VALENTINA MADANI/ Petro Gjikuria kandidon në listën e hapur në qarkun e Vlorës nën siglën e koalicionit “Shqipëria Madhështore”, me synimin se do të jetë deputet në parlamentin e ri. Z.Gjikuria tregon për gazeta “Panorama” problematikat e hasura gjatë fushatës elektorale, teksa denoncon përfshirjen e shtetit dhe administratës në zgjedhje.

Gjithashtu, kandidati i opozitës denoncon bashkëpunimin, sipas tij, mes qeverisë dhe elementëve kriminalë në zgjedhje. Ai përmend një formë të re të blerjes së votave. “Këto ndërtime pa leje përveçse janë vepra penale që nuk po ndiqen dhe nuk po konstatohen, janë në thelb një mjet për blerjen e votës, ndikimin e saj apo devijimin në favor të PS-së si forcë qeverisëse”, – shprehet Petro Gjikuria. Ai beson te fitorja e opozitës dhe se për PS-në një mandat i 4 është i pamundur.

Z.Gjikuria, pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 11 majit. Cilat janë sfidat e kësaj gare?

Sfidat e kësaj gare janë në thelb problematikat e shumta që po hasim në takimet me njerëzit. Problematika të mbartura ndër vite dhe përgjithësisht lidhen me shërbimet bazike, që shteti ka detyrim t’i përmbushë ndaj qytetarëve. Mungesa e ujit, infrastrukturës, mungesa e shërbimeve që qytetarët duhet të marrin në zyrat e shtetit që fillojnë nga zyrat e pushtetit lokal, të ASHK në veçanti; problemet e mbartura të pronësisë etj., janë në fakt, një grumbull i madh detyrimesh dhe sfida që do të duan punë të përditshme për zgjidhje dhe vëmendje të shtuar.

Çfarë problematikash po has opozita në qarkun e Vlorës, ku ju jeni kandidat për deputet?

Problemi kryesor i kësaj fushate është në fakt përfshirja e shtetit dhe administratës në zgjedhje. Dihet se çdo burim i administratës është në shërbim të pushtetit për të ndihmuar në krijimin e një imazhi të rremë, nëpërmjet të cilit të krijohet ideja e mbështetjes së gjerë popullore për Partinë Socialiste, gjë që nuk është e vërtetë. Shembull tipik i kësaj është maskarada e krijuar gjoja për çeljen e sezonit turistik në Himarë, ku bashkia harxhoi shuma të mëdha në skena, të ftuar, këngëtarë dhe në fund rezultoi se i gjithë show ishte në funksion të pritjes dhe fjalimit të Kryeministrit Rama, i cili ngaqë nuk mblidhte dot njerëz në Himarë, e maskoi mbështetjen për të dhe takimin e tij me pjesëmarrës në koncert dhe të ftuarit në rrugën e bllokuar të Potamit.

Sa shqetësuese është përfshirja e elementit kriminal në zgjedhje?

Elementë kriminalë të përfshirë në zgjedhje ka, por dua të ndalem te një formë e veçantë e bashkëpunimit të shtetit dhe këtyre elementëve, sidomos në zonën e bregut. Në Himarë dhe Sarandë, veçanërisht në zonat bregdetare, po konstatohet një valë e ndërtimeve pa leje, e toleruar prej muajsh dhe tani në vijim më me vrull, e lejuar me mosveprime prej Policisë së Shtetit dhe strukturave të bashkive përkatëse, Polici Bashkiake dhe IMT-të e këtyre bashkive. Dua të theksoj se këto ndërtime pa leje përveçse janë vepra penale që nuk po ndiqen dhe nuk po konstatohen, janë në thelb një mjet për blerjen e votës, ndikimin e saj, apo devijimin në favor të PS si forcë qeverisëse. PBDNJ Himarë dhe opozita i kanë denoncuar në disa raste mediatikisht.

A ka nxitur lista e hapur përplasje mes kandidatëve brenda vetë koalicionit?

Lista e hapur jo vetëm që nuk ka prodhuar asnjë përplasje, por mendoj se kjo listë ka prodhuar një koherencë dhe bashkëpunim mes kandidatëve. Në fakt, e gjithë lista e hapur e kandidateve të opozitës po bashkërendojnë punën, me fokus mbledhjen dhe maksimalizimin e mbështetjes individuale në favor të koalicionit ASHM. Kjo listë mendoj se është përfaqësuese dhe e menduar me pragmatizëm, duke sjellë përfaqësim nga shtresa të gjera të shoqërisë dhe grupeve të interesit në qarkun Vlorë.

Cilët janë mbështetësit tuaj? Votat e kujt synoni më 11 maj?

Në radhë të parë, unë synoj votat e popullit opozitar, votat e njerëzve të thjeshtë, të cilët kanë 12 vjet që vuajnë për pronat e tyre, për mungesën e ujit, infrastrukturës, marrjen e shërbimeve bazike, vonesat e administratës, shtresës së të persekutuarve politikë të cilëve u përkas dhe gjithë minoritetit në Himarë, Sarandë e Vlorë. Unë vij edhe pas një kandidimi për kryetar të Bashkisë Himarë dhe mendoj se në zonë janë të ndërgjegjësuar që unë kam qenë dhe do jem një zë i komunitetit për zgjidhjen e problemeve të mprehta që ka kjo zonë, por edhe i gjithë qarku.

Cila është pika juaj më e fortë? Çfarë e ndikon fitoren tuaj?

Pika ime e fortë është lidhje me njerëzit, me vendlindjen time, programi që po prezanton koalicioni opozitar në këto zgjedhje, një program për të gjitha shtresat, nga pensionistët te biznesi. Fokusi në zgjidhjen e problemeve të pronësisë, infrastrukturës, ujit nëpër fshatra dhe sidomos fakti se këtë herë, PBDNJ dhe Minoriteti Etnik Grek del në këto zgjedhje si një forcë e vetme e bashkuar. Nuk mund të harrojmë se PBDNJ dhe Minoriteti Etnik Grek ka pasur një strukturë kapilare në qarkun Vlorë, për shkak të demografisë, strukturë kjo që mendoj se është vënë në eficiencë të plotë në funksion të maksimalizimit të votave për mua si kandidat dhe koalicionin opozitar.

Sa do ta “gërryejnë” koalicionin opozitar partitë e reja, të cilat mund të marrin vota djathtas?

Nuk mund të them me siguri, por kam bindjen se këto parti të reja gërryejnë më shumë Partinë Socialiste dhe marrin vota nga pjesa e pakënaqur me qeverisjen e elektoratit. Dua të ndaj me ju opinionin tim personal se koalicioni ASHM do të zgjerojë përkrahjen dhe numrin e votave në qarkun Vlorë dhe se ne po shkojmë të sigurt drejt një rezultati të kënaqshëm, duke rritur numrin e mandateve të paktën me 1 deputet, e kam bindje absolute se një mandat më tepër se rezultati i vitit 2021 është pothuaj i sigurt tashmë.

Si e shikoni rezultatin zgjedhor të 11 majit? Cilat janë pritshëmritë e opozitës?

Unë shoh fitoren e opozitës më 11 maj. Po provohet çdo ditë se mbështetja për PS-së dhe Kryeministrin Rama është në nivele minimale, shoh që një mandat i katërt është i pamundur. Ne besojmë te fitorja./Gazeta Panorama 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko