Intervista me aktorin e mirënjohur Roland Trebicka është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga, më 5 Janar të vitit 1994, për gazetën Aleanca. Është nga ato intervista që të sjell imazhin e Landit të gjallë, si dikur, kur na bënte të qeshnim, si askush tjetër.
Roland Trebicka nuk është më dhe bashkë me të edhe ajo lloj e qeshure që ai sillte, ato salla plot, prej tij, ai gaz, ai disponim, ajo ndjesi se jeta është e bukur në Teatër. Aktori i madh shqiptar, i pavdekshmi i Pallatit 176 iku herët dhe mori me vete, vetëm duartrokitjet tona, që nuk ia shpërblyem dot kurrë çfarë na dha, ndaj nuk e mbushim dot boshllëkun që ai la.
Me kë ta mbushim? Tani, ata që paguhen për të bërë të qeshësh, programohen të thonë dy fjali, katër reklama dhe nuk të bëjnë as të qeshësh. Sepse të bësh publikun të qeshë, duhet të jesh artist i madh. Si ai, i mrekullueshmi Roland Trebicka/.dritare.net
Nga Rudina Xhunga
-Rudina Xhunga- Jeni shumë i dashur për publikun e shumë i duartrokitur. Kjo në vepër ju kënaq apo ju mban në tension?
-Roland Trebicka- Kur më duartrokasin kënaqem, por më pas vihem në pozitë të vështirë sepse përgjegjësia rritet. Çdo shfaqe për mua ka emocione dhe detyrime. Unë i detyrohem publikut që më do, ndaj dhe angazhimi im për shfaqje të tjera do të jetë më i madh .
Pra, Roland Trebicka është ambicioz?
Patjetër. Unë kam egoizmin e mirë profesional që s’duhet t’i mungojë aktorit, artistit apo çdokujt nëse do të eci.
Improvizimet tuaja janë të shumta. Mos kjo i ngatërron partnerët për t’iu përgjigjur batutës dhe pastaj të evidentojnë shumë egoistë?
Unë improvizoj sepse më improvizohet. Batuta ime nuk bëhet për të hutuar partnerin pasi improvizimi duhet të jetë në të mirë të shfaqjes. Nëse ai vlen mbetet improvizim i çastit dhe s’përsëritet në shfaqen tjetër, por nëse ka sukses, nëse aktori me intuitë ta kthen batutën, atëherë ai ngelet dhe për herët e tjera. Kështu dhe shfaqja ndihmohet, plotësohet, rritet. Pastaj, ne aktorët e komedisë jemi me fat pasi humori është bujar, i pranon.
Pse nuk zgjodhët një komedi për t’u përfaqësuar në festivalin e teatrove?
Ne aktorët e morëm vesh tre ditë para festivalit se do të konkurronim me “Fando dhe Liz”. Gjithçka ishte krejt e ngutur dhe megjithë regjinë e mirë të Agim Qirjaqit shfaqja doli ashtu siç doli.
Kjo është mbresa juaj pas festivalit?
Ah po kam dhe diçka tjetër. Pas festivalit ndërkombëtar pati një takim të Presidentit, me artistët thanë. Në televizor pashë nja dy aktorë dhe një regjisor. Po pse o President thashë me vete, nuk ftove më tepër artistë, se s’do të harxhonin. Se një herë bëhet një takim i tillë, s’bëhet përditë.
Ju si i keni raportet me ftesat?
Gjatë 27 vjetëve punë, ftesa s’kam pasur, por kjo me thënë të drejtën nuk më shqetëson. Vendi im është në skenë, se mund të dalësh dhe në presidiume, por s’mund të dalësh në skenë, ndaj zgjodha të dytën. Skena është presidiumi i aktorit.
Po gazetat ju kanë sharë ndonjëherë ?
Gazetat s’janë marrë shumë me mua, as më kanë sharë as më kanë lavdëruar dhe s’pretendoj të merren, se janë të zëna. Ka kaq shumë ngjarje politike të rëndësishme, sa arti, teatri, artistët, aktorët ia vlen të harrohen.
Pas “Valsit të Titanikut” dhe “Njeriut që pa vdekjen me sy”, “Loja e pushimeve” është e treta komedi rumune që luani. Ç’domethënie ka kjo?
Unë pas këtyre të trejave kam një ofertë për një tjetër komedi rumune veç faktit që ato më serviren dhe më pëlqejnë s’ka ndonjë domethënie të veçantë. Për sa i përket Bogoju-s të “Lojës së pushimeve” ai është një rol që do të kishte zili çdo aktor, për larminë, harmoninë midis komikes dhe tragjikes.
Roland Trebicka i bën njerëzit të qeshin, të harrojnë preokupimet, po vetë si ia bëni për t’u ç’stresuar?
Unë disa orë në ditë s’jam Roland, por Bogoju për shembull. Dhe Bogoju nuk do t’ja dijë për hallet e Rolandit. Ai lundron dhe bashkë me të lundron Rolandi. Pra, personazhi më ndihmon mua dhe unë ndihmoj spektatorin të harrojë preokupimet, hallet, streset.
Me siguri humori në shtëpinë tuaj s’njeh pushim?
E kështu thonë, “në shtëpinë tuaj Roland, ju gjithë ditën rrini me dhëmbë jashtë”. Por, në të vërtetë unë në jetën private jam një njeri i tërhequr dhe serioz.
Do qe i pranueshëm Roland Trebicka serioz në skenë?
Të më thoshin se do luaja komedi në fillim kur nisa punën në teatër, kurrë s’kisha për ta pranuar. Por, regjisorët e kapën kontrastin dhe nisën të më japin role komike. Tani dhe të dua unë të bëj seriozin, prapë spektatori do tw qeshë. Ose dhe po s’qeshi spektatori, do tw qeshw partneri. Ka aktorë të kompletuar si Violeta Manushi, Robert Ndrenika etj., që luajnë në dy planet. Mua kjo mungesë kompletimi që kam, më shqetëson.
Gruaja ka rënë në dashuri me ju kur nisët të luanit role komike , apo më parë?
Në fakt ne jemi njohur, kur unë kam qenë krejt i panjohur. Tani ndoshta i është shtuar dashuria.
Gruaja juaj është xheloze?
Pse të jetë? Rolet e mia shyqyr janë të parrezikshme, s’e prishin harmoninë familjare. Ndaj dhe imë shoqe gëzon shëndet të plotë dhe është krejt e qetë. Tani që dhe vajza e vogël mbaron dramën e mund të punojë në teatër, ajo do qetësohet plotësisht, pasi do ketë kush më kontrollon.
Po ju a jeni ndopak xheloz?
Pse të jem unë xheloz? Shpesh më pyesin i fejuar je apo i martuar? Unë fizikisht jam mirë, flokët akoma nuk më janë zbardhur, nga komplekset s’vuaj, prandaj dhe xheloz s’jam.
Kur ju kërkuam dje na thanë se kishit dalë për të bërë pazar me gruan. Kaq familjar jeni?
Ndonjë dëshirë të madhe për të mbajtur torba s’kam, po kur të vjen gruaja të merr në punë çfarë t’i bësh. Pastaj ato dreq torba rëndojnë shumë, kur i merr bosh dhe i çon po bosh në shtëpi. Jo se s’ka me se t’i mbushësh, po lekw sikur nuk ka.
Dmth, iku koha e tullave ( çokollatave te Pallati 176)?
Tullat kushtojnë ca si shumë, megjithatë këta të rejat e sotme gjithë ditën duke ngrënë tulla i shoh. Se si i gjejnë se di.
Ju vetë çfarë raporti keni me fëmijët tuaj?
Kam dy vajza. E madhja ka mbaruar konservatorin për piano, e vogla po mbaron për dramë. I kam mike.
Për t’ju gjetur vajzave një punë të mirë, ju ka ndihmuar ndopak Jovan Bregu?
Jo, vetëm djemtë e sojit tonë janë budallenj, vajzat s’i kemi të humbura ne.
Çfarë ju ka dhënë origjina korçare?
Ka disa qytete si Korça, Shkodra, Pellgu i Myzeqesë që i ndihmojnë vetë dialektet për të bërë humor. Dhe unë megjithëse kam ikur 7 vjeç nga Korça, fus në batutat e mia herë pas here dialektin korçar për të krijuar situate komike.
Ju vetë ç’raporte keni me korçarët e tjerë?
Të mira, shumë të mira. Pse të mos i kem! Në jetën time vetëm një letër anonime kam bërë. E pashë që nuk më eci dhe e lashë atë punë.
/aktoretshqiptare.info