VALENTINA MADANI/ Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrias denoncon se shteti është i kapur nga grupimet antitreg të monopoleve politike, që godasin ashpër interesin publik dhe demokracinë. Ai apelon se ekonomia shqiptare sot, më shumë se asnjëherë, komandohet nga grupimet antitreg, grupimet e nëntokës dhe bashkimet e tyre.

Ai thotë për gazeta Panorama se bizneset normale, që kanë lidhje me tregun, janë në pakicë duke paralajmëruar se do të zvogëlohen gjithmonë, duke u mbyllur dhe gllabëruar nga grupimet antitreg. Ligjin e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor Gjergj Buxhuku e sheh me shqetësim teksa përmend se Shqipëria nuk e ka kontrolluar dot territorin kur kanabisi ishte ndaluar me ligj jo më kur të jetë i lejuar. Dy vendimet e GJK për katet pa leje dhe Portin e Durrësit, Buxhuku thotë se ishin të pritshme dhe se “drejtësia është pjesë e sistemit të korruptuar…”.

Z. Buxhuku, kush po e komandon ekonominë shqiptare?

Nëse do të përmblidhja me një fjali përgjigjen e pyetjes tuaj do të ishte “ekonomia shqiptare sot, më shumë se asnjëherë, komandohet nga grupimet antitreg, grupimet e nëntokës dhe bashkimet e tyre”. Bizneset normale, që kanë lidhje me tregun, janë në pakicë dhe do të zvogëlohen gjithmonë, duke u mbyllur dhe gllabëruar nga grupimet antitreg. Rreziku është i qarte nëse, demokracia dhe shteti i të drejtës nuk do të fillojë të jetë i qenësishëm sa më shpejt.

Më ka mbetur në mendje përkufizimi i një sipërmarrësi, që në një pyetje të ngjashme më tha: “Në Shqipëri kemi biznese, që punojnë dhe të ashtuquajtura biznese, që fitojnë para”! Fatkeqësisht, është e vërtetë. Të ashtuquajturat biznese, që bëjnë para pa pasur lidhje me tregun, por thjesht me korrupsionin dhe privilegjet e dhëna nga bashkëortakët e tyre të politikës, janë edhe komanduesit e vërtetë të ekonomisë shqiptare. Rrënjët e tyre, grupimet komanduese të mësipërme, i kanë hedhur njëkohësisht që me ndryshimin e regjimit mbi 30 vite më parë dhe janë fuqizuar në vazhdimësi.

Grupimet antitreg, kanë penguar dhe asgjësuar sistematikisht edhe çdo përpjekje politike për të ndërtuar realisht vetë sistemin demokratik në vend. Kanë penguar dhe po pengojnë edhe vetë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Parajsa për ta është pikërisht gjendja e sotme. Sepse, korrupsioni politik shoqëruar me paaftësinë skajore si edhe me arsye objektive të së shkuarës, krijoi shtratin antidemokraci, në të cilën u mboll, u ujit dhe u plehërua bollshëm edhe ekonomia e kapur antitreg në kundërshtim me interesin publik dhe atë kombëtar.

Grupimi antitreg komandues në ekonomi sot është aq i fuqishëm, sa edhe vetë baballarët politikanë krijues të dikurshëm të tij, i ka kthyer thjesht në punëmarrës ose në rastin më të mirë ortakë të pakicës. Është krijuar një sistem ekonomik dhe politik në të cilin është shumë e vështirë të ndryshohet vetëm nga brenda në afatshkurtër. Problemet mund tu vijnë vetëm nga jashtë nga vendimet e partnerëve gjeostrategjikë. Mbase edhe nga përplasjet brenda grupimit për arsye të pamjaftueshmërisë së plaçkës publike të grabitur.

Cilat janë tre grupimet komanduese ne terrenin e prekshëm të ekonomisë shqiptare?

Ekonomisë shqiptare i mungon shtylla kryesore, që dallon ekonominë e tregut nga ajo e përqendruar socialiste: Konkurrenca. Mungesa e konkurrencës është e dukshme, sidomos në të sektorët strategjikë dhe më të mëdhenj të vendit. Pikërisht në ata sektorë, që qarkullojnë dhe zotërojnë shumicën dërrmuese të kapitaleve dhe ndikojnë në gjithë ekonominë kombëtare. Sektorët e hidrokarbureve, telekomunikacionit, energjisë, tregjet financiare dhe bankare, të infrastrukturës, etj., janë ndërtuar dhe funksionojnë me shfaqje të prekshme oligopoli dhe karteli në dëm shkatërrues të interesit publik. Jo rastësisht, shqiptarët paguajnë shumë më shtrenjtë dhe cilësi më të ulët sesa të tjerët mallrat dhe shërbimet, që marrin nga sektorët e mësipërm.

Kompanitë, që bëjnë pjesë në grupin e parë antitreg, janë lejuar, krijuar dhe mbrohen si monopole të plotfuqishme drejtpërdrejt nga politika. Politika nuk lejon të funksionojnë autoritetet rregullatore antimonopol të tregut, financimet buxhetore me tenderime fiktive ose drejtpërdrejt dhe me vlera të tejfryra ja jep vetëm disa kompanive të privilegjuara. Burimet natyrore dhe buxhetore me anë të PPP, koncesioneve, licencime, etj., krijojnë monopole të pastra, që mbysin konkurrencën, largojnë investorët e rinj dhe mbyllin tregjet në afatgjatë. Kompanitë e mësipërme vetëm emrin kanë biznese dhe zotëruesit e tyre vetëquhen biznesmenë.

Në thelb janë thjesht drejtues ndërmarrjesh shtetërore. Shumë pak prej tyre mund të rezistojnë në kushtet e tregjeve të hapura, konkurrencës së lirë, shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. Do të falimentonin shumë shpejt. Madje, sa më të mëdha dhe të forta të duken sot, aq më shpejt bien pa privilegjet antitreg shtetërore në kundërshtim me interesin publik. Prandaj dhe e luftojnë me te gjitha mënyrat çdo ndryshim politik. Vendimmarrja politike në shumicë është thjesht ushtare dhe në rastin më të mirë ortake e tyre. Grupimi i dytë komandues në ekonomi janë te individët, që drejtojnë të ardhurave e mëdha në qarkullim të nëntokës. Gjithmonë e më shumë ekonomia shqiptare po bëhet e varur nga prurjet informale të prodhuara brenda vendit nga korrupsioni dhe fshehjet fiskale dhe sidomos jashtë vendit nga veprimtari kriminale. Nëse, do të mbyllej rubineti i parave të zeza, ekonomia shqiptare rrezikon të falimentojë brenda pak muajsh. Dhe kjo është shumë e rëndë. Shqipëria jep shenja të qarta, që është kthyer në një nga lavatriçet e rëndësishme, që pastron paratë e krimit të Evropës.

Gjelbërimi në nivel vendi para disa vitesh nga kanabisi, trafikimi i drogave të forta, etj. e mbajnë vendin vazhdueshëm në listën “gri” të agjencive të BE. Janë pikërisht, rrymat gjigande të parave të prodhuara dhe zotëruara nga nëntoka dhe monopolet, që janë rreziku më i madh, që me mjete dumping dhe pjesëmar rje edhe të vetë institucioneve të shtetit të gllabërojnë ose falimentojnë biznesin e ndershëm. Dhe kjo është e pranishme sot dhe jo thjesht parashikim. Shembujt janë të prekshëm, deri në përplasje asgjësuese. Grupimi i tretë antitreg komandues në ekonominë shqiptare është shkrirja e dy grupeve të para. Gjithmonë e më shumë grupi në fjalë po bëhet dominuesi kryesor në ekonominë shqiptare. Është gjithmonë e më e vështirë të dallohet sot ku fillojnë dhe mbarojnë në shkrirje me njëra-tjetrën grupimet monopol dhe nëntoka. Së bashku me politikën natyrisht.

Mjaftojmë të ndiqen aferat e ndërtimeve masive në qytetet kryesore dhe në resorte turistike, ku kredia bankare nuk shkon më shumë se 30% të vlerës së investimit dhe e kupton qartë, se çfarë ndodh. Politika prodhon ligje “ state capture/kapje e shtetit” për të favorizuar grupimin e retë antitreg. Është e varur dhe njëkohësisht pjesë e tij. Sepse, nga njëra anë në bizneset e grupimit në fjalë mban dhe pastron edhe paratë e korrupsionit të saj dhe nga ana tjetër bashkëpunon për të qenë bashkërisht gjithmonë në pushtet. Pushteti politik në Shqipëri mbahet duke u mbështetur në dy grupimet e para. Monopolet dhe nëntoka. Është ngjashëm me modelin e përzier të Kubës i zbatuar në mes të Evropës pas treçerek shekulli. Nga njëra anë, shteti i korruptuar dhe i falimentuar oligarkik i Batistës dhe nga ana tjetër, metoda Kastriste, që me anije largonte kundërshtarët. Me ndryshimin, që në vend të anijeve përdoren pasaportat.

Po sëmundjet më të rënda të ekonomisë shqiptare…?

anë 2 sëmundje sipas vlerësimit tim. Korrupsioni politik i kapjes së shtetit dhe mungesa e konkurrencës në ekonomi. Natyrshëm janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe burimin e kanë të dyja te mungesa e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Politika nuk prodhon ligje për të interesin publik, por në interes të grupimeve antitreg. Të gjithë e kanë parasysh kalimin rrufe të 14 akteve ligjore brenda një mbledhje qeverie, që çimentoi me ligje skemën e korrupsionit “state capture/kapje e shtetit” 400 milionë euro të “djegësve”. Ndërkohë, në rastet kur ka nisma të qarta për interes publik institucionet shtetërore sikur nuk ekzistojnë fare, nuk kanë asnjë vullnet për bashkëpunim ose zvarrisin dhe pengojnë më çdo mjet. Kam përvoja personalë për sa më sipër. Shembullin e aferës së “djegësve” e morra thjesht si më i dukshëm në morinë e pafund të rasteve të ngjashme. Pra kemi korrupsionin me ligj, që është bërë gjithmonë e më shumë praktikë pune. Shumë i vështirë për t’u kapur me mjete klasike ligjore edhe në kushtet kur do të ketë vullnet politik dhe institucione për ta bërë. Që nuk janë në fakt. As njëra as tjetra.

Miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor është një vijë e kuqe e shkelur qartësisht…?

Sinqerisht nuk e kuptoj këmbënguljen e gjatë dhe të çuditshme të qeverisë në vite për kultivimin e kanabisit. Së pari, nuk është sqaruar nëse është marrë apo jo miratimi i partnerëve euroatlantikë. Të gjithë i kemi parasysh ndërmarrjet e mëdha deri ushtarake detare dhe ajrore të Italisë dhe vendeve fqinj për të ndaluar hyrjen e kanabisit te vendet e tyre dhe shkatërrimin e plantacioneve në Shqipëri. Marrja e miratimit të partnerëve është e nevojshme në rastin e Shqipërisë për shkak të njollës famëkeqe, që kemi marrë si vend prodhues dhe eksportues i bimës së ndaluar në BE. Shqipëria ka detyrime strategjike ndaj aleatëve dhe për më shumë jemi në proces anëtarësimi në BE. Mos harrojmë, se kanabisi ka vlerë të madhe pikërisht sepse është i ndaluar në vendet e BE. Në rast se do të ishte i lejuar fermat e Italisë, Spanjës, Francës dhe shtete të tjera evropiane i kanë kushtet hapësinore, teknologjike dhe financiare shumë më të përshtatshme për ta prodhuar vetë dhe zotërimit të tregut. Ne nuk kemi asnjë shans për të qenë konkurrues.

Në rast se miratimi i tyre nuk është dhënë rrezikojmë të kthehemi në një magazinë gjigande kanabisi në zemër të Evropës me flotijet e anijeve, aeroplanëve dhe makinave të gatshme për të kaluar në anën tjetër të detit. Mbase mund të jetë menduar për tu përdorur në industrinë e turizmit në vend ose ka ndonjë qëllim tjetër të panjohur, që nuk e dimë dhe duhet bërë publike. Të presim. Shqipëria nuk e ka kontrolluar dot territorin edhe atëherë kur kanabisi ka qenë plotësisht i ndaluar me ligj. Imagjinojeni kur të jetë i lejuar, qoftë edhe pjesërisht. Së dyti, duhet bërë e qartë se cilat janë përfitimet financiare të vendit nga kultivimi i kanabisit.

Duhet të jenë të mëdha përderisa këmbëngulet aq shumë dhe rrezikohet të mos përfillen edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë. Nëse, përfitimi ekonomik do të jetë aq i madh, le të vazhdohet, por gjithçka duhet të bëhet publike. Është vendim shumëpërmasor i vështirë, që tejkalon shumë thjesht përfitime të thjeshta financiare. Theksoj se, për një vendim të tillë duhet të përllogariten mirë raportet humbje dhe përfitim të të gjitha drejtimeve. Të bëhen publike dhe pastaj të vazhdohet. Në rast të kundërt, qeveritë dhe kryeministrat shkojnë dhe vijnë, por njolla dhe pasojat e dëmshme mbeten në afatgjatë.

Si e konsideroni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës për VKM-të e kateve pa leje?.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritshëm. Përkundrazi e çuditshme dhe e papritur do të ishte vendimi i kundërt. E kemi shpjeguar më sipër, se shteti shqiptar është i kapur nga grupimet antitreg të monopoleve politike, që godasin ashpër interesin publik dhe demokracinë. Natyrisht, edhe drejtësia është pjesë e sistemit të kapur dhe të korruptuar krejtësisht, me gjithë përpjekjet e partnerëve për ndryshim. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është fakti i shfaqur qartë për sa më sipër. Por, unë këmbëngul, që shkaku kryesor i të keqes buron nga sistemi politiko ekonomik i kapur. Mendoj, se me qëllim janë lënë hapësirat e nevojshme ligjore për të gjetur shtigje.

Madje, mendoj se edhe vetë e gjithë estrada politike e rastit në fjalë ishte thjesht e tillë. Di që për raste të ngjashme në shtetet e BE penaliteti është shumë i ashpër. Konfiskimi i shtesave pa leje është i menjëhershëm, shto edhe penalitete financiare shumë herë më të mëdha, sesa vlera e volumeve ndërtimore dhe shoqëruar me heqje përfundimtare lejesh dhe licencash si edhe akuza penale për përgjegjësit. Kompani ose individë, qofshin. Ndërsa te ne vendimet e shkallëve më të larta të drejtësisë shërbejnë si leje legalizimi! Dhe të mendosh, që bëhet fjalë për investime të mëdha, për lejet e ndërtimit subjekteve nuk u kërkohen as ligjshmëria e burimeve financiare!

Po atë për Portin e Durrësit…? Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen e shtetit shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe për Portin e Durrësit…

Edhe vendimi i Portit të Durrësit nuk mund të ishte i ndryshëm nga arsyetimi që bëmë më sipër për shtesat pa leje. Arsyetimi ngjan pikë për pikë. Sepse, institucionet e shtetit jodemokratik të kapur punojnë në mënyrë të përsosur dhe pa asnjë shmangie kur vjen fjala te mbrojtja e interesave të atyre, që i emërojnë. Dhe ata, që i emërojnë janë grupimet, që kanë kapur shtetin. Interesi publik nuk mund të mbrohet nga një sistem jodemokratik. Është e pamundur!

Kryeministri Rama paralajmëroi para disa ditësh rritjen e çmimit të energjisë, çfarë pasojash do të ketë për qytetarët e bizneset!?

Është paradoks, se pse jemi në kushtet kur duhej domosdoshmërish të kërkohej ulja e çmimeve për bizneset dhe qytetarët. Ulja dramatike e çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare shoqërohet me një nga vitet më të mbara të motit, që mbështet fuqishëm prodhimin vendor si asnjëherë tjetër, por, gjithçka ka vlerë kur menaxhohet mirë. Ndërkohë, vetëm si pasojë e humbjeve teknike dhe vjedhjeve, përtej vetë objektivave qeveritare, nga kompanitë publike kemi humbje 100 milion euro/vit. Shto këtu edhe korrupsionin me shitje blerjet e energjisë jashtë ekspozitës që ka emrin AlPEX- Bursa Energjisë, që arrin deri në 20% të vlerës së transaksioneve, pra përsëri të paktën 100 milion euro/vit të tjera e kupton se përse kërkohet rritje çmimi! Shteti i korruptuar nuk është dhe s’ka sesi të jetë efecient. Është e pamundur objektivisht. Kjo s’ka nevojë për vërtetim. Por, nëse do duhet ta vërtetoni “Mirë se vini në Shqipëri”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re