KQZ i bën parapritë intimidimit të votuesve ditën e zgjedhjeve përmes një vendimi të posaçëm, të miratuar dje nga kryekomisioneri Celibashi.
Ky akt parashikon vendosjen e një koordinatori sigurie në çdo qendër votimi. Në bazë të vendimit, koordinatori do të raportojë çdo parregullsi që do të konstatojë, duke e referuar në polici. Sipas aktit, u përcaktua një perimetër sigurie prej 150 metrash, brenda të cilit nuk do të lejohen persona të paautorizuar. Ilirjan Celibashi miratoi aktin që parashikon vendosjen e një koordinatori sigurie në çdo qendër votimi. Ky koordinator do të raportojë çdo parregullsi që do të konstatojë, duke e referuar menjëherë në polici.
Me këtë vendim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon nga Policia e Shtetit një rol më proaktiv gjatë procesit zgjedhor. Ndër parregullsitë që koordinatori i sigurisë duhet të raportojë është edhe prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit. Sipas aktit të miratuar, është përcaktuar një perimetër sigurie prej 150 metrash, brenda të cilit nuk do të lejohen persona të paautorizuar. Koordinatorët do të monitorojnë vazhdimisht mjediset e jashtme të QV-së, përfshirë oborret, hyrjet dhe perimetrin 150 metra.
Në çdo rast të evidentimit të individëve të paautorizuar, grumbullimeve të dyshimta, presioneve ndaj votuesve, sjelljeve kërcënuese ose materialeve të ndaluara në këtë zonë, koordinatori do të njoftojë menjëherë komisionin/et e qendrës së votimit në vendndodhjen përkatëse, sekretarin e KZAZ-së dhe do të komunikojë menjëherë me sallën operative të Policisë së Shtetit në zonën përkatëse, përmes numrit 119. “Çdo shkelje që konstatohet do të përfshihet në procesverbalin e koordinatorit të sigurisë, ku emrat e personave që abuzojnë gjatë procesit zgjedhor do të bëhen publikë në faqen zyrtare të KQZ-së.
Prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit ka qenë një shqetësim në dy proceset e fundit zgjedhore, të cilat janë evidentuar si problematike edhe në raportet e monitorimit të OSBE/ODIHR”, – shprehet KQZ.
DIASPORA
Nga dita e hënë nisi votimi i diasporës për zgjedhjet e 11 majit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tregoi se zgjedhësi i parë që mori fletën e votimit ishte një shqiptar me vendbanim në Gjermani dhe votues në Qarkun Dibër.
“Votimi nga jashtë ka nisur. Sot, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve! Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të Zgjedhjeve të 11 majit 2025”, – njoftoi Celibashi.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që shqiptarët jashtë vendit kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet në Shqipëri. Atyre do u dërgohet fleta e votimit me postë. Në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit janë rreth 246 mijë shqiptarë. Deri më tani, sipas të dhënave të KQZ-së, zarfet me fletët e votimit u janë dërguar mbi 75 mijë vetave, ndërsa 15 shqiptarë e kanë marrë atë në dorë. Qarku që ka numrin më të lartë të zgjedhësve nga jashtë është Tirana, ndjekur nga Fieri dhe më pas Elbasani. Pas dërgimit në vendin ku janë regjistruar emigrantët, nis edhe procesi tjetër, ai i dorëzimit të fletëve të votimit në dorën e çdo votuesi të regjistruar në platformë.
Në këtë pikë, vlen të rikujtojmë tri mënyrat e vetme për të votuar: Votohet duke zgjedhur një parti dhe njërin nga kandidatët e asaj partie; votohet vetëm duke zgjedhur një parti ose koalicion të preferuar dhe votohet vetëm duke zgjedhur një kandidat në listat e hapura. Çdo mënyrë tjetër votimi si psh., një parti x dhe kandidatin x të një partie tjetër do e bënte fletën e votimit të pavlefshme.