Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, në një intervistë për gazetën “SOT” ka folur për protestën e 21 Janarit të vitit 2011. Dje u mbushën plot 11 vite nga ngjarja e “21 Janarit”, ndërkohë që para një viti janë rihapur hetimet nga Prokuroria e Tiranës dhe policia, saktësisht për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.

Duke iu kthyer protestës së asaj dite që i mori jetën 4 qytetarëve, Hajdari që në atë kohë ishte drejtues i Prokurorisë së Apelit zbuloi se prokurorët kanë qenë nën presion në vendin e ngjarjes, ndërsa theksoi se pavarësisht kësaj ata bënë një punë të mirë sa i takon hetimeve.

Madje teksa u shpreh se prokuroria u la e vetme dhe nuk pati bashkëpunim nga organet e tjera ligjzbatuese për të hetuar dosjen e “21 Janarit”, zoti Hajdari deklaroi se një meritë i shkon edhe FBI që bashkëpunoi me institucionin e akuzës asokohe. Në këtë kontekst, ai tha se ekspertiza e FBI faktoi se Garda e Republikës qëlloi për të vrarë protestuesit.

-Zoti Hajdari sot shënohet përvjetori i vrasjeve të 21 Janarit dhe familjarët kërkojnë ende drejtësi, duke qenë se ju keni qenë prokuror, kaq e vështirë ka qenë zbardhja e kësaj ngjarje?

Mendoj se minimumi pas gati 1 vit riçeljes së hetimeve për tragjedinë e “21 Janarit” dhe në nder dhe respekt të viktimave të kësaj ngjarje të rëndë, duhet të kishim një prononcim zyrtar të Prokurorisë se çfarë është bërë gjatë këtyre muajve në lidhje me hetimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, në mënyrë që edhe ne të kishim mundësi të jepnim një koment sa më profesional. Sa i takon pyetjes se përse ka qenë kaq e vështirë ngjarja, mendoj se zbardhja e çështjes së “21 Janarit” u pengua nga politika asokohe.

-Ju në atë kohë keni qenë në krye të Prokurorisë së Apelit, si i kujtoni si ngjarje dhe si janë penguar prokurorët?

E kemi thënë dhe rithënë disa herë që ngjarja e “21 Janarit e vitit 2011 ku gjatë protestës së opozitës së kohës para Kryeministrisë mbetën katër qytetarë të pafajshëm se ka qenë një nga hetimet më të vështira që ka hasur prokuroria dhe ka përballur institucioni i akuzës në këto 30 vite demokraci. Pse e them këtë? Sepse nga njëra anë ishin organet ligjzbatuese me në krye Prokurorinë dhe nga ana tjetër ishte qeveria e asaj kohe që po me organe ligjzbatuese, sikundër është policia në rastin konkret, nuk ishin bashkëpunues në hetimin e kësaj ngjarje kaq të rëndë, sikundër ishte vrasje e 4 protestuesve në 21 janarin e vitit 2011.

Madje në hetimin dosjes së “21 Janarit” qeveria dhe policia kanë qenë në episode të ndryshme edhe bllokues, duke u bërë pengesë për hetimin sa më objektiv nga prokuroria të kësaj ngjarje, siç ishte për shembull moszbatimi i urdhër ndalimit për një pjesë të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës së Shqipërisë. Kështu që me gjithë vështirësitë e bërë asokohe dhe që kanë lënë gjurmë negative për zbardhjen e plotë të dosjes së “21 Janarit”, jo për fajin e prokurorisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të saj, por për shkak të rrethanave në të cilat u operua në mbledhjen e provave në vendngjarje, kjo në një farë mënyrë ka ndihmuar që një pjesë e autorëve të kësaj masakre, qofshin këta urdhërdhënës apo ekzekutorë urdhrash që të mos penalizohen. Edhe sot që jemi 11 vite pas kësaj tragjedia urdhëruesve dhe ekzekutorëve nuk iu ka hyrë gjemb në këmbë dhe nuk është zbardhur e vërteta e “21 Janarit”.

 

-Në atë kohë erdhi një ekspertizë e FBI. Duke qenë se ju keni informacione si u përdor kjo ekspertizë dhe a pati vlerë?

Ekspertiza që erdhi nga Byroja Federale e Hetimit është një ekspertizë profesionale, e cila tregon qartë shkencërisht se dy nga viktimat që mbetën të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar të vitit 2011, është se ata janë vrarë nga pjestarë të Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa gjithashtu rezulton se një pjesë e armëve të përdorur nga ana e gardistëve të pozicionuar tek Kryeministria, rezulton të jenë fiksuar në pemën përballë selisë së qeverisë, në muret përballë kësaj godine dhe në lartësi të tilla që janë sa shtati i një njeriu. Kjo do të thotë se kemi edhe një sasi plumbash që janë drejtuar drejt njerëzve, ndryshe nga sa pretendohej asokohe nga qeveria e Partisë Demokrtike, Policia dhe Garda e Republikës që u qëllua vetëm në ajër. Kjo vërtetohet me këtë provë shkencore që ka bërë FBI-ja, por edhe me dëmin e madh që përveçse katër viktimave, kishte edhe shumë të plagosur gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011.

-Sot që flasim janë rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, pasi për të nuk ka asnjë autor të dyshuar. Policia ka kërkuar riekspertim të ngjarjes dhe pyetjen e dëshmitarëve. 8 muaj nga rihapja e hetimeve nuk ka pasur shumë rezultat. Mendoni se pas 11 vitesh mund të ketë rezultat hetimi? A janë më provat aq me vlerë?

Unë nuk e di, domethënë se në çfarë faze janë hetimet nga ata që po merren me këtë dosje. Por dua të ripërsëris që në respekt të viktimave të “21 Janarit”, kësaj ngjarje kaq të rëndë që ka ndodhur në Shqipëri, ne duhet të kishim një prononcim zyrtar nga ata që po merren me hetimin e kësaj dosje. Ky është një detyrim që prokuroria ka kundrejt viktimave, familjarëve të tyre dhe opinionit publik, në mënyrë që të paktën përmes këtij prononcimi apo reagimi, të kuptonim më shumë se çfarë po ndodh me hetimin dhe në çfarë faze është ai sa i takon ngjarjes në fjalë.

-Si ka mundësi që prokuroria nuk shkoi dot më shumë se kreu i Gardë së asaj kohe? Pse nuk u hetua mbi urdhëruesit e ngjarjes?

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë në kohën kur ndodhi ngjarja e 21 janarit, ka bërë një punë shumë të mirë dhe jam i bindur për këtë. Prokuroria asokohe ka qenë pothuajse një organ që të gjithë atë ngjarje e ka përballur vetë dhe nuk ka pasur bashkëpunim nga organet e tjera ligjzbatuese për hir të situatës që unë e thashë në fillim dhe aq sa është arritur, e gjitha kjo është meritë e oficerëve të Policisë Gjyqësore, prokurorëve që përfaqësuan me dinjitet dhe hetuan dosjen e “21 Janarit”.

Asokohe prokuroria bëri punë shumë të mirë dhe kjo edhe për shkak se pati një bashkëpunim me ndërkombëtarët, sikundër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por sot jemi në një situatë krejt tjetër dhe bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe organeve ligjzbatues është në nivele të larta bashkëpunimi. Kështu që nisur nga kjo, sot që flasim çështja e “21 Janarit” si një makth i vërtet duhet të zbardhet në tërësi, në thellësi dhe gjerësi.

-Në atë kohë policia nuk ekzekutonte urdhër-arrestet e gjykatës, ndërsa gardistët u strehuan në Kryeministri. Mendoni se pati shkelje në këtë aspekt?

 

Patjetër që pati shkelje pasi Polica e Shtetit refuzoi të ekzekutonte urdhër ndalimet, ndërkohë që edhe selia e Kryeministrisë u kthye në strehë për të mbrojtur një pjesë të ekzekutorëve të urdhrave. Në atë kohë politika, qeveria dhe gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese, përveçse Prokurorisë, u investuan me të gjitha mënyrë që çështja e “21 Janarit” të bllokohej dhe mos hetohej.

-Mendoni se kjo çështje duhej të kishte kaluar te SPAK?

Kjo çështje, pra dosja e “21 Janarit”, duhet të vazhdojë të hetohet në Prokurorinë e Tiranës, sepse deri më tani domethënë nuk ka pasur emra që janë subjekt i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Është tjetër gjë që në qoftë se gjatë hetimit të dosje së “21 janarit” do të dalin prova që implikojnë subjekte që tashmë hetohen nga Prokuroria e Posaçme. Pra çdo gjë varet se si do të vijojnë hetimit dhe çfarë provash do të dalin, në mënyrë që nëse një person që është i implikuar në ngjarjen e “21 janarit” dhe që hetimin e tij e ka në juridiksion SPAK, atëherë ngjarja merr tjetër rrjedhje. Kjo është e gjitha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re