Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka folur edhe për marrëdhëniet me Lulzim Bashën, çfarë “presioni” i bëri që ta pezullonte Berishën nga PD dhe çfarë mendon për protestën e 8 janarit.

Erla Mëhilli: Z. Basha e përmend shpesh në retorikën e tij këto kohët e fundit se Z. Rama, Z. Berisha dhe Z. Meta i bashkon non-grata. A ka ndonjë informacion për këtë ai? Në retorikën e lidershipit të PD-së thotë se kjo qeveri nuk do ta shijojë të gjithë mandatin katër-vjeçar sepse do të vijnë non-grata të tjera.

Ambasadorja Kim: Shikoni, thuajse çdo javë, dakord, jo çdo javë, por çdo muaj, shoh një artikull apo ndonjë gazetar që thotë: e di kush është personi tjetër që do shpallet; do të ketë përcaktime. Me gjithë respektin, them se ky është një proces shumë konfidencial dhe do të habitesha vërtet shumë nëse deklaratat e tyre do të bazoheshin në informacion faktik, të besueshëm.

Erla Mëhilli: Pra, Z. Basha nuk ka informacion për non-gratat, është thjesht retorikë politike nga ana e tij?

Ambasadorja Kim: Ne nuk e ndajmë këtë informacion me askënd.

Erla Mëhilli: Okay. Zonja Ambasadore, pse nuk u mjaftuat ju me shpalljen non-grata të Sali Berishës por kërkuat nga Partia Demokratike edhe ta përjashtonte atë nga nga grupi parlamentar, kur duhet thenë që në aspektin ligjor dhe kushtetues ky përjashtim nuk e ndikonte mandatin e Z. Berisha. Pra, pavarësisht përjashtimit, ai mbetet po prapë deputet.

Ambasadorja Kim: Mendoj që votuesit duhet të zgjedhin se kush i përfaqëson më mirë. Dhe partitë duhet të zgjedhin kush i përfaqëson më mirë. Tani, ajo që kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht, që e ka bërë të qartë Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, e ka bërë të qartë Sekretari Blinken, dhe është bërë e qartë nga Presidenti: nuk është normale dhe nuk është e pranueshme të kesh dikë të përcaktuar për korrupsion madhor që të jetë fytyra e këtij vendi; fytyra e cilësdo parti. Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja. Pra, nuk jut hemi për kë të votoni, por mendojmë se duhet të merrni vendime të informuara. Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale. Kaq bëmë, ofruam informacion.

Erla Mëhilli: E qartë. Z. Basha e ka bërë të qartë se u detyrua nga SHBA dhe ju për ta marrë këtë vendim. A është e vërtetë kjo? E detyruat ju dhe a duhet të funksionojë kështu demokracia?

Ambasadorja Kim: Një nga gjërat që vë re këtu në Shqipëri është që ka një tendencë për të folur mbi kush detyroi kë, kush sabotoi kë, kush është peng, kush është kukull, kush është  blerë, kush është shitur. Shiko, jemi të gjithë të rritur. Marrim vendime ose duhet të marrim vendime bazuar në informacion, bazuar në gjykimin tonë më të mirë. Ne i ofruam Z. Basha, siç bëjmë publikisht, informacion lidhur me çfarë do të thotë përcaktimi dhe cilat janë pasojat. Dhe, besoj se bazuar mbi atë informacion, Z. Basha dhe të tjerët morën vendimin e tyre.

Erla Mëhilli: I keni dhënë Z. Basha privatisht fakte apo prova për këtë dizenjim?

Ambasadorja Kim: Epo, thatë privatisht, apo jo? Bisedat private janë private.

Erla Mëhilli: Okay, por me përgjigjen tuaj kuptova që Z. Basha duhet të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta dhe jo t’ia faturojë në njëfarë mënyre presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Ambasadorja Kim: Mendoj se mori vendimet e tij dhe mendoj se të gjithë jemi përgjegjës për vendimet tona.

Erla Mëhilli: Znj. Kim, megjithatë, SHBA kanë shpallur non-grata edhe Z. Dako, i cili deri në shtator 2021 ka qenë anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste dhe ka akuza nga demokratët që ka qenë i përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit në 25 prill. Ju nuk keni ushtruar të njëjtin presion tek Edi Rama dhe Partia Socialiste, të paktën publikisht. Pse?

Ambasadorja Kim: Do t’ju këshilloja të shkonit të shihnit faktikisht se çfarë mund të kem thënë për të përcaktuarit përpara zgjedhjeve.

Erla Mëhilli: Okay. Publikisht, në perceptimin e publikut edhe timin, duket sikur nuk keni ushtruar të njëjtin presion ndaj qeverisë. Gjithsesi…

Ambasadorja Kim: Do të thoja këtë: mos u fokusoni tek audio, fokusohuni tek pamjet. Çfarë ndodhi? Çfarë patë? Cili ka qenë rezultati? Dhe do t’ju kërkoja të nxirrni përfundimet tuaja bazuar, përsëri, në faktee, jo retorikë.

Erla Mëhilli: Z. Dako nuk është më në kryesinë e PS. Gjithsesi, në këtë fushatë ka qenë aktiv në zgjedhje.

Ambasadorja Kim: Mendoj se ngelet ende shumë punë përpara nesh.

Erla Mëhilli: Qartë. Zonja Ambasadore, nëse pas gjithë kësaj që po ndodh, sigurisht që PD është e përçarë, dhe nëse kjo force politike kthehet në një forcë irrelevante për të marrë pushtetin, për ndërruar pushtetin, drejt fitores, a ia vlejti kjo masë?

Ambasadorja Kim: Shiko, kur flasim për demokraci, mbrojtje dhe biznes, ajo që mbështesim në Shqipëri është një dmeokraci reale dhe e gjallë. Për të pasur një demokraci reale, të gjallë, të duhet një opozitë reale, e gjallë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Faktet janë që Partia Demokratike ka qenë jetike për zhvillimet e këtij vendi. Në momente kyçe, Partia Demokratike e ka udhëhequr këtë vend përpara. Nuk do të thotë se s’ka vend për përmirësim. Nuk do të thotë që duhet të qëndrojë e ngrirë tek e kaluara. Ajo që duam të shohim është një Shqipëri, është demokracia në Shqipëri, një opozitë në Shqipëri që shehh përpara, me këmbët përpara, me sytë përpara. Do t’i kthehem 8 janarit, mendoj kur njerëzit pane pamjet, kur njerëzit dëgjuan retorikën, mendoj se u skandalizuan. Siç e dini Shtetet e Bashkuara u skandalizuan. Nuk duam të shohim askënd ta tërheqë këtë vend mbrapsht në të kaluarën, në një lloj politike që nuk do ta shohë askush. Askush nuk do që të shohë dhunë politike. I përket të kaluarës. Lereni në të shkuarën.  Askush nuk do të shohë gaz lotsjellës në rrugë. I përket të kaluarës. Duhet ta hedhim tej këtë lloj gjëje. Duam të shohim një Shqipëri që është vendosmërisht në familjen perëndimore, që do të bëjë pjesën e saj si anëtare e NATO-s, që bën përparimin e nevojshmë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian, që vepron në një mënyrë që është në përputhje me staturën e saj në rritje në botë. Për shembull, Shqipëria tani është anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky është një pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Shqipëria ulet në krah të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Francës, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar. Ulet në një tryezë serioze dhe mendoj se udhëheqësit e saj, qofshin në opozitë dhe sidomos nëse janë në qeveri, duhet të sillen në përputhje me këtë staturë.

Erla Mëhilli: Qartë. Megjithatë, Zonja Ambasadore, vendi ka nevojë të shkojë përpara, jam dakord. Por a jeni ju dakord që për shkak të kësaj të sakrifikohet pluralizmi politik? Sepse me këtë përçarje që ka sot Partia Demokratike dhe opozita e vendit, rrezikon që kjo qeveri, Partia Socialiste dhe Edi Rama të rrijë 16 vjet në pushtet.

Ambasadorja Kim: Mendoj se doni ta mbani vështrimin përpara dhe mendoj se është me rendësi të mos kapeni tek ajo që gjendet në një çast përpara syve. Nuk është aty ajo që ka rendësi. E pranoj që është një periudhë e dhimbshme dhe se është arsye për dhimbje dhe konflikt dhe e shohim këtë, por është edhe një moment qartësues. Partia Demokratike duhet të vendosë se çfarë përfaqëson; duehet të vendosë se nga e ka drejtimin; duhet të vendosë se cila do të jetë marrëdhënia e saj me Shtetet e Bashkuara. Shpresojmë që Partia Demokratike do të dalë më e fortë, më e bashkuar, dhe se do të shohë përpara, se do të marshojë drejt së ardhmes, se do ta vendosë veten në pozitat ku është e aftë të fitojë zgjedhje, e aftë të jetë qeveria, të jetë e aftë për të qenë partnere e Shteteve të Bashkuara, këtë duam të shohim.

Erla Mëhilli: E qartë. Zonja Ambasadore, një partner i besueshëm ka nevojë edhe për stabilitet në sjelljen e tij, qoftë nga opozita apo nga mazhoranca. Ju i keni dhënë mbështetje të hapur Z. Basha këto kohë. Megjithatë, Z. Basha në të shkuarën jo shumë të largët ka marrë vendime qartazi kundër kërkesave dhe qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është djegia e mandative, bojkoti i zgjedhjeve, tentativat për të prishur zgjedhjet e 29 qershorit 2019. Ndërkohë, opinion publik ka dëgjuar edhe për një lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj. Veprime më anti-amerikane në kuptimin e principeve amerikane, nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë udhëheqës në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan. Ju sot e deklaroni një partner të besueshëm. Ia keni falur këto veprime Z. Basha? Mund të themi që e keni falur?

Ambasadorja Kim: Së pari, keni futur shumë komente aty dhe keni përfshirë shumë nga opinionet tuaja ndaj më lejoni të sqaroj. Pa iu përgjigjur komentit tuaj editorial mbi natyrën e marrëdhënies sonë me Z. Basha apo vlerësimin tonë për performancën e Z. Basha, do të them vetëm këtë: PD është jashtëzakonisht e rëndësishme. Z. Basha mbetet udhëheqësi i zgjedhur i PD-së. Ne besojmë në marrëdhënie me institucionet. Institucionet janë kritike për demokracinë. Ne do të vazhdojmë të takohemi me udhëheqësin e zgjedhur të PD-së dhe, në përvojën tonë, kemi pasur një partneritet të mirë me Z. Basha, dhe kjo do të vazhdojë.

Erla Mëhilli: Në një demokraci, vota është mekanizmi që zgjidh çdo debat. E tha edhe Z. Escobar. Kjo vlen edhe për demokracinë brenda një partie politike. A do ta inkurajoni ju votën për zgjidhjen e këtij konflikti brenda Partisë Demokratike?

Ambasadorja Kim: Mendoj se partitë kanë rregullat e tyre dhe duhet t’i vendosin udhëheqësit e tyre bazuar në rregullat e tyre dhe në përputhje me ligjin më gjerësisht. Nuk më takon mua ta them.

Erla Mëhilli: Okay, zonja Ambasadore, përpara se t’ju pyes edhe për 8 janarin, kohët e fundit ka pasur disa koncesione dhe afera korruptive nga ana e qeverisë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e nënvizon korrupsionin. Cili është pozicioni juaj ndaj këtyre aferave?

Ambasadorja Kim: Do ta përsëris – jemi seriozë sa më s’ka për korrupsionin dhe jemi seriozë sa më s’ka për t’iu kërkuar llogari atyre që përfshihen në akte korrupsioni domethënës, atyre që abuzojnë dhe tradhtojnë besimin publik për përfitimet e tyre. Ndaj, nuk mendoj se mund t’i shtoj shumë këtyre fjalëve për të sqaruar se cili është pozicioni ynë por duhet të jetë shumë, shumë e qartë për cilindo se ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje.

Erla Mëhilli: Zonja Ambasadore, protesta e 8 janarit. Ju bëtë një tweet gjatë asaj proteste ku u fokusuat tek forca e përdorur nga protestuesit, ndërkohë që edhe prokuroria edhe mediat pamë se kishte dhunë edhe nga ana tjetër, pra që vinte nga brenda godinës. Si do t’iu përgjigjeshit akuzave se ju ishit e njëanshme në këtë reagim tuajin?

Ambasadorja Kim: Nuk jam fort e sigurt ç’doni të thoni? Si mund të jesh e njëanshme kur thua se s’duhet të ketë dhunë politike? Vetëm nëse pala tjetër thotë se duhet të ketë dhunë politike, rast në të cilin, po, jam e anshme. Jam kundër dhunës politike. Shtetet e Bashkuara janë kundër dhunës politike. Shiko, mendoj se njerëzit u skandalizuan. E di që njerëzit në Uashington, miqtë e Shqipërisë kudo në botë u skandalizuan kur panë ato pamje njerëzish që thyenin dritare, shkulnin dyer, dhunën, grushtet, gjakun. Ka një hetim për këtë çështje tani dhe mendoj se nuk më takon të jem ajo që përcakton fajin. Të presim dhe të shohim çfarë do të nxjerrë hetimi.

Erla Mëhilli: Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte në selinë e PD-së ditën përpara protestës. Besoj e pa situatën brenda që kishte dyer të blinduara, fortifikime. A jut ha se çfarë kishte parë atë ditë aty?

Ambasadorja Kim: Kemi shumë biseda, të cilat nuk kam për t’i zbuluar në televizion.

Erla Mëhilli: Okay. A është normnale në gjykimin tuaj Zonja Ambasadore që deputetët të mos lejohen të hyjnë në selinë e tyre, në partinë e tyre?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nuk më takon të komentoj. Partitë kanë rregullat e tyre dhe duhet të respektojnë rregullat e veta.

Erla Mëhilli: Okay, dhe një pyetje tjetër. Çfarë do të ndodhë në rast se demokratët do të zgjedhin Sali Berishën kryetar të tyre? Çfarë raporti do të keni?

Ambasadorja Kim: Mendoj se anëtarët e partisë duhet të mendojnë me shumë kujdes, siç e thashë më parë, lidhur me kush janë, lidhur me rolin që do të luajnë në politikën shqiptare dhe në demokracinë shqiptaree, lidhur me çfarë do të duhet për të fituar zgjedhje, lidhur me çfarë duan të jetë marrëdhënia e tyre me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se i kanë faktet. Unë do të vazhdoj si përfaqësuese e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe specifikisht e Presidentit Amerikan që të bëj të qartë se cili është pozicioni i SHBA, dhe të ofroj informacion që njerëzit ta shqyrtojnë si pjesë e procesit të tyre vendimarrës. Por është një vendim vërtet i rëndësishëm dhe është një kohë vërtet e rëndësishme. Shqipëria është në një pikë kthese dhe ne shpresojmë që Shqiptarët, pavarësisht nëse i përkasin kësaj apo asaj partie, që do të vazhdojnë të shohin nga e ardhmja, të zgjedhin të ardhmen, të vazhdojnë ta ndërtojnë këtë vend në një mënyrë që forcon demokracinë e tij, çrrënjos korrupsionin, bën të qartë që askush nuk është mbi ligjin, që bën të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë partnere. Ky është partneriteti më i forte që mund të shoh se ekziston kudo në botë dhe ndoshta në atë kuptim jam e anshme, që favorizoj Shqipërinë, por në dy vitet që kam qenë këtu, nuk mendoj dot për një tjetër vend ku kemi një mik më të mirë, ku populli Shqiptar, ku vendasit janë më miqësorë, më mirëseardhës dhe mikpritës se sa populli Shqiptar. Ndaj, në fakt jam optimiste se njerëzit do të marrin një vendim të mençur, por në fund të fundit është vendimi i tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re