Që prej 8 muajsh e ka mbyllur gojën. Mes inatit, zemërimit, zhgënjimit, pabesisë ka mbajtur veten për 250 ditë për të mos folur një fjalë e për të mos artikuluar asnjë akuzë. Për një politikane si ajo, rritur fushatash e mes të rinjsh, sfida e drejtimit të partisë vjen edhe me pyetjet e ethshme për dorëheqje për dështimin. Por mendon tani se boll ka duruar që flasin të gjithë dhe fajësojnë atë dhe forcën politike. Eshtë momenti të flasë ajo pasi i ka dëgjuar të gjithë. Në një intervistë të gjatë për revistën Neësbomb, rrëfen për akordin që i ka ofruar Rama për zgjedhjet lokale; për tradhëtinë e Lulzim Bashës në akord me PS për të zhbërë LSI, e për ambasadorët. Ajo sulmon Bashën si njeri të lig dhe të poshtër, ndërsa zërat se edhe Ilir Meta do shpallet “non grata” nga SHBA i quan sajesa tryezash.

Ku jeni zhdukur gjithë këtë kohë? Që prej 25 prillit nuk ju kemi parë aktive. Përveç asaj që dimë politikisht, ka diçka tjetër?

Të mos jesh në sytë e medias nuk do të thotë të jesh zhdukur për njerëzit. Pas 25 prillit u pa qartë se ka ndodhur një masakër zgjedhore. Çdo ditë pasurohet lista e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve me fakte të reja. Reflektimi i Monika Kryemadhit si kryetare partie, si kandidate për deputete, apo edhe si themeluese e LSI, kërkon kohën e duhur për të vlerësuar situatën në të cilën gjendemi. Një analizë që ka të bëjë me atë që ka ndodhur para dhe pas 25 Prillit, ka të bëjë me vazhdimësinë e demokracisë dhe të Shqipërisë.

Kishit 19 deputetë dhe përfunduat në 4 deputetë…

Po kështu është, na lanë 4 mandate si rezultat i skemës kriminale të grabitjes së mandateve të LSI, ndihmuar edhe nga sistemi i padrejtë zgjedhor.

Rakordimet numerike të zgjedhjeve të 25 prillit janë komplet ndryshe; ka të bëjë me tjetërsimin e votës gjatë procesit të numërimit, apo në kualifikimin e votave në të vlefshme dhe të pavlefshme, që përcaktohej me votim nga komisionerët e KZAZ -ve, që ishin 6 Pro votave të pavlefshme të PS dhe vetëm vota e komisionerit të LSI ishte kundër, siç është rasti flagrant i Beratit, apo Durrësit ku jo sipas vullnetit të qytetarëve, por sipas dëshirës së anëtarëve të Kzaz, ka ndodhur grabitja e mandatit të LSI. Në Berat për 35 vota dhe Durrës 55 vota. Tjetërsimi i votave, dukshëm ka çuar në humbjen e të paktën pesë mandateve të LSI, të cilat, nëse do të ishin mbrojtur siç duhet në tavolinë, nuk do t’i kishin kaluar PS.  Megjithatë…

…Plus 4 që keni shkojnë 9. Nga 19 deputetë, në 9, ka një diferencë goxha të madhe…

Matematikisht është korrekte nga ana juaj. Por dua t’iu kujtoj përdorimin e gjithë infrastrukturës shteterore policore, përdorimin me intesitetit të lartë të administratës publike në presion të hapur kundër jo vetëm kandidatëve të LS, por edhe familjarëve të tyre. Ju e dini shumë mirë se 80% e votave të pavlefshme janë të LSI. Nëse do të kishim një proces zgjedhor normal dhe nëse do të kishim të njejtën kohë mediatike të 19 mandateve të 2017-ës, që po ta krahasoni me kohën mediatike të 2021, do të shihni që LSI-së i mungojnë miliona minuta mediatike, miliona radhë në portale të pavarura dhe të varura, të cilat jo vetëm censuruan LSI-në për të prezantuar platformën dhe kandidatët e saj, ku pjesa më e madhe ishin të rinj dhe të reja, por mos harroni edhe përdorimin pa limit të qeverisë dhe bizneseve mediatike të lidhura me PS, të cilat u angazhuan në një fushatë shpifjesh dhe dezinformimi të opinionit publik. Shumë kandidatë për deputetë janë kërcënuar tek familjaret e tyre, tek prindërit nëse kishin biznes apo ishin në punë, nga motra, vëllai apo edhe familjarët e tyre, me kërcenime për t’u hequr nga puna, për t’ju prishur shtëpitë, apo për të mos ju kryer proceset e legalizimit.

Ju e dini shumë mirë rolin e patronazhistëve, që kanë patur tagrin deri edhe tek urdhërimi i administratës publike për të prerë gjoba ndaj popullit opozitar, me qëllimin e vetëm, intimidimin dhe tjetërsimin e votës. SPAK do duhet ti marrë në pyetje secilin prej atyre mbi 9 mijë “patronazhistë” në Tiranë, ndoshta dhe janë shtuar që prej zgjedhjeve, shumica e së cilëve janë punonjës të administratës apo të Bashkisë, por edhe të FA dhe Policisë, sektorë që e kanë të ndaluar me ligj të merren me politikë aktive, për të zbardhur deri në fund se cili ka qenë dhe është aktualisht roli i tyre.

Që kur morëm vendimin për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, ishim të vetëdijshëm që presioni do të shtohej. Por, ne nuk mendonim kurrë që lënia përgjysëm e aksionit opozitar nisur nga 16 shkurti 2019, ose tjetërsimi i aksionit opozitar në momente të caktuara, apo nën influenca të jashtme, do të n‘a sillte këtu ku jemi sot, me ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ç’do të thotë tjetërsim i aksionit opozitar? Apo influenca të jashtme?

Që nga djegia e mandateve dhe gjithë aksioni tjetër opozitar, ka pasur tjetër agjendë të miratuar në tryezën e frontit opozitar. Agjendat ndërroheshin gjatë rrugës.

Si ndërroheshin? Kush i ndërronte?

Lulzim Basha, shumë e qartë sot edhe më e qartë se kurrë. Ka akoma jetë politike që vazhdon dhe fakte të reja që dalin. Di të them se djegia e mandave dhe bojkoti i zgjedhjeve cënuan demokracinë në Shqipëri dhe i dhanë shancin e mundësinë Edi Ramës të ndërtojë një sistem autokratik. E vërteta është se, fatkeqësisht Shqipëria përfundoi me një opozitë, të cilës i parashkruhej agjenda nga zyra e Kryeministrit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re