Nga Zerina Sheme
Mjeke pediatre

Prindërimi është punë e rëndësishme – por nuk është gjithmonë e lehtë. Edhe pse mund të jetë puna më shpërblyese që bëjmë, shpesh është rraskapitëse dhe kërkuese. Prindërit kanë përgjegjësinë e rëndësishme për të rritur brezin e ardhshëm. Ndërsa ecim në këtë rol me shpresë dhe të emocionuar, shumë prej nesh mund të ndihen të papërgatitur, duke mësuar përmes provave, gabimeve dhe këshillave të profesionistëve.

Në një intervistë për “Gazeta Shëndeti” pediatrja Zerina Sheme orienton prindërit në lidhje me vizitat tek mjeku, ushqyerjen, kujdesin ndaj virozave…për ta bërë sa më të lehtë qasjen e tyre.

Si e shikoni prindërimin sot? Cilat janë pikat e forta dhe pikat e dobëta të prindërve në raport me fëmijën?

Prindërimi sot kalon nëpër sfida të reja.

Pikat e forta:

  • Informacioni shëndetsor gjëndet vetëm një klikim larg.
  • Mirëqenia ekonomike është rritur.
  • Industria e veshjeve, lodrave për fëmijë është mjaft e larmishme.

Pikat e dobëta

  • Asnjë prind nuk ia “lejon vetes” që fëmija i tij të rritet në kushte minimaliste të të jetuarit.
  • Prindi, pa u menduar shumë
  • kufizon kohën fizike me fëmijën.
  • Për shkak të investimit të tij maksimal në karrierën e vet. Pa e kuptuar, disa prindër të suksesshëm përfshihen shumë vrullshëm duke prindëruar me korrespondencë nëpërmjet edukatoreve ose gjysheve.

Si duhet të jenë vizitat te pediatri në 5 vitet e para të jetës së një fëmije, përjashtur vaksinimet apo urgjencat?

Kontrolli i fëmijës tek mjeku pediatër i familjes  këshillohet të bëhet një herë në muaj për 6 muajt e parë të lindjes.

-Një herë në dy muaj për moshën 6-12  muajsh.

-Një herë në tre muaj për moshën 1-5 vjeç.

Mbi 5 vjeç sipas nevojave shëndetësore që paraqet fëmija.

Kjo lidhet me faktin se rreth moshës 3 vjeç përfundon dalja e dhëmbëve të qumështit, edhe problematikat e tjera shëndetësore kalojnë më lehtë për shkak të imunitetit më të konsoliduar.

Çfarë do t’i thonit një prindi që nuk është i sigurt se duhet të vaksinojë fëmijën e tij?

Keni në dorë të mbroni shëndetin e fëmijës tuaj. Për asnjë çast mos hezitoni. Bërja e një vaksine rrit sigurinë imunitare.  Të forcosh mbrojtjen imunitare asnjëherë nuk është e dëmshme.

Vihet re një ndërgjegjësim i prindërve në raport me mjekun. Megjithatë, ndodh që edhe për “vogëlsiara” prindërit alarmohen dhe nxitojnë për në spital. Si duhet t’i menaxhojë një prind këto situata, kur duhet t’i drejtohen mjekut?

Porta e parë për të marrë shërbim shëndetësor është mjeku i familjes. Grumbullimet e pajustifikuara në radhët e gjata të urgjencës mund t’a dëmtojë fëmijën tuaj, duke mbivendosur infeksione sekondare…

Kur duhet t’i drejtohemi urgjencës?

Kur fëmija ka vështirësi në frymëmarrje, lëviz flegrat e hundëve kur merr frymë, i mavijoset buza; stridor (zhurma nga edema e laringut), të vjella që nuk dominohen në kushte shtëpie, diarre mbi 5-6 herë në ditë, dhimbje barku që shoqërohen me të vjella.

Këshilla

Mjeku i urgjencës qetëson shenjat e sëmundjes, ndërsa mjeku i familjes e trajton të sëmurin me të gjithë kompleksitetin e problemeve që lidhen me të: imunitetin, sëmundjet shoqëruese, kushtet e banesës, etj. Temperatura e lartë nuk është urgjencë mjekësore. Është një reaksion mbrojtës i organizmit… Nuk kemi pse frikësohemi. Organizmi ka mekanizma rregulluese…. Jepi Sirup Paracetamol ose supostë. Ki durim… Ndërkohë rehidroje fëmijën, hiqi rrobat e trasha, nxirre në një dhomë të ajrosur.

Cilat mendoni që janë problematikat kryesore që bashkëshoqërojnë fëmijët sot?Çfarë kujdesi duhet të tregojnë prindërit nga ana e tyre?

Ushqyerja dhe mbipesha janë kthyer në epideminë e shekullit. Statistikat e OBSH japin shifra 17% të fëmijëve obezë, nga mosha 4vjeç – 18 vjeç.

Vihet re qasja e lartë e fëmijëve ndaj ushqimeve të pashëndetshme (patatina, kroasant, lëngje të gazuara, hamburger, sanduiç, etj) dhe mungesa e ushqimeve të shëndetshme (perime, fruta të freskëta) përreth mjediseve shkollore, duke bërë të pranishëm riskun për kultivimin e zakoneve jo të mira. Prania e dyqaneve fast-food tek dera e shkollës janë kthyer në një problem social.

Prindët janë përgjegjës për ushqyerjen e fëmijëve të tyre. Një fëmijë duhet të marrë 1700 – 2000 kcal në ditë, në varësi edhe të moshës. Edukimi i shijeve dhe ushqyerjes së shëndetshme fillon nga familja.

Dieta me fibra, perimet e stinës, në sasi të ekuilibruar në proteina dhe pak brumëra ( karbohidrate) është primare për të mbajtur nën kontroll peshën.

Edhe sjelljet me risk, si alkooli, duhani ndikojnë tek kontrolli i peshës në moshën e adoleshencës.

Aktiviteti fizik, me të gjitha variantet, harmonizimi i lojërave sportive të nxitet nga prindërit.

Interneti sot është bërë “si një mjek” me të cilin prindërit parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre. Ku duhet të kenë kujdes?

Vizitat mjekësore në ambulancë janë gjithmonë metoda më e mirë për të gjetur zgjidhje të situatave të vështira shëndetësore.

Së fundmi sugjerohen konsultat mjekësore në internet, duke komunikuar direkt me mjekun personal ose të familjes nëpërmjet aplikacioneve të internetit. Këshillimi online është një hallkë ndërmjetëse për të shfrytëzuar faktorin KOHË.

Në këtë mënyrë trajtohet historiku i pacientit dhe i sëmundjes. Bazuar edhe në interpretimin e rezultateve të analizave të fundit,  mund të  këshillojmë më tej të sëmurin. Asnjë burim në internet nuk e zëvendëson  vizitën tek mjeku, por interneti është një mjet i vlefshëm për të përmirësuar mënyrën e jetesën.

Prindi të zgjedhë ato portale që janë kompetente të kësaj fushe. Jo çdo informacion në internet mund të merret si i mirëqenë.

Në lidhje me ushqyerjen shumë nëna zgjedhin ushqim të konservuar. Cili është rekomandimi juaj?

Ushqyerja e shëndetshme e fëmijës, padiskutim është nga ushqime të freskëta. Në situata të ndryshme, të veçanta prindit i duhet të zgjedhë mes produkteve të industrializuara për foshnjat…

Psh qumësht formulë apo qumësht gjiri… Kuptohet që qumështi formulë është perfeksionuar me teknologji të prodhimit mjaft moderne. Ka vlera ushqimore. Por kjo,  vetëm në rastet kur është e pamundur të ushqehet me gji, si psh sëmundjet e nënës.

Kur duhet të kalohet nga qumështi në ushqim solid? Përgjithësisht mjekët ne vendin tonë rekomandojnë fillimin e provave pas muajit të 6, por vë re nga disa përvoja jashtë, që ky prag është më i ulët. Cili është rekomandimi juaj?

Pavarësisht skemave standarte të ushqyerjes, mendoj se fillimi i ushqyerjes është individual. Disa fëmijë kanë zhvillim më të shpejtë. Përshtaten më shpejt, pra, disa fëmijë  janë gati t’a fillojnë më vonë. Asnjëherë nuk ka receta fikse.

Shohim një presion virtual në lidhje me vitaminat. Çfarë është e domosdoshme, çfarë jo?

Ky është një shqetësim që e ndeshim shpesh ne si mjek pediatër. Në vendet e BE dhënia e suplementeve është rregulluar me ligj bazuar në kritere rigoroze. Shtesat ushqimore kanë për qëllim të korrigjojnë mangësitë ushqyese me vitamina, mikroelemente , probiotikë etj. Nënat thonë nuk ka oreks fëmija. Shpesh shkojnë vet në farmaci dhe marrin suplemente. Doja t’i drejtohesha me një mesazh të gjithë prindërve: Edhe marrja pa kriter e vitaminave ka efekte anësore në trup.

Këshilla: Para se të merrni suplemente në farmaci, konsultohuni me mjekun e familjes. Qëllimi për të cilin i’a  jepni fëmijës mund të mos jetë zgjidhja më e drejtë për shëndetin e fëmijës suaj. Nëse fëmija ka lodhje, mungesë përqëndrimi, anoreksi, dhimbje barku kronike etj, këto mund të jenë shenja të hershme të ndonjë çrregullimi të fshehur në organizëm. Kështu, pa dashje, vononi diagnostikimin e saktë të fëmijës. Gjithashtu, intolerancat ushqimore sjellin pasojë keqthithjen e disa vitaminave…

Prindi mendon se po i jep rregullisht vitaminë D, por fëmija shfaq shenja të defiçitit…Ky është një shembull për të demonstruar se zgjidhja e problemit është tek trajtimi i intolerancës , jo tek dhënia e suplementeve.Mjeku i patronazhit do të rekomandojë bërjen e disa analizave rutinë. Psh Sideremi, matje të vitaminës D, e jodit etj  Më tej e gjykon ai nëse ka nevojë për suplemente apo për mjekim më të specifikuar.

Për nënat që ushqejnë me gji, çfarë kujdesi duhet të tregojnë? Çfarë diete duhet të zgjedhin?

Nënat që ushqejnë foshnjat  me gji duhet të reduktojë konsumin e kafes dhe pijeve të tjera energjike.  E njëjta gjë dhe për ushqimet pikante, hudhra, të  konservuara, të procesuara ( salçiçe etj). Ndërsa alkooli duhet shmangur patjetër, pavarësisht dhimbjeve të barkut të nënës. Nënat kanë nevojë  për ushqyerje të balancuar me proteina, perime dhe fruta të freskëta të stinës. Kujdes me peshkun crudo.

Po qarkullojnë shumë viroza dhe sigurisht më të prekur janë fëmijët. Çfarë kujdesi duhet treguar për të minimizuar pasojat?

Parandalimi: E ajrosim dhomën shpesh, ose e nxjerrim foshnjen në ajër të pastër. Vaksinimi me të gjitha vaksinat e detyrueshme të sistemit shëndetsor.Shëtitjet në ajër të pastër, në parqe të gjelbëruara, lojrat zbavitëse janë domosdoshmëri.Higjena e mjediseve të përbashkëta si çerdhe, kopshte, shkolla gjithashtu parandalon disa sëmundje, që përhapen në komunitet. Të bëhet klorinimi i dorezave të dyerve dhe i dyshemeve çdo ditë.

Në lidhje me ambientet kolektive: të sëmurët këshillohen të rrinë në shtëpi gjatë ditëve me temperaturë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re