-së është e sigurt dhe kemi ecur me një strategji duke takuar çdo ditë qytetarët. Kjo është mënyra më e mirë për t’u njohur me problematikat e banorëve. Rama ka emëruar nëpër bashki katër vite më parë vetëm hajdutë, i tillë është edhe Rakip Suli. Tendera abuzivë, miliona para që merren nga qytetarët dhe nuk shkojnë në shërbim të tyre. Detyrimi ynë është të ofrojmë zgjidhje dhe kandidati ynë Arjan Hoxha ka një program të qartë dhe në takimet me banorët shpjegon edhe si zgjidhen problemet. E gjithë fryma që shoh në takimet e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duket se ka revoltë ndaj kësaj qeverie dhe në këto kushte të gjithë kandidatët tanë kanë hyrë me bindjen për të fituar. Në një garë ne hyjmë kudo për të fituar, përveç atyre të Alibashës. Ju garantoj që pas 14 majit do të ketë surpriza që Rama as nuk i mendon që mund t’i fitojë PD-ja. Edhe pse Rama po i përdor të gjitha mënyrat, do të ketë surpriza.

Një maxhorancë që gëzon të gjitha pushtetet përballë një opozite të përçarë! Si do të mundësohet ndryshimi, ku shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre në Shqipëri e jo duke marrë rrugët e botës për një jetë më të mirë?

Në pyetjen tuaj është edhe përgjigjja e saj. Pikërisht fakti që Rama ka marrë sot në duar të gjithë pushtetet pa përjashtim dhe ka abuzuar me to e i ka keqpërdorur shtazërisht në dëm të shqiptarëve, është dhe arsyeja madhore se përse shqiptarët duhet të votojnë për ndryshimin. Në përpjekjet e tij, Rama harxhoi jo pak energji dhe para edhe për të eliminuar opozitën dhe praktikisht pluralizmin në Shqipëri, por për fat të mirë dështoi. Është e vërtetë që ai arriti të krijojë një përçarje në PD duke korruptuar deri te njërin prej drejtorëve të FBI-së e duke shfrytëzuar dobësitë e ish-kryetarit të PD-së. E vërtetë që edhe sot ka marrë peng me presione apo me joshje një njeri që e quan veten kryetar me vulën dhe milionat që i dhuroi Rama me gjyqtarët e tij të korruptuar, por po kaq e vërtetë është që sot demokratët janë më të bashkuar se kurrë që nga 9 shtatori. Sot çdo demokrat dhe çdo opozitar, është më se i qartë se vetëm duke mbështetur kandidatët e primareve, koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe Sali Berishën, mund të vijë ndryshimi që e presin prej vitesh.

Në këto kushte ku ndodhet opozita, a është e gatshme që të përballet me Edi Ramën më 14 maj? Si mund të shpëtojnë shqiptarët nga arroganca e Kryeministrit?

Siç ju thashë edhe më lart, ka vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund arrogancës dhe çdo të keqeje që u vjen shqiptarëve prej kësaj qeverie e këtij Kryeministri, të tregojnë forcën e tyre duke votuar kandidatët e Sali Berishës dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

A ka aktorë brenda opozitës që duan zhdukjen e PD-së?

Për fat të keq është ajo pjesë që është marrë peng nga Rama, siç përmenda, diku me joshje e diku me presione. Në krye të tyre Alibasha. Unë kam treguar dhe herë tjetër disa fakte e momente që vërtetojnë pikërisht këto që po deklaroj tani. Që vërtetojnë jo vetëm hipokrizinë dhe mashtrimin me qëndrimet e tyre, por qartazi tregojnë dhe se si kanë ndryshuar qëndrimet e tyre pasi janë marrë peng. Vini re deklaratat e alibashëve sot. Papritur ata paskan zbuluar tani që Berisha paska qenë “komunist”. Nuk e dinin këtë për 30 vjet, nuk e dinin kur Berisha i bëri deputetë e ministra, por e zbuluan papritur tani dhe vendosën të kenë parti pa komunistë. Kjo pra është më shumë se hipokrizi. Dalim pak te qëndrimi për “non grata”. Berisha u shpall “non grata” publikisht në maj të 2021. Në atë kohë, L.B. kërkoi prova e fakte për akuzat që ngriheshin. Në korrik 2021 u mbajt Kuvendi i PD-së, pra gati dy muaj pasi Berisha ishte shpallur “non grata”. Po të hapni kronikat e atij Kuvendi do të shihni që gjithë këta, të cilët sot deklarojnë se nuk mund të pranojnë një “non grata”, në atë Kuvend kanë qenë në këmbë duke duartrokitur e brohoritur hyrjen e “non gratës” në sallë. Alibeu u thye në dysh për t’i dhënë dorën. Ndërkaq pas 9 shtatorit, papritur kuptuan që nuk mund ta pranonin “non graten”! Çfarë është me diskredituese për ta, lidhet me qëndrimin sot. Në fillim, siç dihet, L.B., kërkoi prova dhe fakte për akuzat ndaj Berishës, fakte e prova që nuk erdhën kurrë, përkundrazi, u vërtetua plotësisht ajo që ne kemi deklaruar që në fillim; se shpallja “non grata” e Berishës ishte rezultat lobimi i Ramës. Me skandalin Mc Gonigal rezultoi se ishte shumë më keq, ishte rezultat i korruptimit të personave me influence siç ishte drejtori i FBI-së, Mc Gonigal. Në këto kushte, qëndrimi i alibashëve prapë është më shumë se hipokrizi e thjeshtë. Ky qëndrim dhe vënia në shërbim total të Ramës, tregojnë vetëm se ata janë tanimë peng. E fundit që dua ta kujtoj. Një tjetër moment që flet vetë. Në mbledhjen e fundit të drejtuar nga Basha ku ishim të gjithë bashkë, mbledhje e kryesisë dhe grupit parlamentar, unë debatova pikërisht me Alibeun për të ardhmen e PD-së. Ai zotëria deklaroi në atë mbledhje me qetësinë më të madhe: “Nëse ka ardhur koha që PD të shkrihet sepse e ka mbaruar misionin e saj, atëherë le të shkrihet. Dielli do lind përsëri nesër”. Pikërisht ky njeri tani deklaron se ka marrë përsipër që të çoje përpara misionin e PD-së. Ky çoi demokratët në gjykatën e Ramës që t’i rrëmbente simbolet PD-së! Pra, i njëjti që mendonte se kjo PD e kishte mbaruar misionin e duhej shkrirë! Atëherë çfarë e ka shtyrë në ndryshimin e qëndrimeve përveçse pengmarrja? Pra, duke iu përgjigjur pyetjes suaj; po ka një grup të marrë peng që po i shërben Ramës në tentativë për të përçarë PD-në, po për fat të mirë, tani janë diskretituar plotësisht e vazhdojnë të degjenerojnë në çdo ditë që kalon se Rama ka një “të mirë”, kur të ka marrë peng të përdor deri në poshtërim.

…Dhe si mund të zgjidhet kjo situatë brenda PD-së?

Unë vazhdoj të këmbëngul në bashkimin edhe të atyre deputetëve që ende janë në pozicione të paqarta dhe të sikletshme për ata vetë. Gjithsecili mund të mbajë mendimet dhe qëndrimet e tij edhe për Sali Berishën dhe këtë mund ta bëjë shumë mirë brenda PD-së dhe grupit parlamentar të bashkuar. Në fund janë demokratët, shumica që me votë përcaktojnë se kush e drejton partinë. Ata që nuk pranojnë verdiktin e shumicës, mund të zgjedhin edhe të largohen, po nuk mund të mbajnë peng demokratët. Sigurisht që të gjithë bashkë, jemi më të fortë, pa ata që tanimë janë peng i Ramës dhe pisllëqeve të tyre me Ramën.

Si është e mundur që me gjithë skandalet e saj, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, përshkallëzimin e korrupsionit, maxhoranca socialiste vazhdon të qeverisë e patrazuar as nga drejtësia e “pavarur”…?

Duket paradoks, po Rama qëndron në pushtet, pikërisht sepse është i mbytur në skandale e korrupsion. Frika e skandaleve e bën Ramën që të përdorë çdo mënyrë të jashtëligjshme për të mos lëshuar pushtetin. Tanimë është e njohur botërisht që Rama nuk zhvillon zgjedhje në këtë vend. Nuk e thotë vetëm opozita, por edhe raportet ndërkombëtare. Po siç thashë, në mënyrë paradoksale, korrupsioni e ka mbajtur deri më sot në pushtet. E kam thënë dhe herë tjetër, e vetmja gjë që Rama “bën mirë” është korrupsioni aktiv dhe pasiv. Ai korrupton të mjerët duke u blerë votën për 5 mijë lekë, po korrupton dhe diplomatë e deri te zyrtarë të lartë si Mc Gonigal. E të gjithë këta i paguan pikërisht me paratë e krimit e të korrupsionit. Me paratë që u grabit shqiptarëve.

Po sigurisht që ky qark i së keqes do mbyllet një ditë dhe kjo ditë është e shpejtë. Shqiptarët e kanë ndryshimin në duart e tyre. Praktikisht, sot Rama për shumicën e familjeve shqiptare ka rikthyer tollonin sepse shumica e familjeve shqiptare sot, disa produkte mund t’i blejnë vetëm një herë në muaj. Mjafton të shohësh se si janë çmendur çmimet, për ta bërë këtë llogari.

Shteti shqiptar, përveçse ka humbur disa vite më parë betejën gjyqësore me Francesco Becchettin, që e dënoi atë me 110 milionë euro për mbylljen e televizionit “Agon Channel”, së fundi humbi në Arbitrazh ankimimin për të mos i paguar këto para, me pretendimin se ish-investitori italian është dënuar nga gjykatat shqiptare. Realisht sa kanë humbur shqiptarët…?

Jo vetëm çështja “Beccheti”, po tanimë janë disa gjyqe të qeverisë së Ramës të humbura në arbitrazh ndërkombëtar e ndërkohë të tjera çështje janë hapur e po hapen çdo ditë. Më e fundit është ajo e kompanisë gjermane në Portin e Durrësit, po shumë shpejt duket se do të kemi dhe çështje të tjera si ajo e zotit Hysebelliu, e cila është pikë për pikë e ngjashme me çështjen Becheti. Çështja Becheti dhe Prestige Resort janë të njëjta, sepse kemi të bëjmë qartazi me sulm ndaj medias së lirë. Po flasim për gati 1 miliard dollarë në total që shqiptarët do të duhet të paguajnë për shkak të një Kryeministri të çmendur, armik i medias së lirë, armik i interesave të qytetarëve. ”Agon Chanel”, “Ora News” dhe grupi mediatik “Hysenbelliu” janë fakte të mjaftueshme për të vërtetuar se sulmi i Ramës është qartazi kundër mediave që nuk pranojnë të vihen në rreshtin e tij, në rreshtin e një qeverie të korruptuar deri në palcë. Në fund janë qytetarët shqiptarë që paguajnë dhe jo vetëm në aspektin financiar, por edhe atë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre.

Pavarësisht se liria e medias dhe e pronave është çështje që u përket të gjithëve, a kemi të bëjmë më cenim flagrant të pronës, por edhe i lirisë së mediave…? Si mund të ndalet ky arbitraritet?

Ka vetëm një mënyrë për të ndaluar këtë Kryeministër, dhunën, arrogancën dhe poshtërimin që u bën shqiptarëve; të bëhemi të gjithë bashkë për ta shporrur një orë e më parë. 14 maji është një nga ditët kur duhet ta tregojmë vendosmërinë tonë për ta ndryshuar këtë realitet të zi për shqiptarët…

Si e komentoni dhënien e tenderave nga qeveria për familjarët e miqtë e saj? Sa po u kushtojnë shqiptarëve rrugët e “florinjta”?

Rama në mënyrë krejt të kundërligjshme, vazhdon të fryjë më tendera e më miliona euro familjarët e tij dhe të ministrave të tij. Siç thashë, marrja e tenderave publike nga familjarët e qeveritarëve është kategorikisht e ndaluar, por në këtë nivel ku ka degjeneruar gjithçka në këtë vend, duket se Rama as nuk po tenton të fshihet, por e ka shfaqur korrupsionin sheshit. Ndërkohë që shqiptarët janë rikthyer të jenë vendi më i varfër i Evropës pas 10 viteve që qeverisen nga Rama, ai vetë dhe familjarët e tij vazhdojnë të pasurohen, duke vjedhur pikërisht popullin më të varfër të kontinentit. Por kjo nuk mjafton, sepse për Ramën vjedhin dhe bashkiakët që ka emëruar. Vjedhin dhe ministrat e tij. Të gjithë në darkë i çojnë racionin në Surrel sulltanit. E prapë sulltani nuk ngopet. Pushtetin dhe paratë tona, Rama po i përdor për të plotësuar qejfet dhe tekat e tij luksoze. 22 milionë euro vetëm për të bredhur me charter. Merr charterin për të bërë një foto me Cristiano Ronaldon në Itali apo Guardiolen në Angli, si të ishte djali adoleshent i ndonjë sheiku e jo Kryeministri i njerëzve më të varfër në kontinent. Merr rrugët për të hapur ekspozita personale në galeritë më të shtrenjta nga Hong Kongu në Paris, Nju Jork e Berlin. 4 milionë euro për bahçen e tij personale në Kryeministri, paguan sulltani. Dy javë më parë tender 5 milionë euro për rikonstruksion e njërës prej vilave qeveritare. 5 milionë kushton një vilë e re e yjeve të Hollivudit në USA. 5 milionë ky i hedh për rikonstruksion, a thua se nuk i mjafton pallati i Surrelit. E pastaj del në fushatë e kërcen tallava. Edhe tallet me këtë popull.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re