Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatet e vendit dhe zgjedhjet të sjellin një përmbysje të shumëpritur demokratike.

Gjatë një interviste, kreu i shtetit theksoi se mesazhi është i qartë: “Mjerë kush i del para trenit të integrimit në 25 prill”.

Duke e konsideruar si mesazh historik ditën e zgjedhjeve të përgjithshme, kreu i shtetit thekson se mesazhet e ambasadores amerikane për kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin, janë shqetësuese.

Presidenti Meta:  Por përse e bëmë ligjin e dekriminalizimit? Pikërisht për të hequr nga politika dhe vendimmarrja të gjithë ata deputetë dhe Kryetarë të Bashkive të cilët ishin me 7 apo me 8 emra dhe të cilët kishin atë të kaluar të errët, që të gjithë shqiptarët e dinë.

Mesazhi im ka qenë: 25 prilli është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik, për rivendosjen e legjitimiteti demokratik të të gjithë institucioneve.

Është shumë e rëndësishme, që partitë jo vetëm të kontribuojnë  për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe  të përfaqësohen me figura të denja dhe  pa probleme me dekriminalizimin, apo edhe me ata, që kanë abuzuar me pushtetin.

Këtë gjykim sigurisht do ta bëj vetë sovrani.

Unë kam një votë në ditën e votimeve, për të zgjedhur një parti apo një kandidat të caktuar edhe kjo është e fshehtë.

Njerëzit janë lodhur nga deformimi i përfaqësimit të tyre dhe i shndërrimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera në grupe të “fortësh” apo në klube arrogantësh poshtërues për qytetarin e thjeshtë.

–Zoti Meta, Institucioni i Presidentit, Ju vetë,  a keni informacione se partitë politike janë duke futur në listat e tyre persona me rekorde kriminale, që ne i kemi parë edhe në zgjedhjet e vitit 2017, apo dhe në vitin 2013?

Presidenti Meta: Kjo gjë do të duket qartë kur partitë zyrtarisht të prezantojnë kandidatët e tyre.

–Ju, a keni sinjale?

Presidenti Meta: Fakti që ne, kemi disa përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar që po japin sinjale të tilla, qoftë në institucionet ndërkombëtare….

–Keni parasysh këtu edhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Presidenti Meta: Ky është një shqetësim i madh, dhe jo më kot ne kemi bërë një ligj për dekriminalizim. Pra, për të parandaluar elementë me të kaluar kriminale për të qenë në politikë dhe për ta marr peng politikën.

– Ju mendoni se listat e zgjedhjeve të 25 prillit do të jenë të pastra.. nëse shprehemi kështu?

Presidenti Meta: Unë, nuk mund të jap garanci për askënd, por mendoj si gjithë njerëzit e tjerë të përgjegjshëm në këtë vend. Në të kundërt, kushdo që do të veproj ndryshe apo me kokëfortësi sigurisht, që do të marrë një ndëshkim të rëndë. Nuk mund të vazhdoj më edhe për një kohë të gjatë të tolerojmë fenomene të tilla të kriminalizimit të politikës.

–Që parlamenti të ketë figura të tilla brenda kësaj salle…!

Presidenti Meta: Parlamenti ka nevojë për figura me integritet dhe me personalitet. Ka nevojë për figura që respektojnë Kushtetutën dhe ndjejnë detyrime ndaj qytetarit shqiptar.

–Zoti Meta, ju jeni shprehur:  Shqipëria nuk futet dot në thes nga një çetë me bandit, oligark dhe arrogant, harrojeni. Shqipëria në dorë të shqiptarëve. Zoti President,  kush janë banditët, oligarkët dhe arrogantët..?

Presidenti Meta: Janë të gjithë ata që ligji i dekriminalizimit i ka nxjerr jashtë  Parlamentit dhe bashkive, si dhe të tjerë që do dalin edhe për shkak të votës të popullit.

Sigurisht ata që i kanë promovuar dhe i kanë mbrojtur shpreheshin se ata,  nuk kanë katër emra, nuk janë dënuar katër herë, po janë dënuar tre herë. Pra, të gjithë i dinë kush i ka promovuar këta.

–Në fakt, keni kohë që flisni me këtë gjuhë, për këtë kategori që duket se e ka kapur politikën…!

Presidenti Meta: Unë besoj se flas me fakte dhe jam shumë i bindur në atë që them… Po të më kishin dëgjuar mua pala tjetër do ishim bërë anëtar të Bashkimit Europian prej kohësh. Por, tani jam i sigurt se të gjithë do detyrohen të dëgjojnë popullin shqiptarë dhe do ti nënshtrohemi vullnetit të tij të jashtëzakonshëm në 25 prill.

–Më tepër se zgjedhjet e 25 prillit keni pasur dëshirë ta quani referendum…!

Presidenti Meta: Referendum është. Është referendum sepse nuk jemi në një situatë normale. Kemi probleme serioze të legjitimiteti të  institucioneve në vend, Parlamenti aktual është një partiak me 122. Mandate jo, po deputet formalisht nga të cilët rreth 50 janë antikushtetues dhe të paligjshëm, për mënyrën se si u procedua në zëvendësimin e tyre.

Mos harrojmë që nuk janë 60 po janë mbi 180 kandidatë nëpër listat e gjithë partive të opozitës që, nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e këtij Parlamenti. Është shteruar fundi i fundit të listave me urgjencë. Fundi i fundit të listave dhe përsëri kemi këtë situatë.

Së dyti, situata në pushtetin lokal ju e dini që nuk është absolutisht as normale, as reale dhe as kushtetuese. Kjo është arsyeja pse është vënë kusht edhe nga Parlamenti  Europian dhe nga Bundestagu, që të gjykohet sa më parë nga Gjykata Kushtetuese.

Natyrisht, kemi një kokëfortësi të kryeministrit aktual për të mos pranuar zgjedhjet të lira dhe të ndershme, për këtë ai shkeli marrëveshjen e 5 qershorit, që është një fakt.

Një marrëveshje që e firmosi vetë dhe pas një jave e shkelën në mënyrë tërësisht të njëanshme dhe arbitrare, duke qenë edhe kusht i Bashkimit Europian.

Po kështu ka hedhur dhe alternativa të tjera, për orientimin e Shqipërisë kundër Europës.

Është e qartë që Shqipëria dhe shqiptarët do të zgjedhin në 25 prill, ata dëshirojnë të rivendosin rendin kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.

Njëkohësisht ta rivendosim Shqipërinë në shinat e  anëtarësimit në Bashkimin Europian, kjo është një zgjedhje shumë e qartë. Në kushte kur kjo derë nuk është një situatë që e kam sjellë unë, por është një situatë që ka ardhur nga kokëfortësia e një individi, i cili dëshiron të ndryshojë…

– Që quhet Edi Rama?

Presidenti Meta: …të ndryshojë drejtimin e një vendi të tërë në kundërshtim me atë që ka premtuar kur ka ardhur në pushtet, sepse unë kam qenë edhe në koalicion me të në vitin 2013, në qoftë se e mbani mend. Dhe koalicioni ishte “Aleanca për Shqipërinë europiane”. Dhe kushti i vetëm për koalicionin i vendosur nga ne ka qenë që të votohen tri ligjet që i kishte bllokuar për procesin e integrimit europian. E keni parasysh atë historinë e Qarkut të Fierit dhe ca gjëra të vogla. Pra, duam s’duam 25 prilli është një referendum dhe unë jam i bindur se do të jetë një referendum që shqiptarët do të zgjedhin të ardhmen e tyre europiane, sepse ne nuk kemi dy apo tre alternativa.

– Me një fjalë, ju jeni kundër kalimit, sipas Ramës kur dyert e Europës mbyllen ne kërkojmë alternativa të tjera?

Presidenti Meta: Nuk na i ka mbyllur Europa. Ne nuk kemi dashur të shkojmë përmes atyre dyerve, të cilat ekzistojnë për të gjithë të tjerët, ku ekziston shteti ligjor, ku ekziston shteti i së drejtës, ku ekziston vota e lirë dhe e barabartë, ku ekziston konkurrenca e lirë.

Ne kemi dashur të hyjmë kontrabandë në BE dhe në BE nuk të pranon njeri kontrabandë. Ka disa standarde. Jo se ka hallin tonë Europa që po na le jashtë apo po na fut brenda, por prish standardet e veta, shkatërron themelet mbi të cilat është ndërtuar dhe prandaj ajo i ka dhënë mesazhet shumë të qarta. Nuk ka se çfarë të thotë më shumë se çfarë duhet të bëni. Dhe e para kërkesë e padiskutueshme dhe që është e panegociueshme janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat duhet të ishin mbajtur me kohë siç i mbajti Maqedonia e Veriut. Maqedonia e Veriut nuk hyri për shkakun tonë para një viti e ca, se bëri një marrëveshje shumë të rëndësishme siç ishte Marrëveshja e Prespës, por Zayevi tha se do të shkoj të votohem edhe një herë në popull se kam premtuar dhe nuk m’u realizua çelja e negociatave. Dhe fitoi dhe shumë mirë, një zgjidhje demokratike. Ndërsa ne me këtë situatë parlamenti që të gjithë e dinë dhe e shikojnë, me këtë situatë të pushtetit vendor, ne me një kokëfortësi të jashtëzakonshme i japim leksione Europës. Cilës Europë mund t’i japim ne dhe a ekziston një vend tjetër me këtë situatë institucionale siç jemi ne në kontinentin europian?

–Zoti Meta, shpesh jeni shprehur se zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë.

Presidenti Meta: Patjetër, se është bërë fakt i qartë se problemet që duheshin zgjidhur nuk janë zgjidhur. Janë shtuar kushtet, nga tre u bënë pesë. Nga pesë në pesëmbëdhjetë e kështu me radhë dhe patjetër që dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe përderisa premtimet nuk janë mbajtur duhet të shkosh përsëri të votohesh te populli. Në qoftë se popullit i ke thënë “Unë jam për integrimin europian” dhe ndërkohë po i thua tani “Jo, do të shikojmë rrugë të tjera” duhet të shkosh te populli e t’i thuash se ne jemi për rrugë të tjera. Na e jep mandatin apo jo. Apo në qoftë se ti e ke marrë votën për të mbrojtur shtetin e Kosovës, për ta mbështetur pavarësinë e Kosovës, për të luftuar për integritetin e Kosovës, dhe pastaj del me alternativa për ndarjen e Kosovës, për ndryshimin e kufijve të Kosovës apo edhe në Ballkan, përsëri shko te populli dhe thuaji popullit: “A je për luftë apo je për paqe?”

– Për të gjitha këto arsye, data 25 është më shumë referendum se sa zgjedhje?

Presidenti Meta: A janë pak këto? E ardhmja europiane e Shqipërisë, stabiliteti, paqja, siguria e këtij vendi dhe mbi të gjitha, rinia e këtij vendi, e cila po ikën nga sytë këmbët, për cilat arsye dhe si mund të thuhet se kështu është edhe në vendet e tjera!? Jo, nuk është kështu edhe në vendet e tjera! Po, edhe në vendet e tjera ikin, e thashë edhe një herë: në qoftë se ikën një për 1000 banorë nga Serbia, këtu ikin 12. Në qoftë se ikën një nga Bosnja, këtu ikin 18, ikën një nga Kosova, këtu ikin 4. Pse? Një nga studiuesit më të mëdhenj britanikë që ka bërë studimin dhe del qartë se gati 70% e të rinjve që studiojnë këtu duan të ikin jashtë dhe 94% e atyre që studiojnë jashtë, nuk duan të kthehen në Shqipëri. Është shumë.

Dakord, gjysma mund të mos dojë, por 94%! Pse? Sepse nuk shikojnë një mundësi. Kush është ai që do të donte të rrinte larg familjes së vet, larg vendit të tij, por e shikojnë se për momentin këtu mundësitë janë zero, që ato dije që kanë fituar t’u vlerësohen këtu për t’i dhënë në zhvillim të vendit, sepse nuk ka nevojë për deputetë si ata, nuk ka nevojë për drejtues si ata. Këtu mjafton që të shikoni shumë nga këta të parlamentit që i shikojnë qytetarët, ose që ndërrojnë televizorin kur u dalin përpara.

–E keni fjalën për deputetët që dolën nga zgjedhjet apo për këta që erdhën nga listat?

Presidenti Meta: Të gjithë ata që ulin kokën dhe ngrenë dorën për të gjithë ato koncensione të tmerrshme apo jo? Nuk është se ka ndonjë dallim të madh, pavarësisht nga legjitimiteti se ata që kanë dalë nga zgjedhjet kanë legjitimitet të plotë, sepse dihet, etj., etj., dhe këta nga listat janë të gjithë të paligjshëm. /Intervista për televizionin lokal “Sot 7”/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re